Tridhjetë vite nga 24 maji 1992

Opinione

Tridhjetë vite nga 24 maji 1992

Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi Më: 24 maj 2022 Në ora: 16:44
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Nga data 26-30 shtator 1991 Kosova zhvilloi referendumin për pavarësi. Ky referendum ishte pika e mesit për vendin. Para tij ishte shpall Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990) si dhe ishte miratuar Kushtetuta e Kaçanikut më 7 shtator 1990. Por akoma më e rëndësishme do të ishte ajo çfarë erdhi pas referendumit. Vullnetin për statusin e Republikës e shprehen 87 për qind e zgjedhësve dhe për pavarësinë votuan 98 për qind e tyre. Kushtetutshmërish dhe sipas vullnetit të popullit, Kosova nga ky moment ishte e pavarur. Megjithatë Vladimir Putin vazhdon të akuzoje Perëndimin se ajo u bë e pavarur “pa vullnetin e saj“?

Pas referendumit u krijua Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të cilin e drejtoi kryetari i Lidhjes Demokratike, Dr. Ibrahim Rugova. Ky këshill mori atributet e një lloj Kuvendi dhe caktoi qeverinë e re, të parën qeveri të Kosovës se pavarur, atë të Bujar Bukoshit. Ndërkaq në dhjetor të atij viti u zhvillua në Londër një Konferencë për ish-Jugosllavinë nën patronazhin e lordit Kerrington, i ngarkuar i BE-së për ish-Jugosllavinë. Në këtë konference republikave iu njoh e drejta që të kenë shtetin e tyre, por jo edhe Kosovës. Ndaj dhe Ibrahim Rugova protestoi ndaj këtij vendimi, duke kërkuar njohjen e të drejtës për vetëvendosje të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Kërkesa e Rugovës nuk u perfill. Në këto kushte lideri i shqiptarëve përmes Këshillit Koordinues organizoi zgjedhjet e 24 majit 1992. Ishin zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë, të pavarura nga Serbia. Këto zgjedhje u bazuan në Kushtetutën e Kaçanikut, e cila parashikoi që Kuvendi i Kosovës të kishte 143 deputete. Ato do të sillnin parlamentin e ri si dhe do të votohej për presidentin e Republikës. Për kreun e shtetit kandidoi vetëm Dr. Ibrahim Rugova.

Partitë politike nuk deshën të kandidonin dikë tjetër përball tij.


Por për 143 vendet në parlament konkurruan 22 parti politike me 511 kandidatë gjithsej. Qytetarët e Kosovës votuan për këta kandidate, si dhe për presidentin e vendit. Morën pjesë në votime 89.32 e zgjedhësve dhe votuan për Ibrahim Rugovën-President 99.7 përqind e tyre. Ndërkohë Lidhja Demokratike mori 76 përqind të votave. Për te votuan 574.755 zgjedhës, duke siguruar 96 vende në parlament. Partia Parlamentare e Kosovës mori 4.86 përqind të votave me 13 vende në parlament. Pas saj vinin Partia Fshatare dhe Partia Demokristiane e Kosovës me nga 7 vende ne parlament.

Në këto zgjedhje morën pjese shqiptaret, turqit, boshnjakët, kroatët dhe pak serbë e malazezë. Por Kushtetuta e Kaçanikut parashikonte që 14 deputete, ose 10 për qind e vendeve në parlament të rezervoheshin për minoritetin serb. Atë që Martti Ahtisaari do ta bënte në vitin 2008, e kishte realizuar në fakt pa asnjë ndërhyrje ndërkombëtare Kushtetuta demokratike e Kaçanikut më 7 shtator 1990, gati 18 vite më parë! Kjo dëshmon për filozofinë e paqes dhe garancive të të drejtave që Kosova u jep në çdo kohë të gjithë qytetarëve të saj.

Për here të pare parlamenti tentoi të konstatohej me 23 korrik 1992, dy muaj pas zgjedhjeve, fshehtas në një shkollë fetare në Prishtinë. Por kjo dështoi, sepse forcat policore e të sigurisë të pushtuesve serbë bllokuan hyrjen e kësaj shkolle. Pesë deputetë u arrestuan dhe u dënuan me burg „për aktivitet armiqësor kundër territorit të Republikës së Serbisë dhe cenimin e kushtetutës se saj“! Si rezultat i përndjekjes dhe shpalljes në kërkim deputetët e zgjedhur me 24 maj 1992 u detyruan të largohen në Maqedoni dhe në Shqipëri. Ata vazhduan mbledhjet në komisione.

Me këto zgjedhje u kompletua struktura e drejtimit të institucioneve paralele në Kosovë. Këto zgjedhje i dhanë legjitimitet juridik e politik njohjes së vullnetit të shqiptareve për vetëvendosje.

Ndërsa Perëndimi, pavarësisht mosnjohjes zyrtare, u ndikua shumë me këto akte shtet-formuese të tyre. Eksperti i shquar gjerman i se drejtës ndërkombëtare, Geroge Brunner, shkruante se prej 24 majit 1992 Kosova jetoi në një sistem të dyfishtë: Nga njëra anë kishte një sundim të dhunshëm të Serbisë dhe nga ana tjetër të funksionimit të institucioneve paralele të promovuara nga shqiptarët!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat