Shpresa nuk vdes e fundit!

Opinione

Shpresa nuk vdes e fundit!

Nga: Florim Zeqa Më: 13 maj 2022 Në ora: 09:46
Autori Florim Zeqa

Ne shqiptarët nuk kemi ardhur në këtë botë për të vuajtur, por për të jetuar. Jeta është një dhe e papërsëritshme. Prandaj, të mos lejojmë që bastardët politik t’na shkatërrojnë jetën dhe të ardhmen në vendin tonë.

Kthim në traditat, kulturën dhe zakonet popullore

Sikurse që i lutem Zotit që asnjëherë më të mos kthehet e kaluara e pushtimit të Kosovës nga Serbia (Jugosllavia), i lutem krijuesit t’na i kthejë edhe njëherë vitet e krenarisë kombëtare siç i kishim përgjatë viteve të ’90-ta: dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit, solidaritetin dhe humanizmin, unitetin kombëtar dhe bashkëpunimin e ndërvëllazërorë, besën shqiptare dhe fjalën e dhënë si virtyte të shenjta të kultivuara dhe ruajtura me fanatizëm ndër shekuj.

Që kjo të arrihet më lehtë dhe më shpejtë nuk mjaftojnë vetëm lutjet!

Zoti nuk i ndihmon egoistët, por i ndihmon ata që duan dhe respektojnë njëri-tjetrin, ata që ndajnë të mirën dhe të keqën me njëri-tjetrin, ata që ndajnë kafshatën e gojës me ata (ato) që ajo ju mungon.

Kjo është e lehtë të arrihet nëse i lëmë anash lakmitë për pasurim të pakufishëm, nëse i lëmë anash ndasitë partiake dhe ideologjike, ndasitë fetare dhe rajonale, nëse i lëmë anash të gjitha ngatërresat dhe armiqësitë e shkaktuara nga klasa aktuale politike.

Kjo bëhet e mundur përmes një mobilizimi dhe unifikimi të përgjithshëm të shoqërisë kosovare në një organizim të ri politik, të bazuar në histori dhe vlera njerëzore, në kulturë, doke dhe zakone të lashta kombëtare të trashëguara brez pas brezi në vend të kulturave të huaja arabo-aziatike apo të kulturave të degjeneruara të shteteve euro-perëndimore.

Çdo fillim e ka një fund dhe çdo fund e ka një fillim të ri

Asnjëherë nuk pajtohem me thënien “shpresa vdes e fundit”! Përderisa të ekzistojë edhe njeriu i fundit mbi sipërfaqen e tokës, ekziston edhe shpresa për jetë dhe ardhmëri.

Këtë do ta dëshmojë me një thëne të huazuar: “Një mijë në qëndrofshin do të qëndrojë edhe vet. Po edhe njëqind në mbetshin nuk tundem kurrsesi. I dhjeti do të jem, nëse mbeten vetëm dhjetë. E në mbetë veç një, unë do të jem ai”.

Secili nga ne duhet të bazohemi në thënien e mësipërme e jo të dorëzohemi përballë sfidave të kohës. Duhet t’i qëndrojmë vertikalisht idealit dhe dashurisë ndaj atdheut e jo të mashtrohemi nga gjërat e përkohshme në këtë jetë, siç janë: pasuria, pushteti dhe privilegjet që sjellë ai, për shkak se pasuria shkon e vjen, pushtetet ndërrohen njëri pas tjetrit, kurse pasojat si gjithnjë i vuan popullata e pafajshme!

Historia e dhimbshme e largimit nga vendlindja

Historia e migrimeve të shqiptarëve drejt vendeve të huaja është e gjatë sa vetë historia e popullit tonë. Por historia e migrimit të shqiptarëve të Kosovës është më e dhimbshme përgjatë dy shekujve të fundit, si pasojë e largimeve të detyrueshme nga pushtuesit, në veçanti nga dhuna e pushtuesve serbosllav, të cilët zbatuan planet ogurzeza për dëbimin masiv dhe shfarosjen e shqiptarëve gjatë shekujve dhe përgjatë luftës së fundit.

Përgjatë dy shekujve të fundit, edhe pse nuk ka kaluar asnjë gjeneratë pa e provuar dhunën dhe spastrimin etnik nga barbaria serbe, asnjëherë shqiptarët nuk i kanë humbur shpresat për kthim dhe jetë në trojet e tyre stërgjyshore.

Mirëpo, ajo çfarë po ndodhë viteve të fundit, me largimin masiv të shqiptarëve në shtetin e çliruar dhe të pavarur nga Serbia, është sa e dhimbshme, po aq edhe e tmerrshme.

Vërtetë është trishtuese të shohësh shtëpi të zbrazura, shkolla të boshatisura, palestra sportive pa të rinjë. Vërtetë është e dhimbshme dhe trishtuese të shohësh kolona të gjata njerëzish para dyerve të ambasadave në pritje të marrjes së vizave për largim nga Kosova!

Zbrazja në heshtje e Kosovës nuk është pasojë vetëm e pushtetarëve aktual, por e të gjitha qeverive paraprake dhe elitave politike të pas 17 shkurtit 2008, të cilat nuk bënë asgjë për krijimin e kushteve minimale për jetë normale të popullatës në Kosovë.

Mungesa e perspektives zhvillimore, mungesa e sigurimeve shëndetësore, mungesa e një ligji të mirëfilltë të punës, përfshirë ligjin për nivelizim të pagave në sektorin publik dhe privat ka bërë që qytetarët të mos ndjejnë siguri dhe as ardhmëri në shtetin e tyre!

Si pasojë e kësaj, nga Kosova po largohen të gjitha shtresat e shoqërisë, të papunët dhe të punësuarit në sektorin privat dhe publik, po largohen të sapodiplomuarit, mjekët dhe infermierët, po largohet rinia dhe truri i kombit njëkohësisht!

Fatkeqësia nuk qëndron tek largimi individual, por tek vetëdorëzimi

Largimet individuale të popullatës në kërkim të një jete më të mirë, nuk i shoh si fatkeqësi, përkundrazi janë një mundësi për mirëqenie dhe rimëkëmbje ekonomike familjare, por fatkeqësi kombëtare e shohë largimin masiv dhe dorëzimin e popullatës përballë kusarëve politik të pasluftës dhe pas pavarësisë deri në ditët e sotme!

Në vend që popullata të mobilizohet për ndëshkimin e kësaj klase kusarësh politik, u bë suporti më i madh i tyre duke i votuar të njëjtit nga njëra palë zgjedhje në tjetrën!

Në vend që popullata t’i detyrojë politikanët e papërgjegjshëm të largohen nga skena politike me bojkot të përgjithshëm zgjedhorë (kërkesë e imja e vazhdueshme në dekadën e fundit), po e bën të kundërtën!

Në vend që të pakënaqurit e të gjitha pushteteve të mobilizohen në një organizim të ri (Alternativë të Re politike) siç unë po e kërkojë në vijimësi, e kanë zgjedhur rrugën më të lehtë, por më të dhimbshme, atë të largimit nga vendi!

Mungesa elektoratit në Kosovë, partitë politike i ka kthyer kah mërgata

Partitë politike dhe politikanët që thyen shpresat e qytetarëve me premtime boshe dhe mashtrime skandaloze, duke e parë zvogëlimin e elektorateve të tyre në Kosovë ju kanë kthyer mërgimtarëve në Diasporë, jo nga dashuria që ndjejnë për ne, por për joshjen dhe përfitimin e mbështetjes tonë me votë për të mbajtur (marrur) pushtetin, respektivisht për të siguruar vazhdimësinë e tyre në skenën politike kosovare!

I ftojë të gjithë bashkatdhetarët e rinjë e të vjetër që jetojnë në Diasporë që të mos bien pre e politikanëve mashtrues, hipokritëve dhe grupeve të interesit që e sollën Kosovën në këtë gjendje të pashpresë, por të mobilizohemi për dhënien e përgjigjes së merituar kusarëve politik me krijimin e një Alternative të Re politike, me njerëz të rinjë të papërfshirë në partitë aktuale politike.

Duhet të bashkohemi duke i lënë mënjanë të gjitha mëritë (inatet) me njëri-tjetrin, duke i lënë mënjanë interesat personale për hirë të bashkëkombësve tonë në Kosovë dhe Diasporë që s'u ndalen asnjëherë së vepruari për një Kosovë të lirë dhe sovrane, për një shtet demokratik dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.

Është momenti i fundit të ndahemi nga e keqja, nga katandisja e vlerave kombëtare dhe njerëzore. Të bashkohemi në Alternativën e Re politike, ashtu siç u bashkuam në vitet e '90-ta, për t’ia kthyer gjallërinë vendit, për ta kthyer besimin dhe shpresën tek qytetarët me ndaljen e trendit të zbrazjes së Kosovës nga banorët autokton shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat