Pse e shmang BE-ja drejtësinë në procesin e formimit dhe zbatimit të politikës për Kosovën?

Opinione

Pse e shmang BE-ja drejtësinë në procesin e formimit dhe zbatimit të politikës për Kosovën?

Nga: Luz Tomaj Më: 20 janar 2022 Në ora: 23:00
Luz Tomaj

Të dielën e kaluar, institucionet e shtetit të Kosovës, nuk e lejuan zhvillimin e referendumit të Serbisë, brenda territorit të Kosovës, për ndryshimin e Kushtetutës serbe.

Ditë më parë, një përfaqësues i Bashkimit Evropian, e qortoi Kosovën, duke u thirrë në atë se, Kosova, në disa raste vite më parë nuk e kishte bërë një gjë te tillë.

Duhet të përkujtohet BE-ja se teoria e shtetit, përveç tjerash, mëson se sovraniteti,  si element thelbësor i pushtetit shtetëror, përfshin tri elemente të domosdoshme:

-Pavarësinë ndaj pushtetit të çdo shteti tjetër,

-Mungesën e çdo kufizimi formal për pushtetin shtetëror në nxjerrjen e ligjeve dhe akteve tjera ligjore, dhe

-Epërsinë e pushtetit shtetëror mbi çdo pushtet tjetër.

Nëse nuk e aplikon drejtësinë, BE-ja, të kaluarën duhet ta shikojë në mënyrë objektive.

Në BE janë të inkuadruara 27 shtete. 22 shtete e kanë pranuar pavarësinë e shtetit të Kosovës, ndërsa 5 shtete nuk e kanë pranuar. Pavarësinë e Kosoves, gjerë më tani, e kanë pranuar rreth 120 shtete, që do të thotë më shumë se gjysma e shteteve të mbarë botës.

Përputhshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me normat juridiko-ndërkombëtare, e verifikoi edhe Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë.

Dialogu Kosovë-Serbi

E kaluara historike, nuk e shënon edhe një rast që një dialog të tillë, të inicojë shteti agresor, shteti ekzekutor i krimeve gjenocidiale. Në dialog, në mënyrë permanente, ndërmjetëson BE. Për të qenë e keqja edhe më e madhe, në vitet e fundit, BE emëron, në cilsi të përfaqësuesve, individë nga vetëm ato 5 shtete, të cilat, akoma, nuk e njohin shtetësinë e Kosovës. Ky fakt, nuk është vetëm naivitet, por padrejtësi e pafalshme.

Nëse BE e bazon politikën në të kaluarën, atë duhet shikuar në mënyrë objektive.

Union i respektuar, nëse shikohet e kaluara, i vetmi popull apo komb, në së paku Evropë, është populli shqiptar, ndaj të cilit, historikisht, dominoi padrejtësia ndërkombëtare, dominuan krimet e paskrupullta të Serbisë. A duhet tua përkujtoj vetëm periudhën pas vitit 1912, kur Serbia e riokupoi Kosovën? Gjatë tërë periudhes, krimet e Serbisë, i kishin të gjitha elementet e gjenocidit, ndon se ky krim u definua pas Luftës II. Ekzistojnë provat se si raportonin mjetet informative evropiane për masakrat ndaj shqiptarëve gjatë dhjetorit 1912 dhe në vazhdimësi, deri pas largimit të bashkëpunëtorit të Titos – Rankoviqit.

Kulminacionin e krimeve e arriti Serbia, në kohën e kriminelit Millosheviq.

Të gjitha shtetet evropiane, përafërsisht, janë të formuara edhe në baza kombëtare, ndonëse, ndoshta, secili shtet ka edhe pakica të koncentruara në shtete tjera. Rast tipik, multietnik është Zvicra – gjermanë, francezë, italianë… I vetmi popull apo komb, është populli shqiptar, i cili, edhe gjeografikisht është i shtrirë në territorin e vet historik, madje të ngushtuar falë okupimeve historike, i cili është i shpërndar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Camëri….

Tani, aktualizohet çështja e një referendumi të Serbisë, e cila pretendonte ta zhvillonte edhe në Kosovë. Shtrohet pyetja se a ndodhi, në të kaluarën, një gjë e tillë, qoftë edhe në një shtet të Evropës?!

Shumë herë dëgjohen thëniet se Evropa është djep i kulturës, i civilizimit. Një gjë të tillë, duhet edhe me e argumentuar.

Argumentimi bëhet me veprime. Në çdo dialog, në negociata dhe procese tjera, drejtësia dhe vetëm drejtësia, duhet të vjen në shprehje dhe të shmangen njëanëshmëritë dhe dobësitë tjera, ti quaj subjektive.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat