Pse i mëshohet samarit dhe jo gomarit

Opinione

Pse i mëshohet samarit dhe jo gomarit

Nga: Jasir Jashari Më: 22 maj 2022 Në ora: 13:15
Jasir Jashari

Disa struktura opozitare ia kanë mësyer ta bllokojnë Kuvendin e RMV-së me qëllim që të shkaktojnë krizë parlamentare dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohëshme. Në qafë i janë hedhur kryeparlamentarit, z. Talat Xhafer.

Këto ditë, që kur opozita e vendit u bind se e ka të vështirë t'i grumbullojë votat për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohëshme, në shënjestrën e pikados po mundohen ta mbajnë kryeparlamentarin, z. Talat Xhaferin. Me sabotazhe e shantazhe është përpjekje shumë e kotë për ta nënshtruar Talat Xhaferin.

Së fundmi kryeparlamentari po sulmohet për një pritje në parlament të një "delegacioni çeçen", të cilët në Maqedoninë e Veriut qëndruan si udhëheqës të një "asociacioni evropian mysliman" me seli në Bruksel. Delegacioni çeçen drejtohej nga Abdul-Wahed Niyazov, një kukull e Kremlinit në Qendrën Kulturore Islame, një ish-deputet i Dumës dhe themelues i Shoqatës Myslimane në Mbështetje të Presidentit Putin.

Në fakt, ky delegacion ishte mysafir i të vetëquajturit "reis" i BFI-së, Shaqir Fetait. Tani, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, duke pasur respekt parezervë ndaj këtij farë "reisi", duke i besuar si "kryefetar" por edhe si bashkëvendas, duke dashur që ta demonstrojë fuqishëm respektin e Kuvendit ndaj Institucionit Fetar, pa kurrëfarë rezerve do ta pranojë propozimin manipulativ të Shaqir Fetait për t'i pranuar mysafirët e të "parit" të fesë. Kështu do të vepronte çdo shqiptar e mysliman që ka respekt ndaj institucionit BFI. Talat Xhaferi në asnjë moment nuk do të besonte se do të manipulohet nga Shaqir Fetai; Talat Xhaferi, duke mos u marrur me komplekset e Shaqir Fetait, duke mos u marrur me fobinë nga frika e thellësisë së njollës kombëtare e fetare të cilën mundohet ta mbushë me sa më shumë persona që do t'ia dalë t'i manipulojë, do t'ia pranojë edhe mysafirët rusë me të cilët koketonte Shaqir Fetai.

Nuk është e vërtetë se Talat Xhaferi e ka pasur këtë takim të fshehte. E ka publikuar, madje edhe publikisht ka reaguar nëpër portale shqiptare rreth asaj se si erdhi deri te ky takim.

Nëse në Maqedoninë e Veriut hy një "delegacion armiqësor" duke i kaluar të gjitha filtrat e institucioneve shtetërore, nëse atë delegacion e pret edhe një Institucion me relevancë të madhe në shtet, atëherë ku është problemi në takimin e Talat Xhaferit që paska pasur me këtë delegacion?! Institucionet më të larta të shtetit nuk mbrohen duke i goditur të njëjtit, por duke i goditur sabotuesit dhe manipulatorët që kanë detyrë për t'i devalvuar këta institucione shtetërore.

Të goditet Talat Xhaferi ndërsa të amnistohet Shaqir Fetai, është njëjtë sikur të hidhërohesh në gomarin e ta godasësh samarin!

Fundja, përcaktimet, orientimet personale e shtetërore, i dëshmoi Talat Xhaferi me vizitën që ia bëri Volodomir Zelenskit në mes të Ukrainës, nën breshërinë e arsenalit rus. Aty Xhaferi i tha kryetarit ukrainas se bashkëndjenë me çdo ukrainas dhembjen dhe trishtimin e këtyre çasteve, të cilët shqiptarët dhe vetë ai i përjetuan në konfliktin shqiptaro-maqedonas më vitin 2001. Xhaferi i shprehu edhe përkrahjet e të gjithë shqiptarëve (por jo të manipulantëve) për popullin ukrainas. Prandaj janë shumë të kota goditjet që mundohen t'ia japin Talat Xhaferit që paska pritur në Parlament një "deoegacion çeçen", siç ishte e kotë edhe sabotazhi i orkestruar i Shaqir Fetait për ta diskredituar Talat Xhaferin, për momentin krahun e djathtë të liderit shqiptar, Ali Ahmetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat