Moskonvergjenca e shteteve të BE-së karshi bisedimeve Dardani-Serbi dhe animi i tyre në anën e Serbisë

Opinione

Moskonvergjenca e shteteve të BE-së karshi bisedimeve Dardani-Serbi dhe animi i tyre në anën e Serbisë

Nga: Hafiz Shala Më: 21 janar 2022 Në ora: 09:45
Hafiz Shala

Ajo që ndodhi gjatë kësaj periudhe të shkurtër javore në botën shqiptare, është brengosëse, e rrezikshme, alarmante dhe mbi të gjitha e papranueshme për tërësinë e kombit shqiptar, i cili në vend se të bashkohet në çështjet nacionale, të vlerave kombëtare, fatkeqësisht, ata të cilët janë përgjegjës, qoftë në krye të qeverisë, deputetë të opozitës apo në poste e detyra tjera, dështuan turpshëm duke u rreshtuar në anën e armiqve tanë shekullor, duke iu nënshtruar dhe pranuar poshtërimin të cilët ata ua “imponuan” deri të mohimi i identitetit kombëtar, historisë dhe heronjve më të cilët, jo veç bota shqiptare por ajo ndërkombëtare mburret me kontributin e tyre në mbrojtjen e civilizimit, okupimit dhe luftës për liri pas okupimit 500 vjeçar nga Turqia Otomane.

Kësaj t’i shtohet edhe okupimi nën Serbinë duke e përfshirë edhe atë të përbashkët që të dy kombet po ashtu nën Turqi.

Përderisa institute, shoqëri civile botërore, ekspertë të fushave të ndryshme të politikës, diplomacisë dhe demokracisë ndërkombëtare, më shumë punojnë për zgjidhjen e problemeve tona “kontestuese” siç është rasti me Serbinë okupatore e gjenocidale, udhëheqësit shqiptar, Akademitë e Shkencave dhe Arteve në të dy anët e kufirit kanë rënë në gjumin dimëror duke mos u brengosur, treguar elementin minimal të përgjegjësisë për të analizuar, sugjeruar e propozuar zgjedhje adekuate të bazuara në faktet historike, të drejtat ndërkombëtare dhe të drejtat që kombit shqiptar i takojnë në bazë të historisë, kulturës dhe lashtësisë.

A nuk ndihen të përgjegjshëm këto Akademi që ta ngrenë zërin e arsyes për t’i dalë zot kombit në këto rrethana konfliktuoze në sferën ndërkombëtare ku tentohet si gjithherë që një komb i vogël por me vlera shumëdimensionale, të injorohet, nëpërkëmbet qoftë edhe të riokupohet edhe pas okupimit jo më larg se mbi 20 vjeçar.

Po sigurisht se kur faktori i brendshëm koketon me armiqtë duke e mohuar vetveten, me siguri që e sjellë veten në pozicionin e të dobëtit, “fajtorit e agresorit, e destabilizuesit”, duke ua hapur rrugën atyre të cilët historikisht mbanin qëndrime inferiore, mohuese dhe denigruese, siç ishte Evropa e vjetër, Turqia Otomane dhe kjo e shekullit të 22-të, e cila edhe sot nga Sulltan Erdogani thotë se jemi miq për 500 vite duke e mohuar okupimin po aq vite ndaj shqiptarëve bashkë më Serbinë kriminale, të cilët që në kohërat e sundimit të tyre, ishin aleatë e dorëlirë në marrëveshje xhentëlmene për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi duke i vendosur nëpër shkretëtirat e Anadollit, duke ua mohuar të gjitha drejtat elementare deri te mohimi i identitetit kombëtar të cilin edhe sot nën sundimin e autoritarit dhe diktatorit Erdogan, nuk guxojnë ta shprehin.

Dy gjëra të turpshme kombëtare ndodhën këto ditë në të dy anët e kufirit.

Njëra në Dardani kur opozita, PDK, doli kundër Rezolutës bashkë më Listën serbe, e para nuk mori pjesë në seancë përderisa e dyta pas kërkesës që të ndërrohet qëndrimi rreth referendumit, e lëshuan sallën duke mos marrë pjesë në seancën e Parlamentit për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Dardanisë që u bënë bashkë më Listën Serbe dhe pjesa tjetër e opozitës, ani pse pa vullnet, ajo mori pjesë nga frika se do të ndëshkoheshin shumë keq nga populli me të drejtë.

Sot, kur diskutohet për çështje nacionale, për krizat ekonomike, posaçërisht asaj energjetike si krizë globale e posaçërisht për shtetin e Dardanisë, ata, në vend se të kontribuojnë me propozime konkrete nëse i kanë, ta ndihmojnë Qeverinë, jo si qeveri për të mbetur në pushtet por për t’i ndihmuar popullit në këto rrethana shumë të vështira, ekonomike, politike e ndërkombëtare.

Opozita, e pabesueshme por e vërtetë, ata e akuzojnë qeverinë për këtë krizë e të gjitha dimensioneve e cila ende pa i bërë një vit, i kërkohet të gjejë zgjidhje, duke harruar se gjatë periudhës 20 vjeçare në pushtet, po kjo opozitë në koalicione të përbashkëta i sollën këto probleme, ekonomike, politike dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilat, ia pamundësojnë kësaj qeverie që të fillojë me punën e saj, përderisa ajo ballafaqohet me ish politikat e gabuara, me krim, korrupsion dhe hajni dhe pasurim të jashtëligjshëm të cilën kurrë nuk e luftuan por heshtën dhe e inkurajuan, bashkëvepruan dhe e amnistuan nga përgjegjësia.

Qeveria e cila erdhi në pushtet me premtime megalomane, ndoshta edhe naive, si rezultat i mos pasjes njohuri të mjaftuar së në çka do të has kur t’i hapin tefterët të cilët kurrë nuk e kanë parë dritën, duke fshehur nga opinioni i gjerë e që tani akuzohet qeveria e re në pushtet për të gjitha këto.

Dhe kjo është vetëm fillim sepse ajo me çka do të ballafaqohen në të ardhmen, do të jetë e pabesueshme por edhe e parikuperueshme në një afat të shkurtër.

Duke u nisur nga rrethanat në politikën ndërkombëtare me theks të veçantë rreth konfliktit Ruso-Ukrainas, krerët e shtetit urgjentisht duhet që ta thërrasin Këshillin për Siguri Kombëtare dhe ta analizojnë gjendjen e sigurisë në rrethanat kur siguria globale sa po komplikohet, posaçërisht në rastin e marrëdhënieve Rusi-Ukrainë, që në fakt është konflikt Perëndim-Rusi e që mund të ketë impakt shumë negativ në rastin Dardani-Serbi, kjo e fundit gjithmonë duke u thirrur në ndihmën dhe përkrahjen nga Rusia, i kërcënon dhe qëndron në gjendje gatishmërie.

Pse FSK-ja në marrëveshje me KFOR-in nuk organizon ushtrime rutinore në pjesën veriore të territorit të vendit si territor shumë i përshtatshëm për përgatitjen e kësaj force, duke e pasur parasysh konfiguracionin, mundësinë që në ndonjë sulm eventual t’i mbrojë kufijtë përderisa forcat e KFOR-it të organizohen sepse Serbia e planifikon një sulm të befasishëm, të shpejtë, qoftë edhe me viktima jo edhe aq të mëdha, duke krijuar një konflikt ndëretnik me grupet e saj paralele paramilitare në pjesën veriore të armatosura për luftë civile dhe kështu “ta arsyetojë pasigurinë e komunitetit serb në veri” para faktorit ndërkombëtar.

Ajo që ndodhi gjatë vizitës së kryetarit të Turqisë, Recep Tayip Erdogan, Kryetari i 12-të i Turqisë në Tiranë i cili erdhi në pushtet në vitin 2014, ajo që me ketë rast ra në sy shumë gjëra të papranueshme të cilat nuk po mund të arsyetohen se si ndodhën ato.

A ishte e qëllimshme që kjo vizitë të ndodhë me 17 janar e cila përputhet me datën e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu me 1468, që nuk është hera e parë që Sulltani i shekullit 22 autoritaristi Erdogan sillet ndaj kombit tonë, vlerave, simboleve dhe shtetësisë së shtetit shqiptari, i cili në një moment pat kërkuar gjatë një vizite që busti i tij të mbulohet sepse gjoja ky na e paska “tradhtuar” Turqinë, ndërsa gjatë vizitave të funksionarëve shqiptarë në Turqi, nuk i përmbahet protokollit që të vendoset flamuri kombëtar aty ku duhet si shenjë miqësie dhe respekti reciprok.

Ai, po ashtu në limuzinën e tij me të cilën udhëtonte, në vend se në njërën anë të jetë flamuri turk e në tjetrën shqiptar, më sa e vërejta, në të dy anët ishte vetëm flamuri turk.

Kjo ndodhë kur servilizmi dhe vazaliteti i kryeministrit shkoi aq larg dhe aq paturpësisht sa që i kaloi që të gjitha në heshtje të përcjella me përulje mizore para një diktatori të popullit të tij, i cili është në gjendje të rëndë ekonomike përderisa janë rreshtat e gjata në pritje për t’u furnizuar me bukë (sipas mediave ndërkombëtare).

Ai, ani pse këto shtëpi janë një gjest human në shikim të parë, në anën tjetër, ai planifikon ndërtim të shumë xhamive në vend të shkollave, universiteteve, spitaleve, çerdheve e të tjera, po mos t’i kishte qëllimet për depërtimin dhe diktimin e islamit në një shtet laik e shumëkonfesional me marrëdhënie ndërfetare shembull për rajonin, ky, duke e keqpërdorur gjendjen e rëndë ekonomike të shtetit shqiptar, tenton t’ia imponojë politikat dhe agjendat e tij, të cilat nuk janë në përputhje me popullatë monofetare dhe properëndimore.

Kur i shikon të gjitha këto veprime të udhëheqjes shqiptare, në shtetin amë Shqipërinë, e cila e shpreh vazalitetin e saj ndaj armikut tonë Serbisë, duke e mbuluar bustin e Komandantit Legjendar Adem Jashari gjatë vizitës së Vuçiqit në Tiranë, duke mos treguar respekt ndaj viktimave të Raçakut të shkaktuara nga miku i tij Vuçiq, duke e tradhtuar Dardaninë dhe duke e lënë jashtë bisedimeve e të cilat janë të dëmshme edhe për Shqipërinë sikur Ballkani i hapur, përmes të cilit me kërkesën e Rusisë do të krijojë përçarje dhe ndikim në Ballkan duke aluduar që bile, edhe BE-në ta inkuadrojë në Ballkanin e hapur, si dhe diversiteti në spektrin politik në Dardani, njeriu vjen deri në konkludim se vërtet armiku i vetvetes jemi ne.

Nëse shteti shqiptar i lejon një kryeministri të këtillë ta përdhosë kombin me nënshtrimin, bashkëpunimin me Serbinë dhe Turqinë duke e sjellë veten dhe kombin në pozitat inferiore e poshtëruese, atëherë më duhet të them një të vërtetë se përderisa e dëgjoja profesorin Nexhmedin Spahiu dhe Halil Matoshin se ekziston kombi kosovar (për mua dardan) dhe assesi nuk pajtohesha me ta, me keqardhje më duhet të deklarohem se nëse shqiptarët e shtetit amë heqin dorë nga kjo, atëherë, nuk ka rrugë tjetër që në shenjë zhgënjimi, duhet ta pranojë kombin kosovar (dardan) që mos të identifikohem me mohuesit e kombit me të cilët më parë jam mburrur.

A do të lejohet një gjë e tillë nga qytetarët shqiptarë, kjo duhet të shihet por nëse nuk zgjohen dhe bëjnë ndryshime dhe kthesa, ne do të përballemi me ruajtjen e identitetit tonë të cilin ekziston rreziku që nga miqtë e armiqve tanë nga radhët tona, do ta humbim.

Kur i shikon të gjitha këto ecuri negative, atëherë po vijnë në shprehje politikat e gabuara e të dëmshme për Dardaninë e në përgjithësi edhe për Shqipërinë që po duken të qëllimshme në bashkëpunim me armikun tonë Serbinë, e cila ua imponoi këto politika atyre pushtetarëve që ishin të korruptuar, të inkriminuar, të shantazhuar dhe të akuzuar për krime ndaj bashkëkombësve të tyre për interesa meskine - pushtet e pasuri.

Në Dardani, e gjithë kjo luftë e opozitës me mjete e metoda antidemokratike, po tenton që qeverisë në pushtet, t’i pamundësohet që të ndërmerr masa të nevojshme që aktorët e këtyre të këqijave, t’i sjell para drejtësisë dhe të funksionojë shteti i pa kapur ligjor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat