Votojeni Shaip Kamberin, modelin e Gandit të Ballkanit - Ibrahim Rugovës!

Opinione

Votojeni Shaip Kamberin, modelin e Gandit të Ballkanit - Ibrahim Rugovës!

Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi - Bota sot Nga Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi - Bota sot Më 25 mars 2022 Në ora: 23:26
Shaip Kamberi

Me datën 3 prill do të zhvillohen zgjedhjet për parlamentin dhe presidentin e Serbisë. Këto zgjedhje janë test për Serbinë, por edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në Serbi ato nuk janë test i paracaktuar, sepse nuk ka ndonjë prej kandidatëve të ndryshëm nga kandidati tjetër. Moda nacionaliste dhe shoviniste është trendi i secilit prej tyre. Asnjëri prej kandidatëve për president të Serbisë nuk është për njohjen ose respektimin e shtetit të Kosovës. Nuk është shprehur për ruajtjen dhe forcimin e shtetësisë së Malit të Zi dhe të Bosnjë-Hercegovinës. 

Kjo do të thotë se në Serbi vazhdon të ushtrohet politika e Milosheviçit pa Milosheviçin dhe pa disa mjete të dhunës shfarosëse të tij. Kjo ndodh jo për shkak të mendësisë ndryshe. Por për shkak se në kujtesën e këtyre politikanëve është e freskët ajo çfarë ka ndodhur me bombardimet e NATO-s kundër Beogradit për çlirimin e Kosovës dhe të shqiptarëve nga terrori e dhuna e qeverisë, ushtrisë dhe policisë serbe.

Por shqiptarët në Luginën e Preshevës kanë një shans të vërtetë. T'i japin votën Shaip Kamberit, deputetit aktual, që ka mundur me guxim të përballet me politikat anti-shqiptare të Aleksandër Vuçiq dhe të Ivica Daçiq. Deputeti Shaip Kamberi është modeli i politikanit shqiptar të matur, të vendosur, të përkushtuar, të urtë dhe të sprovuar në përballimin e politikave anti-shqiptare të Serbisë. Diskutimet dhe reagimet e tij në parlament janë qershia mbi tortë, të cilën ai ua ka dhuruar shqiptarëve e me të cilën i ka frymëzuar ata. 

Zoti Kamberi ka një përvojë të madhe në politikë. Ai ka qenë edhe kryetar i Komunës së Bujanovcit, komunë e cila mundi të shkëputet nga thonjtë e politikave serbe e me ish-kryetarë të nacionalitetit serb.  Ai i përket një partie, Aksionit për Veprim Demokratik, që në filozofinë e saj ka rezistencën e praktikuar nga presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova. Edhe si tip e karakter, duket se Shaip Kamberi i ngjan shumë Gandit të Ballkanit! I qartë, i artikulueshëm e preçiz, i vendosur, i urtë e durues deri në atë pikë sa të shkaktojë nervozizmin e kundërshtarit. 

Rrallë herë ndonjë politikan shqiptar në Luginë e më gjerë ka marrë guximin të përballet me argumente kundër politikave diskriminuese të Beogradit ndaj shqiptarëve. Rrallë herë ka kumbuar zëri i dikujt në politikën shqiptare, aq sa zëri i Shqip Kamberit. Dhe thuajse asnjëherë shqiptarët e Luginës së Përshevës nuk janë përfaqësuar me kaq dinjitet si në rastin e deputetit Kamberi. Ndërkaq askush prej tyre nuk e ka zgjeruar perimetrin e reagimeve me aq finesë e logjikë racionale sa ai, për të artikuluar raportet e Serbisë me Kosovën dhe për të ekspozuar politikat e mbrapshta të Beogradit. 

Shaip Kamberi na është shfaqur si një politikan tranznacional. Ai ka dalë përtej gardhit lokal të përfaqësuesit të një pakice, siç janë shqiptarët në Luginën e Preshevës. Në legjislativin e Serbisë ai është përballur direkt dhe hapur me vijën revanshiste të Beogradit kundër shqiptarëve dhe popullit shqiptar. Dhe ajo që ka ndodhur është vërtetë e jashtëzakonshme. Nuk është kufizuar vetëm me denoncime! Presidenti i Serbisë, kryetari i parlamentit të Serbisë, deputetët e këtij parlamenti dhe anëtarët e kabinetit qeveritar serb janë gjendur jo pak raste përballë replikave dhe diskutimeve brilante të deputetit shqiptar të Luginës, ku janë përçuar ide, mendime, propozime dhe zgjidhje për konfliktin shqiptaro-serb në Kosovë e në Luginën e Preshevës. Reagimet e tij kanë tërhequr vëmendjen e faktorit ndërkombëtar në Beograd dhe jam i sigurt edhe mbështetjen e këtij faktori. Shapi Kamberi është ndër të rrallët politikanë që ka shprehur rezerva edhe për politikat e Edi Ramës ndaj Beogradit e lidhjet e tij me presidentin e Serbisë. Ndaj dhe nuk ka qenë i preferuari i kryeministrit të Shqipërisë. Por ai është  dhe mbetet i preferuari i shqiptarëve kudo.

Me 3 prill do të votohet sërishmi në zgjedhje të parakohshme për deputetët e Kuvendit të Serbisë. Në zgjedhjet e kaluara shqiptarët kishin dy deputetë, të vetmit deputetë opozitarë seriozë të atij parlamenti. Në këto zgjedhje ka shanse që shqiptarët të përfaqësohen, pse jo, edhe me një deputet tjetër. Pra që numri i tyre të rritet nga dy në tre. Ndërgjegja dhe interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhen lidhur me modelin e Shaip Kamberit. Që do të thotë të votohen ata që kanë në ADN atdhetarizmin dhe jo interesat personale, ata që kanë guximin dhe kurajon për të rezistuar dhe jo servilët e zvarranikët. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të krijohet një pengesë serioze për politikat shkombëtarizuese të Beogradit në këtë rajon të banuar nga shqiptarët.

Nëse dikush beson në integritet e dinjitetin e vet kombëtar e njerëzor, atëherë duhen votuar kandidatët si Shaip Kamberi për në parlamentin e Republikës së Serbisë. E sotmja është kjo që është. E nesërmja nuk dihet si do të jetë. Por së paku shqiptarët duhet të vendosin themele sa më të sigurta për të garantuar sa të jetë e mundur të sotmen e të ardhmen e afërt.

Duke zgjedhur përfaqësues të denjë për në Kuvendin e Serbisë, vendoset një gur themeli më shumë në forcimin e identitetit shqiptar! 

Duhet ditur se dështimet tona nuk kanë qenë të gjitha papërjashtim për fajin e Serbisë dhe politikave anti-shqiptare të saj. Ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në një farë mase edhe për fajin e politikës shqiptare. Shaip Kamberi është një kampion tashmë i provuar dhe i dëshmuar se nuk korruptohet dhe nuk bën kompromise në dëm të interesave tona. Prandaj votojeni atë sërishmi për në parlamentin e Serbisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat