Rama mbron Beogradin: Duhet ta kuptoni Serbinë, është e pamundur për momentin t’i vendosë sanksionet Rusisë

Opinione

Rama mbron Beogradin: Duhet ta kuptoni Serbinë, është e pamundur për momentin t’i vendosë sanksionet Rusisë

Nga: Ruben Avxhiu Më: 16 qershor 2022 Në ora: 10:07
Rama dhe Vuçiqi, pritje ceremoniale

Në një intervistë për "Politico-Europë", kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e arsyetoi ngurrimin e Serbisë për t’i vënë sanksione Rusisë si kanë bërë vendet e tjera kandidate për në Bashkimin European.

“Duhet ta kuptoni se Serbia është në një pozitë shumë të ndryshme se shumë të tjerë për shkak të historisë së saj, dhe për shkak të lidhjeve të veçanta me Rusinë”, tha ai.

Ai tha se kishte besim se Serbia do t’i vendoste sanksionet me kalimin e kohës por paralajmëroi se Beogradi nuk duhet vënë nën presion sepse varet shumë nga Moska për furnizimin me energjinë dhe nuk mund të bëhen shumë gjëra shumë shpejt.

Edi Rama tha më tej se nëse Perëndimi e tepron me presionin e tij ndaj Serbisë, kjo mund të jetë shkatërruese për qëndrueshmërinë në Ballkan.

“Na nevojitet nganjëherë të tregojmë durim me të tjerët dhe të kuptojmë se çfarë po ndodh, përndryshe nuk mund të krijojmë një komunitet së bashku për qëllime më të larta dhe më të mira”, tha ai.

“Mendoj se Serbia është në rrugën e duhur”.

Shkrimin mund ta lexoni këtu në anglisht, nëse – ashtu si edhe mua – nuk ju besohet se kryeministri i Shqipërisë ka marrë përsipër të luajë rolin e avokatit të Beogradit: https://www.politico.eu/.../edi-rama-albania-eu.../

Unë si parim u shmangem etiketimeve si “tradhëtar”, “i shitur”, “i kapur” etj., sepse refuzoj stilin tonë ekstremist të diskutimit publik, se besoj se fjalët dhe veprimet duhen gjykuar, jo njerëzit, si dhe sepse besoj se dikush duhet t’i peshojë pa emocione dhe pa mëri personale e partiake projektet e mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshi edhe ndonjë që mban erë si Ballkani i Hapur.

Mirëpo, nuk ka kapacitet durimi e mirëkuptimi që të pranojë që kryeministri i Shqipërisë të përsërisë si papagall, propagandën qeveritare serbe për marrëdhëniet e saj me Rusinë, pa bërë ofruar asgjë origjinale nga pikëvështrimi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në rajon.

Kjo është shokuese dhe njeriu me të drejtë ngre pyetjen, çfarë po ndodh me Edi Ramën?

Serbia sigurisht nuk ka nevojë për avokat. Atë punë e bën më së miri presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, Gëbelsi i Millosheviqit.

E dyta, çdo drejtues i një vendi tjetër, më së paku, me mirësjellje i thotë gazetarit që pyetjet për Serbinë duhet t’ia drejtojë drejtuesve të saj. Rama, sigurisht, nuk i reziston dot rolit të analistit të punëve globale.

Vërtet mendon Rama se SHBA e BE nuk e dinë se deri në çfarë pike varet ekonomia e Serbisë nga energjia ruse? Mbase Vuçiqi ka gjetur ndonjë hutaq në Tiranë që ia beson çdo gjë që thotë, por varësia ndaj gazit dhe naftës ruse është shumë më e madhe për disa vende të tjera europiane që tashmë i kanë vendosur sanksionet.

Mbase i ka shpëtuar kryeministrit Rama, por Greqia e vende të tjera vetëm pak ditë më parë e ftuan Serbinë me bujari që të përfitojë nga kanale alternative të energjisë që do të vijnë përmes Greqisë etj.

Përkundrazi, ajo që Serbia nuk do që të lëshojë në planin ekonomik është një pazar i ëmbël që bëri së fundi me Rusinë, që do ta furnizojë me çmime përfituese, për ta shpërblyer për besnikërinë e saj. Serbia ka në plan të pasurohet në kurriz të popullit ukrainas. Nuk është një zgjedhje nga halli, por nga grykësia e paturpësia.

Nëse Rama i beson vërtet ato që i ka thënë gazetarit, atëherë ai ka gëlltitur në mënyrë shumë naive justifikimet qesharake të Serbisë.

Do të ishte poshtërsi e madhe nëse duke e ditur që është një justifikim mashtrues të përsërisësh se janë lidhjet historike që po e pengojnë Serbinë. Lidhjet historike të Rusisë janë shumë më të forta me vende si Bullgaria e disa vende të Azisë që janë treguar më kundërshtuese ndaj Rusisë se Serbia.

Ku ishte kjo lidhje historike dhe e veçantë me Rusinë kur Putini tha se Donbasi është si Kosova dhe mbase të dyja kanë të drejtë të shkëputen? Menjëherë filloi sulmi masiv kundër Putinit në të gjitha mediat proqeveritare serbe të komanduara nga Vuçiqi. Vetëm sqarimi publik nga Kremlini se Rusia nuk mendon vërtet se Kosova kishte të drejtë të shkëputej qetësoi zagarët e Vuçiqit në media.

Nuk ka asnjë dyshim për Perëndimin dhe për botën, madje edhe për Rusinë vetë, se e vetmja arsye politike e historike se pse Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë është “Kosova”.

KOSOVA është, mbase jo rastësisht, një nga fjalët që Rama nuk citohet ta ketë thënë në asnjë moment gjatë intervistës.

Serbia mbështetet te Rusia që Kosova të mos bëhet dot anëtare e OKB-së. Nëse Serbia detyrohet të vendosë sanksione, Rusia mund të ndryshojë lojën dhe të mos vendosë veton në Këshillin e Sigurimit. Ndryshe nga çfarë tha Rama për portalin e njohur “Politico”, Serbia duhet detyruar të vendosë sanksione nëse dëshiron të jetë anëtare për në BE, përndryshe le të aplikojë për në Bashkësinë e vendeve ish-sovjetike që bënë gabimin dhe hynë në një organizatë me Rusinë.

Në vend që të druhet se mos e shtyjnë Serbinë deri në atë pikë, Rama duhet të kërkojë që ta bëjnë. Të gjithë duam të shohim se si do të ndryshojë dinamika e raporteve mes Serbisë dhe Rusisë për Kosovën nëse i vendos sanksionet apo e Serbisë me Perëndimin nëse nuk i vendos këto sanksione. Rama mund të jetë i vetmi shqiptar në botë që nuk dëshiron që puna të shkojë në atë pikë.

Argumenti i Ramës se presioni mund të destabilizojë Ballkanin është gjithashtu thjesht fasadë. Është përsëritje me gojën e tij, të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj perëndimorëve. E vërteta është se Serbia në mënyrë të vazhdueshme kërcënon stabilitetin në Ballkan, duke sabotuar dhe mohuar ekzistencën e Kosovës, duke përpjekur të zhbëjë Malin e Zi dhe Bosnjën si dhe duke përsëritur pretendimet e saj territoriale ndaj Kroacisë.

Serbia nuk po e destabilizon Ballkanin, jo sepse Perëndimi po tregohet i duruar me të, por sepse nuk e destabilizon dot, ose mund të vuajë shumë më tepër dëme sesa të nxjerrë përfitime nga destabilizimi.

Është dëshpëruese që politika e Tiranës ka mbërritur në pikën që nuk ka asnjë fuqi që të modifikojë sjelljen dhe politikën e jashtme të kryeministrit ndaj Serbisë dhe Kosovës. Shumica socialiste në Kuvend është e gjitha e nënshtruar ndaj tij, Komisioni i Punëve të Jashtme hesht duke mbështetur çdo veprim të kryeministrit, ministria e Jashtme ka rënë në nivel dikasteri (që me largimin e Ditmir Bushatit të gjithë ministrat e tjerë kanë peshën e funksionin e një zv-ministri), opozita është e përçarë dhe kundërshtimi i saj tani vetëm sa e zbavit kryeministrin. Ish-figurat e majta të diplomacisë kanë një moment tani që të lobojnë ndaj kryeministrit privatisht nëse nuk duan t’u lëshohet publikisht. Po kështu, edhe presidenti i sapozgjedhur ka një rast të parë dhe shumë të mirë që të dëshmojë pavarësinë e tij nga kryeministri dhe besnikërinë e tij ndaj kombit duke qartësuar qëndrimin e tij ndaj Kosovës, Serbisë, dhe aleancën e madhe të demokracive në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe paqes ne Europë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat