Shkatërruesit e Shtetit të Kosovës!...

Opinione

Shkatërruesit e Shtetit të Kosovës!...

Nga: Ismail Muҫiqi Më: 22 maj 2022 Në ora: 14:16
Ismail Muҫiqi

Fatkeqësia më e madhe që i ka ndodh Kosovës që nga çlirimi është sindromi më i keq patologjik i njerëzve pa dinjitet të cilët janë quar në këmbë “kinse” në emër të organizmit sindikal, “kinse” për ti mbrojtur interesat e punëtoreve, të cilët po punojnë në shkatërrimin e bërthamës së Shtetit. Janë ngritë në këmbë grupet e ndryshme të interesit të lidhura me qendrat dhe shërbimet e partive politike për ti shantazhuar institucionet e shtetit. Kërcënimet për greva dhe protesta tani më janë bërë rutinë e ekspoziturave të ashtuquajtura sindikata të arsimit në emër të cilave po flet Rrahman Jashari me grupin e tij të korruptuar.

Fatkeqësia më e madhe që mund ti ndodh një vendi është ajo kur në politikën e sistemit të arsimit e fusin dorën dhe hundën individët të cilët më së paku kanë të drejtën morale, njerëzore dhe profesionale për të folur në emër të arsimit dhe edukimit të një shteti si është Republika e Kosovës. Rrahman Jashari me grupin e vet i kanë futur duart thellë në politikë duke manipuluar me fatin dhe ndjenjat e gjeneratës së re përkatësisht të nxënësve në të gjitha nivelet e shkollimit në Kosovë. Politizimi në sistemin e arsimit ka vite që ka depërtuar thellë në të gjitha instancat. Partitë politike nëpërmjet të grupeve të interesit si rodi i Rrahman Jasharit kanë vepruar në mënyrë permanente kundër sistemit arsimor në Kosovë. Këta janë përgjegjësit kryesor për gjendjen e mjerueshme në shkollat tona.

Si mund të kuptohet dhe arsyetohet pasiviteti dhe indiferenca e pjesës intelektuale të kuadrave të arsimit dhe edukimit, të këshillave të prindërve të nxënësve nëpër shkollat tona të cilët po heshtin kinse nuk po ndodh asgjë. E vërteta për suksesin e nxënësve në shkollat e Republikës së Kosovës është e dhimbshme këtë e ka vërtetuar edhe programi për vlerësimin [PISA]. Këtë gjendje të arsimit dhe edukimit në Kosovë ja sollën grupet klanore sindikaliste të Rrahman Jasharit dhe bashkëmendimtareve të tij. Nuk ka fatkeqësi më të madhe për Kosovën kur Rrahman Jashari është në gjendje të ndërpre procesin mësimor, dhe të organizoj protesta dhe greva sa here që atij i teket apo i preferohet nga politika.

Asnjëherë Rrahman Jashari me shokët nuk u angazhua apo nuk u mërzitë fare për humbjen e orëve të mësimit, për mosrealizimin e plan programeve nëpër shkolla për shkak të ndërprerjes së mësimit dhe humbjeve të dhjetëra mija orëve dhe ditëve të punës. Nuk ka dyshim se këto tendenca kanë ngjyrë politike jashtë sistemit arsimor. Kështu me vite të tëra sistemi i arsimit u anashkalua nga politika dhe u keqpërdor nga grupet e interesit duke instaluar njerëz të preferuar të cilët përmes formave më të ndryshme shkel e shko si mision kishin krijimin e mundësive për të arritur deri te diploma e fakultetit. Koha po tregon se shoqëria Kosovare është në krizë të thellë morale dhe se dinjiteti i klasës intelektuale është degraduar skajshmërisht.

Në një Shtet ku sundon ligji dhe rendi Kushtetues veprimet e Rrahman Jasharit dhe të bashkëpunëtoreve të tij të cilët po organizojnë sabotimin e punës nëpër shkollat tona, i njëjti nuk duhet të shpëtonte nga llogaridhënia para qytetareve, para nxënësve dhe prindërve, dhe para ligjit. Këta janë shkatërruesit e Shtetit të Kosovës dhe të ardhmes të gjeneratës se re .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat