Krimet e komunizmit

Opinione

Krimet e komunizmit

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 27 janar 2022 Në ora: 08:51
Nikë Micakaj, trieshjani 32 – vjeçar, viktimë e regjimit komunist

Komunistët shqiptarë nuk kursyen nga pushkatimi as Nikë Marash Micakaj, nga fshati Bëkaj i malit të Trieshit. Mëkati i tij i vetëm, për të cilin u vra, ishte se e deshi me gjithë shpirt shtetin amë - Shqipërinë Etnike.

martir të demokracisë dhe lirisë, e vranë forcat ushtarake komuniste shqiptare pa gjyq dhe pa faj në moshën 32 – vjeçare në muajin maj të vitit 1946, diku rrënxë malit të Deçiqit. Atij paraprakisht ushtria komuniste i rrethon shtëpinë dhe në befasi e arreston në Bardhaj, vend në brigjet e lumit Cem, në mes të Grabomit dhe Tamarës. Familja u vesh me të zeza pasi u vra, para togës së pushkatimit nga xhelatët komunistë të udhëhequr nga famëkeqi toger Baba, ky luftëtar trim i pamposhtur, i cili asnjëherë nuk u dorëzua në rrugën e tij. Ajo ditë mizore e 76 vjetëve më parë , ditë e zezë e majit 1946, do të mbetet plagë e rëndë e pashëruar përgjithmonë për familjarët, farefisin, Trieshin dhe krejt Malësinë.

Nikë Micakaj, i njohur në Kelmend si Nikë Marash Ujka, ndërsa në vende tjera si Nikë dajaku, i dashuruar me Shqipërinë, ishte ndër ata nacionalistë malësorë ( shqiptarë) të angazhuar maksimalisht për bashkimin e trojeve etnike. Ishte njëri prej atyre burrave malësorë që ishin betuar për të mos e lënë komunizmin të instalohej në Shqipëri, i bindur se përfundimisht kjo ideologji do të ndrydhë dhe do të shkatërrojë personalitetin e njeriut.

Ky djalë i ri , e patriot, për asnjë çast dhe asnjëherë nuk iu tremb kërcënimeve as të komunistëve shqiptarë të Enver Hoxhës, as atyre serbo-malazez të Josip Broz Titos, të cilët në atë kohë bashkëpunonin ngushtë njëri me tjetrin në ushtrimin e dhunës, torturës dhe ekzekutimit pa gjyqe, të nacionalistëve shqiptarë dhe familjeve të tyre të cilat nuk mbështesnin regjimin ( shtetin ) komunist.

Historia e këtij antikomunisti nuk u mbyll me vrasjen e tij. Eshtrat i janë zhdukur ndoshta përgjithmonë. Varri i këtij luftëtari trim të “ harruar” nuk dihet as sot e kësaj dite, sikur i shumë malësorëve të tjerë të cilët derdhën gjakun e tyre nga kriminelët e kuq, sepse e donin Malësinë dhe Shqipërinë Etnike të lirë dhe të çliruar nga pushtuesit komunist, të cilët interesoheshin vetëm për interesat dhe pozitat e tyre e jo për lirinë e tokave shqiptare.

në fakte dhe në dosjen familjare Nikë Micakaj u lind në vitin 1914, në fshatin Bëkaj të Trieshit. Ishte djali i dytë i prindërve, Marash dhe Katrinës( e lindur Bojaj). U rrit dhe u edukua në një familje me ndjenja te larta kombëtare dhe burrërore. Që në fëmijëri u brumos dhe u formua, duke dëgjuar rrëfime nga babai, gjyshi dhe axhët, për trimërinë dhe bujarinë e njohur në trojet shqiptare të vëllazërisë së Bëkajve të Trieshit. Qysh në rini u shqua nga moshatarët për trimëri dhe zgjuarsi, por edhe për talentin që kishte për qitje me armë zjarri. Pikësynim kishte të arrijë suksesin e gjyshit, Ujkë Gjonit, i cili e bëri popin e kishës serbe t’i mallkoj kuçasit pas disfatës që pësuan ata disa herë në sulmet e tyre hakmarrëse ndaj fisit Micakaj. Arsyeja e këtij mallkimi ishte frika e secilit kuças që nisej për t’u hakmarrë ndaj Micakajve se do të vritej. Këtë e dëshmon më së miri rapsodi popullor përmes këtyre vargjeve:

“...Ujk Gjon Cuku djal i ri

18 gjaqe la në shkijeni...”

Micakajn në vitin 1935 e mobilizojnë në ushtri. Si ushtar e çojnë në Kotorr. Atje, gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak, takohet me një ushtar jugosllav, të cilin e kishin transferuar (larguar) nga Kazerma Ushtarake në fshatin Poprat ( Triesh) , ku ai kishte vrarë kushëririn e Nikës, Zef Purin Micakaj, në prag të derës së shtëpisë së tij. Pas një kohe ushtari vrasës, fillon t’i lavdërohet Nikës se e ka vrarë një shqiptar, Zef Purin, në vendlindjen e tij . Nika me zemërim të thellë e mllef të madh i përgjigjet rrëmbyeshëm: “ O katil i pashpirt e mizor, ti paske vrarë vëllain tim.” Me shpejtësi nxori armën dhe e la ushtarin gjakatar të vdekur në vend. Me shkathtësinë dhe zhdërvjelltësinë që kishte arriti të ik dhe t’u shpëtoj breshërive të plumbave të ushtarëve jugosllavë . Së pari ndalet në Ulqin, prej ku shkon në Shkodër. Atje u bashkëngjitet çetave vullnetare kryengritëse nacionaliste e antikomuniste të Malësisë së Madhe.

Ky pishtar i lirisë merr pjesë aktive me pushkë në dorë në kryengritjet që u zhvilluan në Kelmend e krahina tjera të Malësisë së Madhe kundër forcave të ndjekjes partizane jugosllave - shqiptare. Luftoi me trimëri deri në vdekje për çlirimin e trojeve shqiptare nga kthetra komuniste, bashkë me prijësin popullor të Kelmendit dhe mbrojtësin e kufijve të Vermoshit nga aspiratat serbo-malazeze, Prekë Calin dhe bashkëluftëtarët e tjerë trima e të paluhatshëm në kryengritje, në të cilën u dënuan me vdekje ( pushkatim), u vranë mizorisht , u burgosën dhe u shpërngulën në kampet e internimit të Kavajës, të Tepelenës, të Volçishtit, në burgjet e kampet e punës, më çnjerëzore që ka njohur historia.

trim sypatrembur dhe viktimë e regjimit komunist duhet të mos harrohet kurrë nga populli fisnik i Malësisë së Madhe, e as nga historia e cila do të duhej ta njohë si dëshmor e atdhedashës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat