Politika kolonialiste serbomadhe nuk është substitut i paqes në Ballkan

Opinione

Politika kolonialiste serbomadhe nuk është substitut i paqes në Ballkan

Nga: Prof.Dr.Mehdi HYSENI Më: 6 qershor 2022 Në ora: 17:37
Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Vështruar në retrospektivën historike, që nga shekulli XIX e deri më sot në shekullin XXI, shqiptarët kanë qenë paqësorë ndaj serbëve. Mirëpo,  Serbia, asnjëherë nuk ka pranuar këtë  ofertë të sinqertë tonën për bashkëpunim dhe për koekzistencë paqësore me të gjitha fushat e marrëdhënieve shoqërore dhe shtetërore. Këtë qëndrim negativ atipaqësor dhe politikë të gabuar antishqiptare të Serbisë kolonialiste pushtuese të Nikola Pashiqit (ish-kryeministër i Serbisë), veç kryesocialdemokratit të kohës, Dimitrije Tucoviq e ka kritikuar ashpër dhe me objektivitet, edhe Dragisha Llapçeviq (bashkëpartiak  i Tucoviqit dhe, njëherazi deputet i Parlamentit Popullor të Serbisë)  në  seancën e Parlamentit të Serbisë, më 6 shkurt 1914 : “ …. Serbia, në vend të pushtimit dhe të robërimit të Shqipërisë, ka mundur ta ndihmojë që kjo ta fitonte autonominë dhe shtetin e vet kombëtar. Sikur të ishte vepruar kështu, kjo do të bënte të mundur miqësinë, afrimin dhe krijimin e lidhjeve të  forta, si dhe krijimin e një bashkësie ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo, do të ishte edhe pikënisja e  lidhjes së marrëveshjeve politike… Nëse Serbia nuk vendos që të ndryshojë politikën , duke krijuar kontakte të plota paqësore me shqiptarët, atëherë Serbia do të ketë vetëm  fatkeqësi dhe konflikte të armatosura me shqiptarët…” ( “Srbi i Albanci”, casopis za kritiko znanosi” Lubljana, 1989: 124-125”).

    *     *   *

Prandaj, ky fenomen negativ dhe kërcënues për sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për rendin e ri juridik poziitv ndërkombëtar, domosdo, do të duhej të parashtrohej për shqyrtim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombve të Bashkuara (ashtu siç ka ndodhur gjatë viteve ’60 dhe ’70 të shekulllit XX me vendet e kolonizuara të Afrikës, të Azisë dhe të Amerikës Latine), në mënyrë që të marrë fund sundimi kolonial shekullor i Serbisë në Ballkan (1878-2022). Ndryshe, siguria dhe paqja në Ballkan, vetëm mund të jenë një ëndërr e bukur e pajetuar për popujt e Ballkanit.

                      

Përkundrazi, politika kolonialiste serbomadhe, e ndërtuar mbi logjikën dhe bazën e forcës vret paqen, sepse sjell konflikte të armatosura dhe luftëra të përgjakshme qoftë rajonale apo të përbotshme. Ndaj,  sipas së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, asnjë shtet në botë (së këndjemi as Serbia) nuk ka të drejtë të imponojë a të përdorë politikën e forcës qoftë për inetresa kolonialiste apo neokolonialiste gjeopolitike dhe gjeoekonomike, me qëllim të rrezikimit dhe të destabilizimit të sigurisë dhe  të paqes ndërkombëtare. 

Edhe pse tradicionalisht sipas doktrinës dhe praktikës së marrëdhënieve ndërkombëtare, një nga veçoritë kryesore të bashkësisë së sotme ndërkombëtare, është ndërlidhuria ekonomike në dimensione ndërkombëtare (pavarësisht sistemeve të ndryshme politike (kapitaliste, socialiste etj.), kjo ndërlidhuri nuk mund të ndërtohet mbi bazën e kolonializmit dhe hegjemonzimit të Serbisë, e cila, edhe sot, pas 150 vitesh nuk pranon para Evropës dhe para OKB-së, se ka aneksuar dhe kolonizuar me luftëra të përgjakshme, me agresion dhe me gjenocid mbi 50% të territoreve indigjene shqiptare të Shqipërisë Etnike, duke filluar që nga Nishi, Piroti, Vranja, Toplica, Prokupla, Bllaca, Leskoviku, Kurshumlia,  sanxhaku Tregu i Ri, Kosova, Presheva, Bujanoci, Mdvegja, Tupalla, Pllana….etj., Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Manastiri, Kumanova, Struga, Dibra, Ohri etj.

 

 Pa shkolonizimin e Serbisë sipas së drejtës ndërkombëtare, Ballkani do të jetojë në ethe kërcënuese  të luftës së ftohtë dhe të nxehtë (1878-2022) !

Këtë konstatim parashikues, fatkeqësisht e paten dëshmuar edhe luftërat agresive dhe gjenocidale të Serbisë kolonialiste të Slobodan Milosheviqit (1989-1999), e cila në emër të zgjerimit të kufijve territorialë të Serbisë së Madhe të Ilija Garashaninit (sipas paltformës nacionaliste “Naçertanija”, 1844), kreu 3 agresione gjenocidale: 1) Në Kroaci, 2) në Bosnjë dhe 3) në Kosovë (1989-1999).

Pra, për të mënjanuar rrezikun e kolonializmit dhe neokolonializmit militarist serb në Ballkan (posaçërisht nga territoret autoktone shqiptare), logjikisht, moralisht, ligjërisht dhe demokratikisht, bashkësia ndërkombëtare d.m.th. OKB-ja, është e obligueshme që në bazë të Kartës së saj, si dhe të parimeve e rregullave të së drejtës ndërkombëtare, të kërkojë llogari juridike ligjore të obligueshme nga Serbia, që të heqë dorë nga politika dhe nga praktika e derisotme e kolonializmit të saj shekullor në territoret e Shqipërisë Etnike (1878-2022).

Nëse OKB-ja, edhe më  tej nuk  riaktualizon problemin kolonial ballkanik  të Serbisë, kjo edhe më tej, do të vazhdojë “këngën e vjetër” të saj, duke mos hequr dorë nga territoret e Shqipërisë Etnike. Mirëpo, me “heshtjen” dhe me fshehjen e këtillë të kolonializmit serbomadh mbi territoret shqiptare në Ballkan, Prishtina dhe Tirana zyrtare bashkërisht nevojitet  të përpilojnë  dosjen paditëse kundër gjenocideve të Serbisë në tokat shqiptare (1878-2022) dhe, urgjentisht t’ia paraqesin Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ndryshe, integrimi, bashkëpunimi, stabiliteti, siguria dhe paqja në Ballkan , do të ngelin “peng” dhe “monedhë kusuri’ të strategjisë gjeopolitike, kolonialiste dhe neokolonialiste të militarizmit dhe të imperializmit ruso-serb, sikurse dikur në kohën e Rusisë cariste në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX, deri me përmbysjen nga Revoluconi Socialist i Tetorit 1917 me Leninin në krye.

 

Sa më sipër,  duhet të konstatojmë se Dialogu i Brukeslit (2011-2022) mes palës serbe të Beogradit zyrtar dhe palës shqiptare të Prishtinës, nuk zgjidh përfundimisht problemin kolonial shekullor të Serbisë ndaj Kosovës shqiptare derisa  Kisha Ortodokse Serbe, Akademia e Shkencave dhe e Arteve Serbe,  qeveria, kuvendi dhe presidenca e Republikës së Serbisë me Aleksandër Vuçiqin në krye (në mënyrë orkestrale kërcënuese, duke u mbështetur në Kushtetutën në fuqi të Serbisë së vitit 2006, ku Kosova është sanksionuar si krahinë e Serbisë)  se “Kosova dhe Metohija janë pjesë integrale të tërësisë territoriale, administrative dhe shtetërore të Serbisë”.  Pas këtij konstatimi të rremë dhe të falsifikuar të serbomëdhenjve kolonialistë të Serbisë, shtrohet kjo pyetje, atëherë meqë sipas tyre “Kosova qenka e Serbisë”, atëherë, pse presidenti Aleksandër Vuçiq po kërkon vazhdimin e Dialogimit në Bruksel me ndërmjetësuesit e BE-së, Josep Borrell dhe Mirsolav Lajçak, çfarë tjetër ka mbetur pa u biseduar me palën negociuese të Kosovës? !

Në rrethana të tilla abnormale politike, diplomatike dhe propagandistike dezinformuese të Serbisë, duke e vënë në pikëpyetje substancën historike, juridike, politike, nacionale, ndërkombëtare, gjeopolitike dhe shtetërore të Republikës së pavarur të Kosovës,  nuk mund të arrihet kurrfarë progresi e as kompromisi mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve, sepse  derisa Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës, çdo traktat a marrëveshje e nënshkruar në kuadrin e Dialogut të Brukselit, do të jetë në kundërshtim me të drejtën historike dhe me të drejtën e vetëvendosjes së shqiptarëve në Kosovë. Për më tepër do jetë shkelje flagrante e  parimeve të së drejtës ndërkombӕtare dhe e dispozitave të Kartës së OKB-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat