Urra, gjyshi Berisha pas nëntë vitesh e mori PD!

Opinione

Urra, gjyshi Berisha pas nëntë vitesh e mori PD!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 23 maj 2022 Në ora: 21:40
Sherif Ramabaja

Ishte rrugëtim i mundimshëm për gjyshin. Edhe pse i pensionuar dikush duhej ta merrte barrën, për shpëtimin e atdheut.

Revolucioni, sulmi dhe pushtimi i furishëm i kështjellës së PD, pastaj rithemelim, zgjedhje, rizgjedhje, dhe në fund sensacioni: fitorja e pastër si loti. Ky sensacion ndodh ndoshta njëherë në njëqind vite, po ja që ndodhi, dhe ku? pikërisht në vendin e shqiponjave, në Arbërinë tonë.

Ata demokratë që e kundërshtonin „ non- grata” ishin kundër, ishin kundër mazhoranca, SHBA, EU nuk bëzante, po llogaritej se edhe ata ishin kundër, por kryesorja zgjedhësit ishin të emocionuar, kishin rënë në ekstazë sikur në  ndeshjet e futbollit. Nuk pyetën gjatë, e zgjodhën idolin e tyre i cili më 1997 kishte ” refuzuar dhe përmbysur Fondet Piramidale “, duke e shpëtuar Shqipërinë nga shpërbërja.

E kishte organizuar rrëzimin e bustit të diktatorit Hoxha edhe pse si mjek i tij, gjithçka kishte bërë që ta mbante në jetë.

 Çka është kryesorja e kishte mohuar që gjatë luftës së Kosovës, e kishte furnizuar me naftë diktatorin dhe kasapin Miloseviç.

Në moshë të shtyrë i dorëzoi të gjitha, por kur e vërejti se Lul zeza ku e solli PD, gjyshi Berisha iu përvesh Revolucionit të Tetorit, që partisë së tij t´ia kthej namin.

Para se ta filloi betejën përfundimtare për t´ia rrëmbyer pushtetin Edvin Kristaqit, ka vendosur për një ndërhyrje drastike, siç e quajti ai.

Fjala është për një ndërhyrje kirurgjike, po kirurgjike. Gjyshi Berisha ka reshershuar, por ende nuk ka vendosur, ndërhyrjen ta bëjë në Turqi apo në Korenë Jugore. Ende është duke i hulumtuar katalogët, se ku do të kishte suksesi më të madh.

Në Seul, kryeqytetin e Koresë Jugore, llogaritet se ndërhyrje të tillë bëjnë çdo i pesti mashkull, kurse femrat me siguri e bëjnë edhe më shumë.

Që të mos e zgjasim, ndërhyrja është e thjeshtë dhe ka të bëjë me kirurgji estetike. Zakonisht femrat një ndërhyrje të tillë e bëjnë në pjesët intime, buzë, hundë, gjoks apo prapanicë, siç vepron ikona e ndërhyrjeve të tilla zonja Kardashian. ( U kërkoj ndjesë femrave, po këto janë statistika).

Gjyshi Berisha nuk e ka hallin te asnjë këto probleme sepse, si malësor i Tropojës është i gjatë, i thatë, i bukur, seksi, trim, sy shqiponje, memorien kompjuter e IFON, por te ai është në pyetje diçka tjetër, mosha apo ndryshe pleqëria.

 Që të duket vital organizata e kolegëve të tij, mjekët, i kanë preferuar të merret me sport, sidomos me Jogging, vrapim të përditshëm, shëtitje nëpër mal, Joga, karate, boks etj. ngase me ushqime ka kujdes.

Nëse vrapimi gjyshit i duket i vështirë, i duhet të filloi me diçka që është e përballueshme, psh. me Bodybuilding.

Po u tregua i suksesshëm me sport, ndërhyrja estetike pritet ta bëjë 20 vite më të ri. E kishte menduar alternativën e botoxit, po ajo duhet përsëritur çdo 3 muaj, prandaj gjyshi kishte vendosur për ndërhyrje estetike, sepse kjo është më efikase dhe ka garantimi është i gjatë .

Një fshatar nga Tropoja kur kish dëgjuar për hallin e shpëtimtarit të kombit kishte qarë dhe i kish propozuar që të hiqte dorë nga mjekësia, por të nisej pa humbur kohë drejt Tropojës.

 Unë do ia fali gjysmën e bagëtisë sime, duke filluar nga delet, dhitë, macet, derrat, pulat, kuajtë, gomarët etj. Mjafton që disa muaj të kujdeset për to dhe t´i kullos nëpër fusha. Ky është sporti më i mirë për te, që do i sjellin rekreacion, sukses dhe ide për të qeverisur

Nëse ka fat që mos ta rrëmbej vdekja, do të duket krejtësisht i rinovuar dhe Shqipëria do të jetë me fat, që do të bëhet me udhëheqësin e përjetshëm.

Edhe zoti Meta mezi pret që t´i bashkohet koalicionit të tij, që Edvin Kristaqin një herë e përgjithmonë ta shporrin nga politika.

Mars – Rover ( Shkrim me përmbajtje satirike )

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat