A do ta gëlltis BE-ja arrogancën politike, si dhe dubiozën e uljes në dy karrige të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq!?

Opinione

A do ta gëlltis BE-ja arrogancën politike, si dhe dubiozën e uljes në dy karrige të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq!?

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 17 maj 2022 Në ora: 14:43
Aleksander Vuçiq dhe Vladimir Putin

Nga përvoja ime politike, pasi që mbrëmë rastësisht e dëgjova një intervistë të presidentit serb, A. Vuçiqit, në televizionin “PRVA” të Beogradit, ia shtrova vetes pyetjen; a ka pasur dhe a ka qeveria e Kosovës “Grup punues” të ekspertëve-analitikë, i cili merret me analiza të gjithanshme, jo vetëm politike, të fjalimeve dhe deklaratave të politikanëve shtetëror serbë, si dhe me komunikatat dhe qëndrimet zyrtare të qeverisë së Serbisë ndaj Kosovës..!?

Me sa më kujtohet, në vitet e 80-ta, kur Kosova udhëhiqej kryesisht nga shqiptarët, ka pasur një komision të veçantë, i cili merrej me analiza të mediave të huaja, por edhe të brendshme, informatat e të cilit shpërndaheshin në mënyrë interne brenda institucioneve të Kosovës, roli i të cilit ishte mjaftë domethënës në shumë aspekte.

Prandaj, nisur nga qëndrimet e pandryshuara fashiste dhe denigruese të regjimit diktatorial të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe pavarësisë së Kosovës, nisur nga pretendimet e saj të hapura territoriale, pastaj marrja peng e veriut të Kosovës nga grupe kriminale serbe menjëherë pas mbarimit të luftës (qershor 1999) e deri më tani, ushtrimi i pandërprerë i gjuhës armiqësore, fjalorit fyes, urrejtës dhe denigrues, mos kërkim-falja ndaj shqiptarëve nga organet më të larta shtetërore të Serbisë për krimet dhe gjenocidin e bërë në Kosovë, ikja dhe refuzimi për të marrë çdo përgjegjësi për dëmet e luftës të kryera në Kosovë gjatë viteve 1989-1999, përsëritja me një zë unik dhe pa ndërprerë nga gjithë politikanët serbë, pozitë-opozitë, nga gjitha institucionet shtetërore, partitë politike, OJQ-të si dhe institutet arsimore-shkencore të Serbisë, se Kosova është “pjesë e pandashme” e saj, dhe kështu me radhë pa fije turpi, pa dyshim, e ka shtruar si të domosdoshme nevojën, qysh moti, për formimin e një Komisioni të veçantë pranë Kuvendit ose qeverisë së Kosovës, i cili në mënyrë aktive do merrej me analiza dhe sugjerime konkrete, se si organet tona zyrtare do duhej t’i kundërviheshin me sukses propagandës hegjemoniste si dhe politikës antishqiptare të Serbisë. Sidomos, karshi lobimit dhe fushatës së egër të diplomacisë serbe për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga disa vende, siç ka ndodhur në vitet e kaluara, që sipas A. Vuçiqit, edhe katër vende tjera paskan vendosur që t’i tërheqin njohjet e tyre ndaj Kosovës..!?

Mirëpo, ajo që bie posaçërisht në sy nga përgjigjet e A. Vuçiqit gjatë intervistës së djeshme,është pa dyshim, retorika e tij mashtruese, sidomos ndaj qytetarëve të tij serbë, për gjoja ruajtjen e sovranitetit politik të vendimmarrjes së tij ndaj procesit të anëtarësimit në BE, gjegjësisht ruajtjes së miqësisë dhe bashkëpunimit me Rusinë, duke refuzuar “me guxim”, siç tha, kërkesat e Perëndimit për t’i vendosur asaj sanksione ekonomike. Mbase, me bindjen e fortë, se “Serbia kurrë nuk do heq dorë nga sovraniteti territorial i saj, përfshirë Kosovën, njëjtë siç po kërkon Perëndimi nga V. Putini, që sovraniteti i Ukrainës është i pa cenueshëm..”!?

Këto qëndrime arrogante dhe dubioze të presidentit serb, A. Vuçiq, në çdo paraqitje të tij publike, flasin qartë për porosinë e tij drejtuar Perëndimit dhe, siç thotë; “Privremenih vlasti u Prištini” (pushtetit të përkohshëm në Prishtinë), se regjimi kriminal i Serbisë, për asnjë milimetër nuk ka hequr dorë nga politika e tij pushtuese dhe hegjemone ndaj Kosovës, dhe jo vetëm, duke u lavdëruar se qeveria e tij do vazhdojë të blejë armë nga Kina dhe vendet tjera, për gjoja ruajtjen e sigurisë së vendit të tij, por që në fakt e pret momentin e duhur ta sulmon ushtarakisht Kosovën për ta “rikthyer” nën okupimin e Serbisë..!?

Se, a mund të vije deri tek një skenar i tillë, pra i destabilizimit të rajonit të Ballkanit perëndimor nga ana e Serbisë në bashkëpunim të ngushtë me Rusinë, sipas shumë ekspertëve të huaj, një skenar i tillë nuk është i pamundur, sidomos nëse BE-ja do vazhdon ta përkëdhelë Serbinë, duke i gëlltitur broçkullat dhe gënjeshtrat e saj të radhës. Kjo gjë mbetet të shihet në ditët dhe muajt, e ndoshta dhe në vitin e ardhshëm..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat