Ekziston filozofia rugoviane

Opinione

Ekziston filozofia rugoviane

Nga: Genc Xërxa Më: 21 janar 2022 Në ora: 20:18
Genc Xërxa

Kosova e dal nga komunizmi ishte Rugova me partinë e parë në ish-jugosllavi që u regjistrua në nivelin federativ përball autoritetet tjera politike, gjithnjë në përkrahjen e pluralizmit dhe vënien e rendit demokratik në nivel shtetëror, një kërkesë legjitime karshi autoritetit të një shteti të dikurshëm një-partiak. Në krye të asaj iniciative ishte vet Rugova me bashkëmendimtarët dhe kohanikët e tij.

Pluralizmi, rendi demokratik si jehonë pro-perëndimore me rënien e murit të Berlinit e bëri që shumë shtete të asaj ane të kthejn kokën kah Jugosllavia, Kosova. Erdh në shprehje një ideologji apo filozofi shumë më ndryshe seç ishin shpalosur më herët. Nga filozofitë nacionaliste djathtiste siç ishin lëvizjet e Ballit Kombëtar, lëvizjet popullore mbi bashkimin kombëtar, ndryshimet radikale që u bënin karshi shtetit komunist erdh në pah një frymë krejt tjetër. Shteti jugosllav e kishte Kosovën si kontest shekullor karshi aspiratave shqiptare, që e mbante pa dëshirën e banorëve ndër sqetull të vet. Zgjidhja shihej si ndarje gjeografike e imponuar nga vet shteti serb me doktrinën e saj konceptuale “Kosovë e Metohi” me tendencë që një pjesë e territorit mbante trashëgiminë e saj kulturore në qenien e saj etnike, “toka e kishave ortodokse serbe” -Metohi. Ndërkohë na u shfaq një filozofi politike krejt më ndryshe, më moderne, racionale dhe shumëdimenzionale, si në aspektin konceptual, ideor, sociologjik apo të drejtës ndërkombëtare për popujtë europian për liri e pamvarësi nga nismat e Rugovës.

Rugova ishte i pari në njëfarë mënyre që subjektivizoi Kosovën në post-komunizëm. Kërkoi liri dhe pamvarësi nga shteti serb, të drejtë që e ushtruan sikurse gjitha subjektet tjera që e arritën si të dala nga njësitë federale në kuadër të Jugosllavisë. Mori për bazë kushtetueshmërinë autonome të Kosovës përbrenda shtetit, që tani ishte në shpërbërje. Nuk e lidhi aspiratën e popullit shqiptarë në Kosovë ndër patronatin e Shqipërisë ose të krijoi sentiment etnik në thirrje për unifikimin me të. Shkoi në raport me konceptet moderne për vetëvendosje e drejtë mbi popujtë për liri e demokraci të dala nga kërkesat legjitime të kosovarëve shumicw.

Krijoi një oreolë pro-perëndimore duke u personifikuar ndër ideo-projektet kulturore mbi Skenderbeun, Nënën Terezë, e figura tjera kombwatre që kishin shumë vlerë në skenën europiane. Ndër ngjyrimin pro-krishterë të Vatikanit, u tregoi ndërkombëtarëve që Kosova kishte marr rrugën e vet duke përkrahur vlerat që vinin nga lidhja euro-atlantike me theks të veçantë në “ngjizjen politiko-gjenetike” dhe të përhershme me SHBA. Tregoi për lashtësinë e popullit të vet dhe u identifikua me gjitha figurat që vlerat pro-perëndimore e kishin në sistemin e tyre njohës. Propaganda serbe mbi orientimin islam dhe fundamentalizmin në Kosovë u zbraps me politikën rugoveniane në krye.

Ishte ndër të parët me filozofinë e tij që preu drejtimin e lundrës ndaj lindjes, me kurs të qartë drejtë Europës. Simbolika dhe heraldika e tij qoftë gjuhësore apo semiotike ishte gjithnjë në sinkronizim me po këto vlera. Kishte edhe dallime nëse mund të quajë edhe me Shqipërinë në aspektin e drejtimit politik duke ngritur çështjen e Kosovës ndaras nga ndikimi i saj, duke krijuar subjektivizëm, qoftë edhe në simbolikë dhe gjithnjë vendosmëri që të ekzistojë e pamvarur në raport të mirë më gjithë fqinjët aty ku hynte edhe vet Shqipëria. Kjo frymë krijoi një filozofi më ndryshe duke u përshtatur rrethanave pragmatike e racionale edhe mes shqiptarëve që deri dje e shihnin Kosovën si pjesë konceptuale e Shqipërisë. Rugova tregoi me vepra që Kosova duhet të jetë e gjithë kosovarëve që jetojnë aty pa dallim etnie, religjioni apo preference tjetër socio-kulturore por me drejtim të qartë euro-atlantik.

Kosova bëri që të shihet si çështje në vehte, jo si një kontest gjeografiko-etnik mes shqiptarëve dhe serbëve. Dinte bukur mirë se nëse shkohet me këtë koncept, ndarja e Kosovës ishte frikë reale. Politika e tij paqësore duke u thirrur në personalitetet e lartëpërmendura shqiptare që edhe bota i njihte, bëri që e gjithë bota t’i kthej sytë nga ai vend i vogël po me aq vlera të promovuara, që veçse e kishte përcaktuar rrugëtimin e tij, karshi oponencës lindore në krye me Rusinë që kishte mjaftë ndikim në Ballkan. Politika e tij mbështetur në durim dhe sens të promovuar për liri dhe pamvarësi nga pushtuesi serb krijoi simpati dhe përkrahje nga bota e gjerë civilizuese demokratike. E dinte që me aq forcë sa ka, ishte shumë e vështirë ti dilej ballë një armate të tërë serbe që kishte në dispozicion. Mori mësim nga lufëtrat në Kroaci e Bosnje e Hercegovinë edhepse kishte fjalë që të hyhet në fillet e saja të luftës, por Rugova kundërshtoi duke kursyer popullin e vet duarthatë nëse mund ta quajmë ashtu pas suprimimit të autonomisë e gjitha forcave të sigurisë që dikur i kishte Kosova në disponim. Ndërkohë arriti të ngris përkrahjen e administratës amerikane karshi zhvillimve në Europë, duke u bërë më vonë, edhepse vendi më i vogël, partneri më strategjik i saj në Ballkan.

Rugova s’bashku me ideologun siç ishte Fehmi Agani e të tjerë, vunë themelet apo konceptet reale se si do duhej të dukej Kosova që ne sot e gëzojmë. Mund ta quajmë me plotë të drejtë si themelues, ideator i vizionit për Kosovën si shtet të pamvarur.

Mendoj se na iku shumë herët, mu në pikën kritike gjatë ndërkombatërizimit të shtetit të Kosovës si subjekt i shpallur i pamvarur e i njohur nga vendet tjera. Mendoj se urtësia e tij dhe vizioni nuk do lejonte në shumë koncesione që iu bënë shtetit të Kosovës gjatë bisedimeve me Serbinë, gjatë kohës post-rugoviane. Gjërat mendoj se do ishin shumë më të mira në favor të Kosovës. Na mungoi urtësia dhe vendosmëria e tij në këto gjashtëmbëdhjetë vite.

Filozofia e tij ishte sa e thjeshtë për vet banorët e vet aq fortë e ndërlikuar ndaj armiqëve të Kosovës, që Rugova dinte si të arrijë qëllimet e tij me finesë dhe në mënyrë civilizuese, vlerë e shoqërive moderne, për atë edhe fitoj çmimin Sakharov më 1998 për lirinë e mendimit dhe në mbrojtje të drejtave të njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat