Hajnat, zhvatësit e shtetit, matrapazët, akuzojnë vajzën e Jusuf Gërvallës si “anti-UÇK”!

Opinione

Hajnat, zhvatësit e shtetit, matrapazët, akuzojnë vajzën e Jusuf Gërvallës si “anti-UÇK”!

Nga: Faton Mehmeti Më: 14 qershor 2022 Në ora: 16:02
Autori Faton Mehmeti

Që nga ardhja e saj në krye të diplomacisë së Kosovës, ministrja Donika Gërvalla është atakuar pareshtur nga opozita dhe mediat e financuara nga ajo. Nga akuzat më banale e deri tek ato në fyerje për gjoja “anti-UÇK”, servilët e pushtetit të kaluar nuk rreshtin së etiketuar vajzën e heroit Jusuf Gërvalla.

Sebep i fundit u bë urimi që ministrja Gërvalla bëri për Ditën e Çlirimit të Kosovës, me akuzat se gjoja nuk e ka përmendur fare kontributin e UÇK-së, gjë që nuk është e vërtetë dhe këtë gjë e deklaroi edhe vet ministrja Gërvalla. Edhe sikur ta ketë bërë me qëllim ministrja Gërvalla mospërmendjen e UÇK-së, është shumë më e ndershme mos ta përmendësh e mos ta fyesh me veprime antikombëtare.

Për ironi ata që në emër të UÇK kanë bërë pasuri milionëshe dhe e kanë zhvatur vendin kërkojnë dorëheqjen e dikujt. Krejt këta që thirren në emër të UÇK-së nuk janë më patriot se Donika, e cila s’ka asgjë të dëshmojë se kush është dhe çfarë është në gjendje të bëjë për vendin.

Fushata ndaj Donikës është fushatë ndaj qeverisë, Listës Guxo, konkretisht ndaj fitores së tyre me 14 shkurt 2021. Partitë e dala nga lufta e fundit janë të acaruara me humbjen në zgjedhjet e fundit, andaj po kërkojnë me çdo kusht një fajtor dhe kanë etiketuar Donikën tabelë qitjeje.

Pse sulmohet Donika, veç pse ministrja s’ka klane, s’ka krah “të fortë”, e të cilët po e shfrytëzojnë nga PDK-ja për të shfryrë mllefin e humbjes së pushtetit. Opozita në Kosovë e ka akuzuar vazhdimisht Gërvallën si politikane që është kundër UÇK-së.

E kjo e fundit iu ka kthyer se pikërisht ‘PDK-ja ka abuzuar me UÇK-në”, dhe kjo është shumë e vërtetë, ata që kanë abuzuar më shumë me UÇK-në janë opozita, konkretisht PDK-ja, dhe askush më shumë dëm se PDK-ja nuk i ka bërë luftës heroike të popullit të Kosovës. Ishte po kjo PDK-ja që themeloi gjykatën speciale, pa fije turpi i kërkojnë qeverisë të zhbëjë diçka që e kanë bërë vet.

Po të shohim me vëmendje kush i kërkon Gërvallës dorëheqjen, kush e akuzon atë për “anti-UÇK”, tenderuesit, fajdexhinjtë, hajnat dhe kokat e krimit në vend paska mbet me mbrojt nderin e luftës dhe të UÇK-së, vaj medet. Krejt paria e PDK-së me u shkri nuk maten me patriotizmin e Donika Gërvallës, dikur babai i saj u vra në mbrojte të atdheut, vajza e tij sot po e mbron të vërtetën. E sot, patriotizëm është mos me vjedh vendin, mos me vu interesin personal para atij të vendit, e kush më tepër se këta që e akuzojnë Donikën e përligjin të kundërtën. Këto përralla të opozitës, në veçanti të PDK-së dhe satelitit të saj organizatës së veteranëve, nuk pinë më ujë.

Me këso propagande kurrë nuk vjen më në pushtet PDK-ja. Erdhi dikur paslufte duke etiketuar të tjerët si tradhtar dhe figurat e saj si heronj, u pa fortë mirë se kush ishin, arritën deri aty sa ishin të gatshëm edhe me nda vendin për të neutralizuar të bëmat e tyre. Nuk u eci dhe sot janë atje ku janë ish-krerët e saj.

Prandaj, mjaft më me patriotizëm fallco, patriotizmi është çerdhja e fundit e horrave siç do të shprehej një mendimtar i famshëm. Kështu që, PDK-ja dhe të gjithë ata që akuzojnë Donikën për “anti-UÇK”, s’janë tjetër veç se e shkuara e errët e këtij vendi, ata që më nuk kthehen në pushtet derisa të reformohen dhe të ndalin këto akuza sa banale aq edhe të turpshme.

Donika është e pastër si kristali, mbase nga shkëlqimi i saj disave po u verbohen sytë. Vajza e Jusuf Gërvallës, nuk mund të jetë kurrë anti-UÇK, as antiKosovës, mjaft më me këto marrëzira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat