Bota në rrezik!

Opinione

Bota në rrezik!

Nga: Mersel Bilalli Më: 23 maj 2022 Në ora: 13:28
Autori Mersel Bilalli

Parag Khanna, një strateg gjeopolitik i njohur, autor i librit “The Future Is Asian” (Azia është ardhmëria), pohon se ne jemi dëshmitarë të ndryshimeve tektonike në fuqinë globale. Bota u atakua nga dy “lufta” të reja botërore - Kovidi dhe Ukraina. Bota parashihet të niset drejt një lufte të re të ftohtë ose të nxehtë që do përfshinte Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën, me një arkitekturë të re në sigurinë botërore, madje edhe sikur Putini të eliminohet nga froni.

Teoria e kaosit, "efekti i fluturës" simbolizon se si një ndryshim i vogël në një vend të mund të ketë pasoja globale. Murtaja e shekullit të 14-të që shkaktoi qindra miliona vdekje në gjithë Euroazinë, shkatërroi perandorinë më të madhe të njohur ndonjëherë – Perandoria Mongole. Kjo shkaktoi zhvillim revolucionar teknologjik në Evropë, i cili nxiti kërkimet detare që çuan në kolonializmin evropian. Traktati i Versajës dhe kriza e madhe krijuan Hitlerin. Lufta e Dytë Botërore krijoi OKB-në me shumë mekanizma funksionale. Në botën e sotme të lidhur nga rrjete të dendura globale, ne mund të parashikojmë shume lloje "efekte fluturash" të rrezikshme.

Shumë ekspertë botëror tashmë po kuptojnë mundësinë e shpërbërjes së rendit ekzisues botëror pas Kovidit dhe Ukrainës. Ekonomitë perëndimore dhe evropiane nga lufta në Ukrainë mund ta përjetojnë fatin e një udhëtari të humbur në shkretëtirë. Në fillim, halucinacionet i bëjnë se gjithçka do jetë lehtë, se uji, hija dhe një oazë janë afër, por realiteti shpejt përgënjeshtron. Tani u pa se Kovidi që vazhdon të zgjas, por i ngarkuar me Ukrainën, janë shenja serioze se bota më nuk do të jetë si para 2019.

Zinxhirët e furnizimit dhe tregjet e vendeve të zhvilluara janë më të lidhur nga sa mendojmë ne. Kurse tregjet në vendet në zhvillim janë kritike nga të dyja anët, edhe si furnizues edhe si tregje potenciale. Dobësimi i tyre bashkërisht dobëson të gjithë ekonominë botërore. Pentagoni dhe NATO, sërish përsëritën se ata besojnë se Ukraina do të ketë vite të tëra lufte dhe se SHBA dhe aleatët e saj do të duhet të jenë gati për të kundërshtuar në mënyrë afatgjatë agresionin rus. Konstatime të tilla erdhën edhe nga qarqet e inteligjencës. “Ne do të përfshihemi në këtë konflikt për një kohë të gjatë, dhe për ne kjo do të jetë një luftë shkatërruese” - tha Steve Hall, ish-kreu i operacioneve të CIA-s për Rusinë.

Lufta e gjatë do të jetë gjithashtu një sprovë e vështirë e unitetit të NATO-s. Fakti që 63 anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, kryesisht mbështetës të Tramp-it, votuan kundër rezolutës që mbështet NATO-n, tashmë ngre frikën se çfarë do të thoshte kthimi i ish-presidentit në Shtëpinë e Bardhë për NATO-n dhe unitetin e aleancës. Rezoluta po mbështet NATO-n dhe i bën thirrje Bajdenit të "forcojë angazhimin e organizatës" për "mbrojtjen e demokracisë" në Evropë.

Pasoja të paparashikuara!

Sot bota po përballet me shqetësime më të rrezikshme se kurrë më parë. Sekretarja amerikane e financave, Janet Yellen, paralajmëroi për "pasojat e mëdha" që do të ketë lufta në Ukrainë në furnizimet globale të ushqimit dhe energjisë, të cilat nga ana e tyre do të krijojnë një zinxhir pasojash politike në botën perëndimore. Çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve në botë, të cilat tashmë janë rritur në inflacion të lartë, mund të kenë implikime të thella politike, duke përfshirë edhe fatin e demokracisë në vet SHBA-të, e cila do mund të shihet në zgjedhjet e ardhshme afatmesme dhe presidenciale në SHBA.

Pasojat ekonomike globale kanë filluar të minojnë ekonomitë e mëparshme. Drejtori i një ndër kompanive më të madha në botë “Blackrock” - Larry Fink, i cili menaxhon portofolin më të madh të aseteve në botë prej 10 trilionë dollarësh, parashikon ndërprerjen e lidhjeve ekonomike që lidhin botën. Pandemia ndërpreu zinxhirët e furnizimit global, duke shkaktuar rritjen e inflacionit. Tani, sanksionet e ashpra ndaj ekonomisë ruse nuk ndëshkojnë vetëm Putinin, por ato provokojnë një reagim negativ edhe në vendet që i kanë aplikuar ato.

Çmimet e energjisë dukshëm janë rritur pasi Rusia tani është e përjashtuar nga pjesa më e madhe e tregut botëror të naftës. Bajden arsyeton "rritjen e çmimeve nga Putini" në një përpjekje për të relativizuar pakënaqësinë midis votuesve që tashmë ishin llastuar me afrimin e zgjedhjeve të brendshme të nëntorit. Presidenca e tij - e lindur nga një krizë pandemike - tani po ndeshet edhe me një sfidë të madhe - Moskën.

Jo, pa arsye ministrja britanike e Punëve të Jashtme, Liz Trass, bëri thirrje për një rishikim të pozicionit të sigurisë perëndimore. “Epoka e bashkëpunimit me Rusinë ka përfunduar – tha ajo. “Ne kemi nevojë për qasje të re ndaj sigurisë në Evropë, bazuar në forcën, mbrojtjen dhe parandalimin”, tha ajo në Bruksel. Nëse lufta vazhdon, atëherë viti 2023 do të jetë një vit i krizës së madhe, parashikojnë analistët e Pentagonit. Ajo që po flitet tani për ndalimin e konfliktit në Ukrainë, do i gjason një “konflikti të ngrirë”, sikur ai i Bosnjës pas Dejtonit. Atëherë, edhe pas vitit 2023, çmimet botërore të naftës do të mbeten mbi njëqind dollarë për fuçi, ndërsa Evropa do të luftonte për të hequr qafe energjinë ruse duke rrit përpjekjet për burimet e rinovueshme të energjisë, duke përfshirë edhe ato bërthamore.

Dimri 2022/23. mund të detyrojë vendet e UE-së të fillojnë të adaptojnë furnizimet me energji, e cila domosdo nënkupton recesion. Çmimet e larta të naftës edhe tani vazhdojnë të zemërojnë amerikanët. Kjo është arsyeja pse Partia Demokratike rrezikon të humbasë kontrollin si mbi Senatin ashtu edhe mbi Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit të këtij viti. Andaj, pala amerikane duket se ka shumë të ngjarë të pajtohet me atë që palët ndërluftuese ta ngrinë konfliktin pa fund, ndërsa për dallim nga kjo, liderët evropianë të përpiqen t'i japin fund recesionit ekonomik duke i ofruar Rusisë heqjen e sanksioneve për tërheqjen nga Ukraina.

Kurse nga ana tjetër është e mundshme që SHBA të mos heqin embargon, por duke dashur rënien e çmimeve të naftës për ciklin e zgjedhjeve presidenciale që fillon në mesin e vitit 2023, ajo mund t'u drejtohet vendeve aleate evropianë, për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, duke rikthyer përdorimin e energjisë ruse.

Supozohet se negociatat e paqes të udhëhequra nga Franca, Gjermania, Turqia dhe Izraeli do të zgjasin shumë. Moska kërkon garanci se NATO do të ndalojë ofrimin e armëve për forcat ukrainase dhe do të tërheqë premtimin e saj të vitit 2008 për të pranuar Ukrainën dhe Gjeorgjinë në Aleancë. Por, Shtetet e Bashkuara nuk do të dorëzohen, megjithëse Zelenski thotë se ëndrra e Ukrainës për anëtarësim në NATO nuk është më e realizueshme. Vlerësohet se presidenti ukrainas do të pranojë neutralitetin për sa kohë që pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (SHBA, Rusia, Kina, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca), plus Gjermania dhe Turqia, do jenë garantues të sigurisë së Ukrainës. Por, Zelenski, asesi nuk është i gatshëm të njohë pavarësinë e rajoneve të shkëputura të vendit të tij, Donetsk dhe Luhansk. Andaj këto negociata ka të ngjarë të ngecin në këto pika. Atëherë Uashingtoni do të dyfishonte furnizimet për forcat ukrainase, ndërsa Franca dhe Gjermania akoma do shpresojnë të arrijnë një marrëveshje me Moskën. Presidenti francez Emanuel Makron dhe kancelari gjerman Olaf Sholc po propozojnë një konferencë më të gjerë paqeje që do të përshpejtonte bisedimet për kontrollin e armëve midis NATO-s dhe Rusisë. Synimi i tyre është të shmangin një Luftë të re të Ftohtë në Evropë, e cila do e sfidonte mbarë Evropën .

Megjithatë, Uashingtoni e kundërshton idenë e konferencës, sepse shumë elita të politikës së jashtme amerikane besojnë se Putini nuk ka paguar mjaftueshëm për pushtimin e tij të pajustifikuar të Ukrainës. Anëtarët kryesorë të Kongresit (madje nga të dyja partitë) po i kërkojnë presidentit që të mos t’i heqë as sanksionet më të buta financiare ndaj Rusisë - një veprim që Makron dhe Sholc besojnë se është i nevojshëm për të arritur paqën.

Globalizmi në krizë

Si pasojë e krizës, rritja ekonomike e UE-së, pas recesionit 2022/23, pritet të jetë më pak se një për qind në nivel vjetor, ndërsa SHBA-të rreth dy për qind, kurse Kina po bie nën pesë për qind. Pra, rritja globale do bie nën katër për qind, shenjë serioze se bota do ngecë në një periudhë të zgjatur. Tani trazirat po përshkallëzohen në pjesë të Afrikës dhe Lindjes së Mesme që janë të varur nga eksportet e grurit ukrainas.

Nga ana tjetër, Moska dhe Pekini, po thellojnë bashkëpunimin e tyre ekonomik e politik. Kina po zgjeron sistemin e saj të pagesave ndërbankare për të lejuar dy fuqitë fqinje të anashkalojnë sistemin e pagesave ndërkombëtare SWIFT. Rusia dhe Kina po vendosin më shumë tregti në juan-in digjital, duke reduktuar nevojën për dollarë. Kina po pastron gjithashtu rezervat e arit të Rusisë, që besohet të jetë me vlerë rreth 100 miliardë dollarë, duke i kthyer ato në juanë që Rusia mund t'i përdorë për të blerë mallra kineze. Presidenti kinez Xi Jinping tani sheh përfitime nga Lufta e Ftohtë me Shtetet e Bashkuara.

Por, edhe këtu s’ka miqësi të përhershme. Po qe se Rusia dobësohet dukshëm, ndoshta hapen edhe apetitet e Kinës për Siberinë e pabanuar si territor “i shenjtë kinez” i Kinës së tejbanuar, që ndoshta do e kishte edhe “aminin” e vet SHBA-së.

Tani në lojë po shfaqet edhe një bllok joformal i kombeve të paangazhuara që përfshin Indinë, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Vietnamin, Turqinë dhe Brazilin. Shumica e këtyre vendeve kanë mbajtur marrëdhënie të mira me Rusinë pavarësisht presionit perëndimor për të izoluar Moskën. Të varur nga tregtia me Kinën, ata gjithashtu duan marrëdhënie të mira edhe me Pekinin. Bashkëpunimi ndërkombëtar nga shumë kriza, siç janë - luftërat, ndryshimet klimatike, sfidat e përbashkëta ekonomike, standardet globale të teknologjisë – ka bë që edhe ndihmat zhvillimore për vendet më të varfra, të bëhet më të vështira. Interneti po shpërbëhet më tej, sepse rivaliteti në rritje midis SHBA-së dhe Kinës po i shtyn ata të përpiqen të tërheqin sa më shumë vende në anën e tyre në çështjet digjitale. E gjithë kjo emrin e ka - deglobalizim.

Strukturat multinacionele në botë po dështojnë. Nga Kombet e Bashkuara, Organizata Botërore e Tregtisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe rendi botëror siç e njohim ne po shpërbëhet. Do të ishte një parashikim jashtëzakonisht optimist për të shpresuar se fuqitë e mëdha do të avancojnë institucionet shumëpalëshe në mënyrë që ato të përballen më lehtë me goditjet e ardhshme. Megjithëse FMN-ja ka rifituar përkohësisht rëndësinë e tij, mbikëqyrja e kujdesshme makroekonomike do të humbasë këtë optimizëm. Banka Botërore tani më është në mënyrë të pajustifikueshme e ngadaltë dhe me mungesë burimesh.

Mbeten vetë dy rrugë të mundshme: krijimi i një rendi të ri botëror me mekanizma funksionale tjetërfare, ose zhytja e mëtejshme në një apokalips të rrezikshëm global. Kjo është arsyeja pse një Dejtoni i ri tani duket si shpëtim.

Nëkëso rrethanash, problemet rajonale dukshëm do jenë të margjinalizuara, pasi as që dihet çka do ndodhë nesër. UE do ndeshet me përçarje të mëdha. Shtetet rajonale do mbeten pa busullë. Kosova i humbi shumë vite në sigurinë që ndjente si “e përkëdhelur” e SHBA, por tani asgjë nuk është e përhershme. Fati është se edhe Serbia ka humbur partnerët e shpirtit. Por, te të gjitha mbetet frika nga ajo se në këso rrethanash s’kanë shumë shpresa nga partnerët strategjik, të cilët edhe vet zjarrin e kanë në shtëpi të veten.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat