Privilegjet dhe Imunitetet Diplomatike sipas Konventës së Vjenës

Opinione

Privilegjet dhe Imunitetet Diplomatike sipas Konventës së Vjenës

Nga: Adea Hasi Më: 23 maj 2022 Në ora: 22:41
Foto ilustrim

Kur flitet për termat kryesorë diplomatikë, dy terma të pandashëm janë edhe privilegjet dhe imunitetet diplomatike. Përmes privilegjeve dhe imuniteteve diplomatike, përfaqësuesëve u mundesohet kryerja më e lehtë, më e suksesshme dhe pa pengesa e funksioneve të tyre diplomatike.

Duhet theksuar se këto dy elemente i takojnë shtetit, dhe shteti pastaj i bart apo delegon këto tek përfaqësuesit e tij. Pra, në asnjë moment privilegjet dhe imunitetet nuk duhet të konsiderohen si përparësi të dhëna ndaj individëve të caktuar sepse nuk janë të drejta personale por janë thjeshtë një lloj “garancioni” që shteti u jep përfaqësuesëve të tij në shtetin tjetër, që nuk do pengohen në kryerjen e misionit në të cilin janë dërguar.

Baza e imuniteteve dhe privilegjeve diplomatike është paprekshmëria, si e përfaqësuesit diplomatik ashtu edhe e hapësirave diplomatike. Sipas Konventës së Vjenës mbi Marëdhëniet Diplomatike, përfaqësuesi diplomatik gëzon paprekshmëri personale. Kjo nënkupton se ai person eshtë imun ndaj gjitha organeve të pushtetit në shtetin mikpritës. Pra, ai person as nuk mund të burgoset e as të paraburgoset, madje as të shoqërohet në polici (vetëm në rast se ai vullnetarisht pranon të paraqitet në stacion policor nëse është dëshmitar në ndonjë ngjarje). Pra, shteti mikpritës nuk ka juridiksion mbi përfaqësuesin diplomatik të shtetit tjetër.

Mirëpo, nëse përfaqësuesi diplomatik ka kryer një krim apo një vepër të rëndë penale, atëherë shteti mikpritës mund ta shpallë persona non grata dhe të kërkojë largimin e menjëhershëm të tij. Largimi i tij nuk nënkupton mosndëshkim, sepse mund të kërkohet që ai të dënohet për krimin që ka kryer me ligjet e shtetit të tij, pasi të kthehet në shtetin që e ka dërguar.

Ekzistojnë edhe rastet e reagimit të shtetit mikpritës kundër përfaqësuesit diplomatik, që bëhen me qëllim të vetëmbrojtjes dhe ruajtjes së rendit publik. Për shembull, nëse përfaqësuesi diplomatik kapet duke vozitur makinën në gjendje të dehur (praktika diplomatike njeh shumë raste të tilla) apo në anën e kundërt të lëvizjes së komunikacionit.

Shtetit mikpritës i takon të marrë gjitha masat e nevojshme për sigurinë fizike të përfaqësuesit diplomatik. Duhet që shteti mikpritës të kujdeset që të evitohen sulmet e mundshme apo të planifikuara kundrejt përfaqësuesit diplomatik, dhe kjo është e shënuar qartësisht edhe në Konventën e Vjenës. Mirëpo, praktika diplomatike shpesh del edhe nga suazat e shkrimeve të Konventës pasi ndodhin edhe ngjarje që nuk janë parashikuar. Për shembull, me 1970 ka ndodhur grabitja e ambasadorit gjerman në Guatemalë, ku rrembyesit kanë kërkuar një shumë të lartë monetare në këmbim të lirimit të tij. Qeveria e Guatemalës nuk e ka paguar shumën e kërkuar. Ka pasur shumë polemika në lidhje me interpretimin e këtij veprimi sepse disa e kanë konsideruar si obligim kryerjen e pagesës dhe shkelje të Konventës së Vjenës, ndërsa pjesa tjetër nuk e kanë fajësuar qeverinë për mospagesë pasi që Konventa e Vjenës nuk potencon raste të tilla, respektivisht nuk është shkelur asnjë nen i shkruar.

Përfaqësuesit diplomatikë në shtetin mikpritës janë të liruar nga pagimi i tatimeve dhe taksave shtetërore, komunale dhe rajonale. Nëse përfaqësuesi ka pasuri dhe trashëgimi në shtetin mikprites që janë personale të tij, atëherë tatimi dhe taksat që burojnë nga to, duhet të paguhen në mënyrë të rregullt si gjithë qytetarët e tjerë të shtetit.

Poashtu, përfaqësuesit diplomatikë janë të liruar nga kontrolli i bagazhit personal. Ky realisht është një privilegj që shumë lehtë mund të keqpërdoret, dhe gjatë praktikës diplomatike ndër vite edhe ka ndodhur të keqpërdoret në mënyra të ndryshme.

Kanë ekzistuar raste ku janë transportuar produkte të cilat janë të ndaluara me ligj ose produkte për të cilat vlejnë dispozitat e karantinës në shtetin mikpritës. Edhe dërgesat diplomatike të cilat janë të destinuara nga shteti dërgues për përfaqësuesin e tyre në shtetin mikpritës, nuk ndalohen dhe nuk hapen sipas rregullave të Konventës. Dërgeses diplomatike i takon shkalla e lartë e mbrojtjes prandaj ajo duhet të mbërrijë e paprekur tek marrësi. Konventa nuk e ndalon kontrollimin e dërgeses me aparate të posaçme për zbulimin e prezencës së ndonjë ekspozivi, drogës apo metaleve të ndryshme. Nëse ka ndonjë dyshim për të tilla elemente, atëherë ajo prapë nuk hapet por thjeshtë refuzohet transportimi i dërgeses nga pushteti i aviacionit.

Sipas Konventës së Vjenës, paprekshmëri gëzon edhe hapësira diplomatike përkatësisht objekti ku gjendet misioni diplomatik, arkivi dhe gjitha dokumentet brenda objektit dhe banesa ku qëndron i akomoduar përfaqësuesi diplomatik.

Konventa e Vjenës potencon shumë qartë se organet e shtetit mikpritës nuk mund të hyjnë në asnjë rast në hapësirat e misionit diplomatik të shtetit dërgues, përpos nëse e kanë lejen e udheheqësit të misionit, respektivisht një autorizim ekzekutiv për hyrje.

Konventa e obligon shtetin mikpritës që të ndërmarrë të gjitha masat e duhura për mbrojtjen dhe ruajtjen e objektit diplomatik nga prishja e qetësisë, hyrja e dhunshme ose ofendimet ndaj dinjitetit të misionit. Kur misioni tërhiqet nga ai objekt i ashtuquajtur seli diplomatike, atëherë edhe ajo hapësirë e humb karakterin diplomatik dhe paprekshmërinë.

Pra, imunitetet dhe privilegjet e dhëna në kuadër të karakterit diplomatik, nuk janë favorizime por thjeshtë janë ndihmesa që janë paraparë të lehtësojnë punën e misionit diplomatik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat