Kush e vrau Jusuf Gërvallën?

Opinione

Kush e vrau Jusuf Gërvallën?

Nga: Faton Mehmeti Më: 18 janar 2022 Në ora: 16:22
Autori

Nëse ka një muaj që mund të themi se është i mbrapshtë atëherë lirisht mund të themi se është muaji i parë i vitit kalendarik. Janari, mbetet muaj i kobshëm për shqiptarët, pasi në këtë muaj kanë ndërruar jetë njerëzit më të rëndësishëm të vendit, atdhetarët patritotë. Më 17 janar 1468, ndërroi jetë heroi më i madh i të gjithë kohërave, Gjergj Kastroti-Skëndërbeu. Po më 17 janar, por në vitin 1982 në një pritë u vranë Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Edhe pse kanë kaluar 40 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me veprimtarët.

Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Derisa Bardhoshi dhe Kadriu kishin ndërruar jetë në vend, në makinë, Jusufin policia gjermane e gjeti të gjallë, i cili ndërroi jetë në spital, ku pak para se të vdiste Jusufi do të përshpëriste, “Ka qenë UDB-ja”.

Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftë të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova. Ishte UDB ajo që vrau Jusufin, por vrasësit mund të kenë qenë edhe shqiptarë, pra vrasës me pagesë, që e rëndon edhe më shumë dhimbjen për familjen Gërvalla dhe mbarë kombin.

Vrasja e Jusufit dhe Bardhoshit,është në vazhdën e shumë figurave të mëdha të kombit shqiptar, të vrarë pabesisht, vetëm se kërkonin drejtësi, liri dhe dinjitet.

Jusuf Gërvalla, kishte shpirt poetik, ndonëse i brishtë, gjithashtu ishte i pathyeshëm drejt aspiratave të tija,dhe popullit të Kosovës për Liri dhe dinjitet. Vrasja e Jusufit, vinte pas demostrave të viti 1981, të cilat ishin nisur nga studentët për të pasuar me tërë popullin që u ngrit në këmbë.

Ishin pikërisht demostratat e vitit 1981, në të cilat edhe Jusufi ishte ndër organizatorët kryesor, shkaku që UDB e vuri nën shënjeshtër, njeriun intelektual që nuk dorëzohej përballë kërcënimeve.

Intelektualët, më shumë se kushdo tjetër, e kanë obligim që tu prijnë proceseve të mëdha, të cilat kërkojnë kurajo, guxim, angazhim dhe rezistencë të fortë për të arritur atë që kërkohet, e që ishte Liria.

Jusufi, mbetet një yll në qiellin e Kosovës, ai në 39 vjetorin e tij të lindjes u vra, dhe në 40 vjetorin e rënies të tij, gjithësej 79 vjetorin e lindjes, Kosova e kujton dhe kurrë nuk e harron. Ata që shtinë mbi Jusufin, Bardhoshin dhe Kadriun, janë turpi i njerëzimit, aq më tepër nëse janë shqiptarë, kurrë hallall mos u qoftë. Jusufi nuk ka vdekur, jeton mes nesh përmes veprës për liri të atdheut.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat