Pa imazhet e medias tmerret e luftës në Ukrainë vështirë se mund të kuptohen!

Opinione

Pa imazhet e medias tmerret e luftës në Ukrainë vështirë se mund të kuptohen!

Nga: Xhavit Çitaku Më: 16 maj 2022 Në ora: 12:06
Xhavit Çitaku

Në luftë, gazetaria luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe në këtë kontekst fotot dhe filmimet zënë vend të veçantë. Thënë konkretisht, pa imazhe, tmerret e luftës bëhen edhe më të vështira për t'u kuptuar. E gjithë bota me interesim të madh po e përcjellë luftën në Ukrainë dhe përmes medias njerëzimi po informohet detajisht se çfarë në të vërtetë po ndodh në atë vend, përkatësiht po e sheh me sy e po e dëgjon me vesh për gjenocidin rus ndaj popullates sö pafajshme ukrainase.

Thënë me gjuhën e fakteve, mediat , për shembull, kanë treguar fotografi të trupave të varrosur në varreza masive në Mariupol, në Ukrainën lindore. Pastaj janë zhvilluar intervista me njerëz të dëshpëruar që me dëshpërim kërkojnë të afërmit e tyre në shtëpitë e bombarduara e të rrafshuara për tokë. Janë publikuar fotografi të gruas shtatzënë e cila është marrë me barelë pas sulmit në spital. Janë par spitale të bombarduara dhe janë intervistuar gra e vajza të dhunuara nga soldateska barbare e imperialiste ruse. Të gjitha luftërat janë, gjithashtu, luftëra propagandistike. Kritika e burimit është thelbësore, jo më pak kur bëhet fjalë për imazhet.

Gazetarët, janë mësuar të shqyrtojnë e verifikojnë autenticitetin. Kush e dërgon një foto dhe për çfarë qëllimi? Çfarë mund t'ju tregojnë të dhënat, se kur dhe ku është bërë një fotografi? Atëherë është detyra e redaksisë të publikojë për të dhënë pamjen sa më të vërtetë të asaj që po ndodh. Pra, mediat tregojnë fotografi të viktimave të luftës, të cilën gjë e bëjnë me sa më shumë respekt që të jetë e mundur dhe në një kontekst që ju lejohet që shikuesit të përthithin imazhet dhe të kuptohen qartë. Për transmetimet televizive, duhet patur parasysh se ekzistojnë rregulla kur rreziku i shikimit të fëmijëve dhe të rinjve është më i madh, atëherë duhet kujdes i veçantë përballë përmbajtjeve të dhunshme.

Mediat, gjithashtu, duhet të paralajmërojnë për imazhe të dhunshme dhe të frikshme. Kur ka fotografi që janë shumë të tmerrshme për t'u publikuar, atëherë ato imazhe, sidomos, media serioze zgjedhim të mos i publikojnë, sepse nuk mund të verifikohen me siguri të mjaftueshme ose sepse janë shumë brutale ose ekstravagante. Shumë imazhe të të burgosurve të luftës nga lufta në Ukrainë po përhapen tani në rrjetet sociale. Këtu ka arsye për të kujtuar Konventën e Gjenevës. Nuk ka asnjë ndalim të qartë për fotot, por konventa thotë se të burgosurit e luftës duhet të trajtohen në mënyrë humane.

Është praktikë mes mediave të njohura që të jenë shumë të përmbajtur me imazhet e të burgosurve të luftës, pasi situata kur është bërë fotografimi është shpesh shumë traumatike. Një publikim mund të jetë i mbrojtshëm në një situatë ku ju mund të ofroni në një kontekst më të gjerë, por nuk është një lloj imazhi që duhet të shpërndahet pa shqyrtim shumë të kujdesshëm. Ka gazetarë në Ukrainë që rrezikojnë jetën për të raportuar. Ata janë sytë dhe veshët e botës së jashtme. Ka foto që janë aq të tmerrshme sa nuk mund të publikohen, të paktën jo tani. Por, për aq sa është e mundur, me ruajtjen e integritetit të viktimave, është detyra e gazetarëve të tregojmë brutalitetin e zhveshur të luftës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat