Ramushi nuk e lëshon karrigen, kryetar i përjetshëm i AAK-së që po ndjek rrugën e NISMA-s

Opinione

Ramushi nuk e lëshon karrigen, kryetar i përjetshëm i AAK-së që po ndjek rrugën e NISMA-s

Nga: Faton Mehmeti Më: 10 qershor 2022 Në ora: 09:43
Autori Faton Mehmeti

Te ne kryetarët e partive politike janë të përjetshëm, nuk e lëshojnë karrigen pavarësisht dështimeve, disfatave dhe thirrjen të të rinjve për t’u hapur rrugë. Realisht, shefat e partive të vogla nuk do e dinë kurrë forcën e tyre të vërtetë, mbesin gjithnjë në kushtet dhe votat thuaje të njëjta, herë me njërin dhe herë me tjetrin sa për të ndarë hisen në qeveri, kaq duan, pavarësisht se kështu dëmtohet demokracia.

Rast tipik në Kosovë është me AAK-në e Ramush Haradinajt, që nga themelimi i saj e deri tani, për 20 vjet me radhë është Ramushi kryetar, gjë që u konfirmua javën që po lemë pas. Si ka mundësi që kryetarët e partive politike të kthehen në të përjetshëm, që nuk pranojnë të japin asnjëherë llogari për veprimtarinë e tyre politike, për humbjet apo gjysmë-fitoret; si mundet një kryetar partie p.sh. Ramush Haradinaj, të mos jep asnjë përgjegjësi para anëtarësisë, kryesisë dhe të shpëtojë nga ndëshkimi politik që duhet të jetë ose dorëheqja ose shkarkimi publik pas humbjes së zgjedhjeve të fundit nacionale dhe lokale. Duke dhënë dorëheqje, pasardhësit e tij politik do të mësohen me rregullat e demokracisë partiake perëndimore.

Jo vetëm në AAK, kjo ndodh pothuajse në të gjitha partitë politike tek ne, veço Isën që pësoi debakël dhe s’kishte rrugë tjetër. Parashtrohet pyetja si mundet që asnjë parti nuk e ka të shkruar në statut që nëse kryetari i humb zgjedhjet duhet të jap menjëherë dorëheqjen.

Pyetja e mësipërme ishte retorike, pasi dihet realiteti i gjërave në Kosovë. Tek ne, kryetarët nuk japin dorëheqje, nuk lëshojnë pe, duan të vdesin në karrige. Një kryetar që ka uzurpuar partinë duke e kthyer në pronë private, duhet të shkarkohet nga anëtarësia në mënyrë që të manifestojë vlerat dhe shembujt që duhen ndjekur edhe nga të tjerët.

Nga zgjedhjet e fundit në AAK askush nuk ka pasur dyshime se Ramushi prapë do të fitonte, kushdo që do të merrte guximin të dilte përballë tij do të digjej. Mungesa e demokracisë brenda partisë ka prodhuar kryetar të përjetshëm njësoj si në sistemin komunist. Hapja e partive për të rinjtë, për vlerat e reja është emergjente për të shtrirë demokracinë në partitë politike e më tej edhe në jetën parlamentare, gjë që mungon. Kjo ka mundësuar që të krijohen klane në kupolën drejtuese të partive tona politike, të rinjtë që nuk kanë lidhje biznesore apo familjare me kupolën e kanë të pamundur të depërtojnë pavarësisht aftësive të tyre. Në këtë kuptim për një të ri pa lidhje të tilla është e pamundur të depërtojë kudo, nuk i mbetet rrugë tjetër vetëm t’i drejtohet rrugëve të kurbetit. Zgjedhjet e fundit në AAK vetëm sa konfirmuan kalbësinë e demokracisë brenda kësaj partie politike, në nevojën e emergjencës së kohës për ndryshim, në të kundërtën destinimi për zhdukje s’ka kthim prapa.

Shembull i keq për demokracinë, hapësirat e mbyllura zbehin edhe atë pak optimizëm që mbretëron për depërtim të demokracisë dhe ndryshimeve brenda partive politike shqiptare në Kosovë, dhe jo vetëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat