“Me shqiptarët kështu nuk ta çet”

Opinione

“Me shqiptarët kështu nuk ta çet”

Rexhep Shahu Nga Rexhep Shahu Më 14 maj 2022 Në ora: 19:33
Në foto Skender Zogaj dhe Daut Bogujevci

Ndërsa kam në fokus historinë e kujtimet njerzore të mësuesit e drejtorit të njohur të gjimnazit të Suharekës, Rrahman Zeqiraj, dhe artikuloj me bindje se kolonat mbi të cilat qëndron kombi shqiptar, mbi të cilat qëndron Kosova, janë nënat dhe mësuesit shqiptarë, falë të cilëve nuk u shuam dhe mbijetuam si njerëz e si shoqëri shqiptare që mendon e flet shqip, duke besuar se historitë e mësuesve shqiptarë janë historitë më të bukura të frymëzimit për brezat, dhe mësuesit shqiptarë janë më meritorët pas nënave shqiptare, do ta rrëfej shkurt një fragment të vogël shkëputë nga historia krenare e mësuesit dhe drejtorit të shkollës fillore të Fushë – Kosovës, Daut Bogujevci, emrin e të cilit mban shkolla fillore në Fushë – Kosovë dhe që është shpallë Qyetar Nderi i Fushë Kosovës nga kryetari i asaj komune miku im Skender Zogaj.

Pak kush sot di e flet për mësuesin shqiptar Daut Bogujevci, të Fushë Kosovës, mësuesi shqiptar që guxoi e foli ditën që Slobodan Milosheviqi kërcenoi shqiptarët në Fushë Kosovë më 24 prill 1987. Siç pak dimë dhe pak vlerësojmë mësuesit tanë në Kosovë të cilët që pas armatës që u krijua në kohën e Kryeministrit Mustafa Kruja e ministrit të arsimit Ernest Koliqi, ata mbetën krijuesit e ndriçuesit e përditshëm të shpirtit shqiptar në Kosovë, ata u bënë drita të pashuara që ndriçuan udhën e çdo fëmijë shqiptar që ndoqi shkollën.

Ai njeri, ai mësues shqiptar, ai hero i pabujë që pak kush din për të, jetën e bëmat e tij, ai thjeshtë guxoi e foli dhe i tha njeriut më të madh të shetit jugosllav, njeriut më të fuqishëm e më të frikshëm të Jugosllavisë, se ki kujdes “me shqiptarët kështu nuk ta çet...”. Pra nuk ta çet me shqiptarët duke i fye, poshtrue e kërcënue, duke i llogaritë si qytetarë të dorës së dytë e serbët të dorës së parë...

Sllobodan Milosheviqi me 24 prill 1987 erdhi në Fushë – Kosovë. Erdhi për të kërcënuar shqiptarët dhe për të frymëzuar serbët. Për të hedhë bënzinë në zjarr, për të treguar dhëmbët para shqiptarëve dhe për ti bindë serbët sipas tij, se ku është një serb është Serbi... 

Kjo ishte ardhja e tij e parë këtu dhe fjalimi i tij i parë nga ballkoni i shtëpisë së kulturës në Fushë Kosovë. 

Ardhja e tij e dytë është ajo e 28 qershorit 1989 ardhje që ia vuri flakën Kosovës, flakë në të cilën u dogj vetë ai bashkë me Jugosllavinë.
Nga ballkoni i shtëpisë së Kulturës në Fushë Kosovë, Sllobodan Milosheviqi u tha publikisht serbëve, që të dëgjonin shqiptarët se, "Nuk do të guxojë askush tu shqetësojë, asnjë qime e flokut nuk do të guxojë t’ju mungojë, sepse nëse e kërkon nevoja do të shkojnë koka..."

Ky ishte kërcënimi më i vrazhdë që u bën direkt shqiptarëve kreu i shtetit jugosllav Sllobodan Milosheviqi në Fushë Kosovë në një miting të madh ku ishin serbë e shqiptarë. Këtë kërcënim Millosheviqi e jep nga ballkoni i Shtëpisë së Kulturës në Fushë Kosovë. Pas këtij fjalimi e kësaj deklarate, vazhdon pastaj tubimi 13 orësh në sallën e Shtëpisë së kulturës të Fushë Kosovës me serbet e Fushë Kosovës dhe serbë të tjerë nga gjithë Kosova. 

Në sallën e stërmbushur me serbë që dalldisnin në histeri si të dehur, Millosheviqin e shoqërojnë edhe anëtari i KQJ (Komitetit Qëndror të Jugosllavisë) të LKJ (Lidhjes Komuniste Jugosllave) - Kolë Shiroka, kryetari i Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste Jugosllave të Kosovës - Azem Vllasi, etj. 

Mbledhja vazhdonte mes jehonash, duatrokitjesh e dalldisë së serbëve dhe oratorët serbë në këtë tubim me rrena, mashtrime, fyerje të pafund kundër shqiptarëve, shfryjnë mllefet e porositura nga Beogradi, ndërsa udhëheqësve lokalë shqiptarë, që duan të marrin fjalën e të flasin, nuk ua japin mundësinë të flasin. 

Mësuesi Daut Bogujevci hyn në sallë me forcë, duke çarë turmën me gjoks, sepse serbët kujdestarë që shërbenin si ruajtës të rendit, ia kishin frikën dhe nuk mund ta ndalonin. Mësues Dauti depërtoi deri te foltorja ku mbaheshin fjalimet. 

Pa i përfillur serbët, hip në podium dhe e rrëmben mikrofonin. Salla hesht dhe në fillim vihet qetësi e shkurtër. Por sa e shohin mësuesin shqiptar aty, serbet fillojnë fërshëllima e thirrje zhurmuese. 

Mësues Dauti flet i qetë. Guxon e tregon se kjo orgji e shfrenim i serbëve që po ndodhte sot, nuk kishte lidhje me realitetin, me jeten e përditshme në Fushë – Kosovë. 

Nuk është e vërtetë që serbëve u behet presion nga shqiptarët. Përkundrazi, janë  serbët që po e prishin traditën e mirë të bashkëjetesës se tyre me shqiptaret, të cilët nuk duan konfrontim me askënd, e më së paku me serbët që, i konsiderojnë komshi të mirë. 

Në fund të fjalimit imponues, që edhe mes zhurmave shumëkush e dëgjoi me shumë vëmendje, Dauti i drejtohet edhe Millosheviqit, duke i thënë, kjo që po ndodhte ishte e frikshme dhe e rrezikshme. Shqiptarët nuk e duan këtë, sepse kjo është udhë e keqe dhe e gabueshme.

Askush nuk mund ta mposhtë pa të drejtë një popull që jeton në vendin e vet, pa kërcënuar të tjerët. Kjo nuk është mirë! - i drejtohet Millosheviqit, - Kështu kjo nuk sjellë asgjë të mirë, dhe është e padrejtë sepse ne nuk kemi vend tjetër... Kushdo që mendon ndryshe, unë i them e ka gabim..."

Zhurma në sallë nuk e pengoi Milosheviqin që t’i dëgjonte mirë fjalët e mësuesit shqiptar.

Millosheviqi nuk iu përgjigjet aty mësuesit shqiptar, por emrin e Daut Bogujevcit e ka theksuar në Gjykatën e Hagës ku Milosheviqi vdiq duke u gjykuar për krimet e tij ndaj shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve etj në Jugosllavi.

Në 23 marsin e 1999-tës, në Fushë Kosovë ndodhi masakrimi i 140 shqiptarëve të pafajshëm. Po atë ditë Daut Bogujevcin e zë policia serbe dhe në podrumin e një shtëpie e torturoi keq. Por, në sajë të intervenimit të një pjesëtari të komunitetit malazez, Misha Pantoviq, kundërshtar i regjimit të Millosheviqit dhe Shpresës (e bija e Dautit), arrihet nxjerrja e Dautit në gjendje shumë të rëndë nga duart e kriminelve serbe dhe, me veturën e Mishës e çojnë deri në Prishtinë ku dhe ai shpëton.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat