Hashim Thaçi e solli Specialen në emër të popullit për t’i dënuar shokët, i bindur se vet do të shpëtonte

Opinione

Hashim Thaçi e solli Specialen në emër të popullit për t’i dënuar shokët, i bindur se vet do të shpëtonte

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 18 maj 2022 Në ora: 18:19
Ish presidenti Hashim Thaçi

Marr shkas nga dënimi i sotëm nga Gjykata Speciale ndaj z. Gucati dhe Haradinaj. Dorën në zemër më janë dhimbsur të dy, më tepër familjarët e tyre, ndonëse nuk është dashur të bëjnë publike dokumente sekrete. Çfarë mund të flasësh para një shoqërie kryesisht provinciale, një trumë lukunie e cytur nga manipulimet e ndjeshmërisë patriotike shigjetojnë akuza nga më të ndryshmet nëse e thua të vërtetën, jam ballafaquar shumë me njerëz të tillë, në mungesë të fakteve të akuzojnë me fjalë dhe epitete më banale.

Fatkeqësisht edhe të rinjtë po i edukojmë mbrapsht, liria dhe e drejta janë deri aty sa nuk prekin ligjin, para ligjit je i zhveshur nga çdo post, nga e kaluara dhe çdo gjë tjetër, kjo është qytetari. Jam i bindur se tani pikërisht ata që edhe në varreza kanë vjedhur në emër të patriotizmit keqpërdorin tri shkronjat UÇK për interes të tyre, të tillët të akuzojnë “gjak serbi” vetëm se ua demaskon fytyrën e vërtetë.

Duhet kohë që kjo shoqëri të del nga provincializmi ku është zhytur, të nxjerr në pah të vërtetën. Pas çdo lufte, kryesisht ku ndryshon epoka, siç ka ndodhur tek ne kalimi nga robëria në liri, gjithnjë ka pasur njerëz që kanë bërë veprim jo ligjore, anti misionit për të cilin kanë sakrifikuar, të tillët për veprimet e tyre kanë marrë dënimet, janë ballafaquar me përgjegjësit. Imagjinoni nëse s`do ishin dënuar njerëz të tillë, do kishin imunitet për shkak të së kaluarës, imagjinoni çfarë do të ndodhte, ato shtet kurrë s`do mund të ndërtonin demokraci dhe shtet ligjor, pikërisht se e kanë bërë të kundërtën janë aty ku janë sot.

Ne nuk mund të bëjnë ndryshe, nëse duam të jemi aty ku synojmë, në BE dhe vendet e civilizuara, të pranojmë vendimet e gjykatave, të cilat këta që po akuzohen i kanë votuar. Për më tepër, idol i tyre në politikë, ishte ai që thoshte se “kush është kundër Gjykatës Speciale është kundër Kosovës”, të cilët vartësit e tij janë munduar ta tallin. Nuk tallet drejtësia, nuk është si në Kosovë me prokurorë dhe gjykatës të korruptuar me një picë.

Tanimë, Gjykata Speciale është fakt, ata që mendojnë ta tallin jo këtë gjykatë, por drejtësinë ndërkombëtare do e pësojnë, emancipimi i shoqërisë për të respektuar drejtësinë në parim është fundamental për një shoqëri të shëndosh. Nuk mund të shkelësh me qëllim rregullat e drejtësisë dhe të mëtosh pafajësi, flas në parim, cilado gjykatë të jetë ajo, drejtësia të respektohet. Jam i bindur se ata që kanë themeluar këtë gjykatë, e të cilët janë në Hagë tanimë janë penduar, ndonëse qëllimi ishte që shokët të shkonin jo ata vet, kështu ndodh kur i bën gropën tjetrit e bie vet, s`ka dyshim se ethet u kanë hy në bark pas vendimit të sotëm të Speciales. Nasimi, në veçanti, ka bërë autogola ndaj vetës me ato konferenca e të cilat askujt nuk i kanë ndihmuar, veprimet të pamenduara mirë nuk meritojnë të mbështillen nën simbolin UÇK për të përligjur çfarëdo veprimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat