PDK-ja dhe “Qeveria në hije” me ujqit e vjetër nuk ka asfarë ardhmërie

Opinione

PDK-ja dhe “Qeveria në hije” me ujqit e vjetër nuk ka asfarë ardhmërie

Nga: Rexhep Torte Më: 19 maj 2022 Në ora: 15:35
Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, në prapavijë vazhdon t'i zabtojë mësimet e ish-kreut të SHIK-ut

Oj PDK-ja, o Memli Krasniqi, me një lule s’vjen pranvera, e vetmja risi në PDK-në e sotme je ti si kryetar i saj, dhe të tjerët janë ujq të vjetër dhe të uritur.

Me Vlora Çitakun në krye të Departamentit për politike të Jashtme ia vutë vulën dhe kapakun tenxheres së PDK-së përplot me fantazira.

O Memli Krasniqi, për çfarë kontaktesh dhe respekti të definuat me suksese po flet për Vlora Çitakun “o i lumi ti Memli Krasniqi”, kur Vlora Çitaku si ish-ambasadore e Kosovës në SHBA, e tradhtoi dhe deshi ta copëtoje rëndë Kosovën.

Vlora Çitaku në bashkëpunim me Hashim Thaçin, Edi Ramën, Baton Haxhiun, Jon Boltonin, Matheë Palemrin, Riçhard Grenenelin dhe në bashkëpunim me kriminelin Aleksandër Vuçiq, e përgatitën planin për copëtimin e Kosovës.

Ky plan ogurzi nuk u realizua vetëm falë rezistencës së fuqishme të Angela Merkel ish-Kancelares së Gjermanisë.

O Memli Krasniqi, po ta rikujtoj se Prof.Dr. Enver Bytyqi, analisti dhe studiuesi ynë i nderuar, më datë 20.10.2021, botoi në “Bota sot” opinionin e tij me titull, “Sabina Çudiq dëshmoi! Tani e ka radhën Vlora Çitaku të rrëfehet”, që zgjoi interesim të jashtëzakonshëm te lexuesit dhe analistët.

Siç shkruan prof. Dr. Enver Bytyqi, Sabina Çudiq-politikania nga Bosnja e Hercegovina ka zbuluar se çka ka ndodhur në vitet 2018-2020 për ndarjen e Kosovës.

Matheë Palmer- emisar i SHBA-ve për Ballkanin, në prill të vitit 2019, i kishte thënë Sabina Çudiqit se, “Ndarja e Kosovës ka marrë fund. Palët kanë rënë dakord. Po presim një moment të përshtatshëm për ta nënshkruar marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhe si ngjarje historike”.

Vlora Çitaku asokohe i ka thënë boshnjakes Sabina Çudiq, “pse po ndërhyn në marrëveshjen që Kosova dhe Serbia duhet ta arrijnë?”

Sabina Çudiq i përgjigjet, “sepse ndikimet për Bosnjë e Hercegovinën do të ishin të pashmangshme, madje edhe për Ballkanin.

Me Vlora Çitakun kishin lënë të takohen të nesërmen në KS të OKB-së, por që Çitaku e kish anuluar në momentin fundit.

Vlora Çitaku-ish ambasadore e Kosovës në SHBA, sipas këtyre deklaratave ka bashkëpunuar me autorët që punonin për shkëmbin territoresh, ndryshim kufijsh dhe ndarjen e Kosovës.

Sipas prof. Dr. Enver Bytyqit ky anulim ishte shkaku i bisedës një ditë më parë me Palmerin. Megjithatë opinioni publik ka nevojë për disa shpjegime më të gjera e më të sakta.

-Deri në çfarë mase ka qenë e involvuar Çitaku në projektin për ndarjen e Kosovës?

- A ishte pjesë e mekanizmit të lobimit pro serb për këtë ndarje?

-Pse ajo ishte dakord që marrëveshja Kosovë-Serbi të përfundonte me ndryshim kufijsh?

-Pse e mbështeti këtë ide?

-Çfarë roli i kishte caktuar asaj Hashim Thaçi për të realizuar tjetërsimin e territorit të Kosovës?

-Cilat janë bisedat, rekomandimet, premtimet dhe angazhimet e saj para ish-presidentit Hashim Thaçi në funksion të realizimit të idesë së Serbisë së madhe?

-Çfarë ishte parashikuar në takimin në KS të OKB-së dhe pse dështoi pjesëmarrja e përfaqësueses së Bonjë e Hercegovinës në këtë takim, nëse është bërë? Dhe

-Çfarë loje tjetër është bërë në margjinat diplomatike për të realizuar një marrëveshje me humbje territoresh me Serbinë?

Ne e kemi ditur ose parashikuar, madje edhe kemi thënë se lidhjet e Vlorës me Thaçin janë të rrezikshme për Kosovën.

Të gjitha këto pyetje dhe enigma rrjedhin natyrshëm pas kësaj dëshmie të Sabina Çudiq.

Shpjegimet i shërbejnë opinionit publik për të mësuar se me cilët politikanë ballafaqohen ata.

Me “Vlorën patriotike dhe të guximshme”, në mbledhjet e KS për Kosovën, apo me Vlorën e intrigave në prapaskenë për tjetërsimin në favor të Serbisë të territorit të Kosovës?!

Me Vlorën që në opinionin publik shqiptar ka fituar pikë pozitive, pavarësisht flirteve politike të dëmshme me Thaçin apo me Vlorën e vërtetë në shërbim të Aleksandër Vuçiq, Edi Rama dhe Hashim Thaçit”?!

O Memli Krasniqi, Vlora Çitaku tashmë më shumë se shtatë muaj nuk po përgjigjet në pyetjet që ia parashtroi prof. Dr. Enver Bytyqi.

PDK-ja pa u distancuar nga e kaluara përplot me tradhti, vëllavrasje për pushtet, përplot me hajni, korrupsion dhe me pasurim milionësh në mënyrë të jashtëligjshme, pa u distancuar nga ish krerët e saj Hashim Thaçi e Kadri Veseli që përballen me akuza të rënda në Gjykatën e Hagës, pa fije turpi, më 17 maj 2022, shpalli platformën e saj mashtruese të titulluar “Qeveria në hije”.

Memli Krasniqi- kryetari i PDK-së, më 17 maj 2022 e prezantoi para opinionit kosovar Kabinetin e ‘Qeverisja të hije”, që do të ketë 15 departamente.

Sipas tij kjo na qenka një platforme politike alternative përballë keqqeverisjes aktuale.

O Memli Krasniqi, mos shih ëndrra syçelë, sepse tërë Kosova dhe mbarë shqiptarët tashmë e dinë se, qeveria e Albin Kurtit është qeveria më e pastër e më dinjitoze që ka pasur deri sot Kosova.

Qeveria e Albin Kurtit ua ndali deri në pikë të fundit rubinetin e hajnisë, e vëllavrasjes dhe korrupsionit, dhe ju ka paralajmëruar se për tradhtitë, hajnitë, korrupsionin dhe pasurimin e jashtëligjshëm do tu nxjerr para ligjit dhe drejtësisë, ju dhe tërë keqbërësit e tjerë në Kosovë.

Memli Krasniqi, thotë se, “PDK-ja ka një trashëgimi të madhe domethënëse në projektet kombëtare të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. Ky është një rrugëtim i ri dhe tejet i rëndësishëm për vendin dhe qytetarët”.

O Memli Krasniqi, për çfarë projektesh kombëtare po mashtron dhe për çfarë shtetndërtimi po trumbeton, kur PDK-ja në 21 vitet e kaluara nuk e ngriti asnjëherë zërin për zbardhjen e fatit të mr. Ukshin Hotit dhe të 1600 personave të pagjetur që Serbia kriminale i rrëmbeu në Kosovë.

Me çfarë rrugëtimi të ri po e mashtron popullin e Kosovës, kur PDK-ja në 21 vitet e kaluara nuk e ngriti zërin ta padisë Serbinë kriminale para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet e kryera në Kosovë.

PDK-ja në 21 vitet e kaluara, nuk e ngriti zërin që kriminelët e Serbisë kriminale të dalin para ligjit e drejtësisë, për afër 15 mijë shqiptarë autoktonë të vrarë e të masakruar në Kosovë, në mesin e tyre edhe fëmijë duke pi qumësht në gjoksin e nënave.

PDK-ja në 21 vitet e kaluara, nuk e ngriti zërin që kriminelët e Serbisë kriminale të dalin para ligjit e drejtësisë, për dhunimet shtazarake që i kryen ndaj 20 mijë motrave tona të pafajshme.

Memli Krasniqi, tutje thotë se, “Në një klimë politike ku sfidat janë të forta dhe qeverisja është e dobët, kur demokracia po rrezikohet dhe e ardhmja po bëhet e pa sigurtë, kur mirëqenia e qytetarëve po lëndohet seriozisht nga një ekonomi në rënie, PDK-ja ka vendosur t’i përgjigjet me një platformë të duhur dhe më një vizion të ri politik”.

O Memli Krasniqi, si nuk po të vjen turp të thuash se Qeveria e Albin Kurtit qenka e dobët dhe e ardhmja qenka e pasigurtë, kur të gjithë e dinë se PDK-ja gjatë udhëheqjes së saj qeveritare dhe shtetërore në 21 vitet e kaluara, e shkatërroi ekonominë e Kosovës, e shkatërroi mirëqenien e qytetarëve dhe i detyroi më shumë se gjysmë milioni shqiptarë nga Kosova të marrin rrugën e mërgimit për ta siguruar bukën e gojës.

Memli Krasniqi foli edhe për “15 Departamentet dhe 5 prioritetet e “Qeverisë në Hije, për – Ekonomi Transferuese, Digjitale dhe e Gjelbër, Rend Publik dhe Siguri Qytetare, Kapital Njerëzor Konkurrues, Shëndetësi Cilësore dhe Diplomaci Aktive dhe Bashkëpunim Ndërshqiptar. Ne kërkojmë mbështetjen e qytetarëve në këtë rrugëtim të ri të PDK-së për t’ia kryer Kosovës perspektivën”.

O Memli Krasniqi, si po ke guxim të dalësh para votuesve në Kosovë dhe të flasësh për të ashtuquajturat departamente dhe prioritete të “Qeveria në Hije”, kur rendin publik dhe sigurinë publike e fundosi PDK-ja me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e të tjerët nga PDK-ja, që i kryen tërë ato vëllavrasje për pushtet, në mesin e tyre edhe vrasjen e gazetarëve, dhe vrasësit nuk u zbuluan asnjëherë.

Për çfarë rendi dhe sigurie po flet, kur tani u zbuluan tërë ato revole me shurdhues dhe tërë ato municione që i pat blerë Hashim Thaçi në Presidencë.

Për çfarë zhvillimi po flet kur, ekonominë, bujqësinë, shëndetësinë, arsimin dhe të gjitha sferat e jetës i shkatërroi PDK-ja gjatë 21 viteve në qeverisje dhe pushtet.

PDK-ja e filloi dhe e mundësoi hajninë, korrupsionin dhe pasurimin e jashtëligjshëm duke blerë një ari tokë për 3 euro.

Si u bënë Hashim Thaçi dhe familja e tij multimilionerë brenda 21 viteve, kur sipas mediave babai i Hashim Thaçit ka qenë rojtar fushe.

O Memli Krasniqi, mbi PDK-në rëndojnë afera të shumta korruptive ekonomike dhe të tradhtisë politike.

O Memli Krasniqi, për çfarë bashkëpunimi ndërshqiptar po flet, kur e din shumë mirë se si u keqpërdorën dhe u vodhën miliona euro nga klani “Rogner”, para që mërgata shqiptare i dërgoi për UÇK-në.

Për fund mjafton të përmendim dialogun Kosovë-Serbi që e udhëhoqi Hashim Thaçi në dhjetë vitet e kaluara, kur tërësisht e denigroi Kosovën viktimë dhe iu dorëzuar Serbisë kriminale agresore gjenocidale pa i vënë asnjë kusht, e që rezultoi me fusnotën, me asociacionin për themelimin e komunave me shumicë serbe, me dhurimin Malit të Zi, 8 mijë e 200 hektarë bjeshkë të Kosovës, dhe me përgatitjen e planit për copëtimin e Kosovës në favor të Serbisë kriminale.

PDK-ja pa u distancuar nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Vlora Çutaku, Enver Hoxhaj dhe të tjerë keqbërës si këta, as mos ëndërrojë dhe as mos fantazojë se mund të rikthehet ta udhëheqin Kosovën.

Kësi ish udhëheqësish të dëmshëm dhe keqbërës nuk i vyejnë as djallit, e lëre më Kosovës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat