Dr.Enver PULA, figurë e shquar në mjeksi dhe veprimtar aktiv politik e shoqëror

Opinione

Dr.Enver PULA, figurë e shquar në mjeksi dhe veprimtar aktiv politik e shoqëror

Xhevat Mustafa Nga Xhevat Mustafa Më 7 maj 2022 Në ora: 10:03
Enver PULA

Më datën 6 maj 2022 Gjakova, Kosova dhe Kombi shqiptar  kanë humbur një nga bijtë më të shquar, me veprimtari të spikatur e shumëplanëshe, dr.Enver Pula. Ai u lind më  01.06.1940 në qytetin e Gjakovës. Pasi përfundoi vitet e shkollimit fillestar, me prirje dhe pasion për muzikën, vazhdoi në Gjimnazin “Hajdar Dushi”, të qytetit të tij të lindjes, Gjakovë. Në vijim u diplomua për stomatologji, për mjek dentist në Universitetin e Nishit.  Pas përfundimit me rezultate të mira të studimeve universitare, aty nga mesi i viteve 1970,  kthehet për të filluar punën si mjek stomatolog në Gjakovë. Qysh në fillim u shqua për përkujdesje dhe aftësi profesionale ndaj pacientëve, duke fituar besimin e atyreve, që kryenin shërbime dentare tek ai dhe duke u shtuar në vijimsi numri i tyre...Njëkohësisht, krahas punës së përditshme në profesion, në klinikë, pati kurajo e gjeti kohë të ishte pjesëmarrës në veprimtari publike dhe ilegale në shenjë qëndrese dhe kundërvënieje ndaj egërsimit të vazhdueshëm të institucioneve dhe autoriteteve civile, policore, ushtarake, juridike jugosllave, me synim zgjatjen e mbajtjes së Kosovës nën pushtimin dhe qeverisjen e tyre, me tendenca të hapura antishqiptare dhe antinjerëzore.

Dr. Enveri ishte pjesëmarrës dhe firmëtar në Mbledhjen e 2 Korrikut 1990, me nismën dhe drejtimin e Dr. Ibrahim Rugovës,  për shpalljen e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës, të rrethuar nga jashtë prej snajperëve, në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit.Kjo deklaratë historike për Kosovën dhe mbarë Kombin Shqiptar, atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik të popullit. Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, pra më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik, të njejtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik - Kushtetutën e Republikës së Kosovës e njohur si KUSHTETUTA E KAÇANIKUT.Me këtë  akt 111  delegatët firmëtar e shpallën edhe  edhe formalisht Kosovën Republikë.

Pas vitit 1995, i detyruar edhe nga persekutimi dhe represioni si njeri prej firmëtarëve të DEKLARATËS SË PAVARËSISË SË KOSOVËS, më 2 KORRIK 1990, përkrah Ibrahim Rugovës,  dr. Enveri emigroi në Zvicër, me banim, angazhime profesionale dhe sociale pranë Këshillimores Shqiptare në Bazel. Këtu ai e ndihmoi së tepërmi me angazhimin, këshillat dhe përvojën e tij Bordin Drejtues të Këshillimores, kryesuar nga bashkëqytetari  i tij, Skender Nikoliqi.Dr. Enveri tregoi përjetim të thellë kombëtar, njerëzor, intelektual dhe qytetar në përkujdesje ndaj qindra refugjatëve nga Kosova, që për t’i shpëtuar  terrorit të forcave ushtarake dhe paramilitare të Jugosllavisë së Milosheviçit u vendosën në shumë qytete të Zvicrës. Së bashku me veprimtarë të tjerë, shqiptarë, zviceranë dhe nga disa vende të tjera, ai u përfshi në grupet që shkonin nëpër qendrat e grumbullimit fillestar të refugjatëve si dhe që i prisnin në mjediset e ABSM-së ata, që kishin nevoja të ngutshme për trajtim mjeksor, psikologjik, shoqëror...Gjatë 3 viteve, 1997-2000, kur ishim bashkë në përbërje dhe në veprimtaritë e ABSM-së, më ka mbetur në kujtesë se në këtë periudhë, dr. Enveri iu bë shumë prej refugjatëve nga Kosova i respektuar dhe i mirëpritur për fjalën e butë, ngushëlluese dhe qetësuese, për sjelljen e kulturuar, për  durim dhe përkujdesje  vullnetare pa parë orar dhe ditë pushimi...Dr.Enveri, së bashku edhe me veprimtarët e tjerë të Këshillimores, si personalitetin e shquar të kulturës kombëtare shqiptare, Pjetër Rodiqi, me të përkushtuarit dhe të palodhurit Ali Nikoliqi,  Besim Pajaziti, e tj., krahas kurseve shendetsore, të mësimdhënies për gjuhën gjermane, profesionale, e tj., kanë bërë një punë të vyer edhe për zbutjen dhe shuarjen e mosmarrëveshjeve, mërive, sherreve..., mes komunitetit të refugjatëve shqiptarë në Bazel, duke ndikuar ndjeshëm për forcimin e harmonisë e të mirëkuptimit mes tyre. Dr. Enveri ishte pjesëmarrës aktiv edhe në veprimtari të tjera, si përkujtimore, kulturore, artistike, sociale..., që zhvilloheshin në mjediset e Këshillimores Shqiptare në Bazel(ABSM). Fjalët e tij me këto raste dëgjoheshin me vëmendje dhe respekt nga të gjithë të pranishmit, sepse ai ishte njeri me nivel të lartë intelektual, me pjekuri dhe përvojë të pasur jetësore, me veprimtari të shquar atdhetare e politike në të mirë të lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Njëkohësisht, dr. Enveri dallohej, respektohej dhe nderohej nga ata që e njihnin nga afër edhe si kryefamiljar dhe prind korrekt, i përkushtuar për edukimin sa më të kulturuar dhe qytetar të fëmijëve dhe shembullor për ata, me fjalët, shembujt dhe  veprat e tij. Si i tillë do të kujtohet shumë gjatë në Gjakovën, ku lindi dhe burrërrua e për të cilën dha dhe sakrifikoi shumë. Por,edhe  në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës, ku kishte shumë të njohur, kolegë dhe miq të mirë si dhe në Bazel, ku, për ato vite, sa jetoi dhe punoi, fitoi zemrat, respektin dhe kujtesën e plot bashkatdhetarëve nga Kosova si dhe të qytetarëve zviceranë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat