Kohë vështirësish, rrebeshesh e furtunash në shoqëri

Opinione

Kohë vështirësish, rrebeshesh e furtunash në shoqëri

Nga: Ibrahim Shatri Më: 28 qershor 2022 Në ora: 13:18
Profesor Ibrahim Shatri - Veteran i Arsimit

Arsimi në tërësi gjatë dekadave, historisë ka kaluar në periudha të vështira, vështirësisë financiare ekonomike dhe politike.

Pozita e dobët materiale e arsimit nuk mundësonte funksionimin normal të shkollave, sidomos buxheti për Arsim ishte i limituar. Kjo mbështetej nga mundësitë buxhetore të vetë komunave që kishte disproporcion në një komunë në një komunë tjetër. Deri në vitin 1960 behej nga buxheti kurse pas kësaj periudhe fillon financimi në bazë të Fondeve e deri në vitin 1966.Në vitin 1960 nxirret Ligji nga Kuvendi Federativ, Fondi i përgjithshëm i shkollës që krijohet nga kontributet e të punësuarve në ekonomi, mjetet ndaheshin 90% për të ardhura personale të punëtoreve të shkollës,10% pjesa tjetër shpenzime materiale, në këtë periudhë shkollat kishin një llojë pavarësi dhe lirie në shpenzimet e mjeteve materiale. Shpenzimet materiale ishin të ulëta e sidomos të arsimit fillor.

Në periudhën 1966-1973 funksionon Fondi i Bashkësisë së Arsimit, në të cilat bëhej akumulimi i mjeteve financiare, këto ndaheshin nga organet vetëqeverise dhe udhëhiqeshin nga Bashkësia e Arsimit.

Kjo periudhë shënoj një zhvillim të hovshëm të të gjitha niveleve të arsimit në Kosovë.

Me 1974 bëhen ndryshime, në mënyrën e financimit dhe programet e punës. Filloi formimi i Bashkësive Vetëqeverisëse, Edukimi dhe Arsimimi. Këto funksionuan në bazë:

A. Kontributeve nga të ardhurave personale të të punësuarve, shkalla e kontributeve caktohej në nivel të të ardhurave komunale buxhetore.

B. Nga mjetet e Organizatave punuese që ndaheshin për arsim

C. Nga tatimet e të tjerëve

Fondi i Bashkësisë Krahinore Vetëqeverise formohej nga Buxheti i Kosovës dhe pjesëmarrja e Komunave.

Me 1975 formohet Bashkësia Krahinore Vetëqeverisëse e Arsimit dhe Edukimit të Komunave të Kosovës. Këto kishin Këshillat e veta, këto duhet të qeveriseshin nga Pleqësia e Fondit në përbërje nga 8 anëtareve ku vetëm (2) shqiptarë mund të ishin pjesë e kësaj Pleqërie.

Këtu filloj dredhia e pushtetit serb në Qeverisje dhe Funksionimin e këtyre Pleqësive e që manifestohej në një disproporcion të madh të pabarazisë.

Kjo Pleqësi e Fondit Krahinor për Arsimimin fillor. Me 02.03.1991 nxori vendim që të ndërpritet financimi i mësuesve dhe arsimtareve nga klasa e parë deri në klasën e pesë, të cilët nuk i zbatojnë Ligjet në Fuqi që i kishte miratuar Pleqësia Arsimore e Republikës së Serbisë. Me një vendim 400-59/91 u ndërpre tërësisht financimi i Arsimit Shqip.

Kjo filloi së pari në Istog në Shkollën e Mesme "Vëllezërit Ribar" tani"Haxhi Zeka", pastaj në Lipjan e kështu me radhë në gjitha komunat. Ndërprerja e financimit dhe largimit nga objektet shkollore u bë me 1 tetor 1990.Kështu nga kjo datë mbetem pa asnjë mjet financiar.

Tani ne Grupi i Arsimtareve filluam të tubohemi dhe të gjejmë zgjidhje. Sa më kujtohet u tubuam po në tetor 1990 në Istog të Poshtëm në Kullen e Halil Hasanit, ishim 80 arsimtarë këtu propozuam zgjedhjen e drejtorit dhe zgjodhëm Ahmet Rugoven duke i përcaktuar detyrë që të udhëheq me Këshillin e Arsimtareve dhe Administratën Arsimore në nivel të gjimnazit. Po në këtë mbledhje bëmë edhe formimin e Punkteve dhe përgjegjësve të tyre. U vendos të funksionojnë 5 Punkte të mësimit: Istog, Gurakoc, Vrellë, Rakosh dhe Staradran. Për Istog përgjegjës i punktit u emërua: Ibrahim Shatri Rakosh: Agim Haxhiu, Vrellë: Sadik Fetahaj Saradran: Sejdi Shoshi.

Pas zgjedhjes së udhëheqësve të Punkteve dhe drejtorit filloj faza e përgaditjes për shpërndarjen e nxënësve nëpër punkte, me qëllim që mos t’iu bije që të udhëtojnë me autobus dhe marrjen e reprezaljeve nga Policia Serbe.

Këtë punë për shpërndarjen e nxënësve e bëri Komisioni i Veçantë i përbërë nga Unë (Ibrahim Shatri, Ramiz Zeqiri, Sylë Shatri, Skender Alija dhe Gani Alihajdari sekretar, i cili mbante evidencë).

Afër dy ditë punuam në shtëpinë e Skender Alisë dhe arritëm të bëjmë shpërndarjen e nxënësve sipas Punkteve me qëllim që të dominojmë në Punktin me të afërt.

Punktet përfshinin disa fshatra Istogu: Qendrën, Istogun e Poshtëm, Muzhevinen, Lluga, Cerrcë, Sine, Mojstir një pjesë të Lubozhdes, Dubravës etj.

Detyrë e udhëheqësve të Punkteve ishte: Organizimi i mësimit dhe biseda me fshatarët për gjetjen (lejimi) e odave për mbajtjen e mësimit, u arrit qëllimi në të gjitha fshatrat. Odat ishin të një madhësie shumë të mirë dhe të pajisura me: dyshek, tepih hapësirë ndriçimi dhe pastërti. Mungonin vetëm dërrasa e zezë dhe bankat. Në vend të bankave, nxënësit krijuan shprehinë e ngritjes së gjurit në të cilin vënin mbi të librin dhe fletoren dhe shkruanin.

Për dërrasë të zezë gjetëm një donator Sahit Maloku-Shporeti, i cili me shumë kënaqësi na i dhuroi dhe i punoi nga llamarina në madhësi 1x1.70 metër i ngjyrosi në të zezë, shkumësin mirë e pranonin dhe na i dhuroi 20 copë për punktin e Istogut.

Disiplina, vijimi puna ishte në nivel koshience dhe angazhimi për arritjen e qëllimit.

Në këtë që përmenda nuk ka pasur probleme përveç ndjekjes që bënte policia serbe. Në gjetjen e donatorëve për dërrasë të zezë në Komision isha unë, Gani Rugova, Skender Alija. Në punkte ka patur reprezalje sidomos në atë të Rakoshit vriten tre prindër në mbrojtje të shkollës, pastaj në atë Gurakocit dhe të Staradranit (ndjekje dhe largim Të arsimtareve dhe nxënësve nga Oda marrje ditarësh dhe rrahje).

Përgatitjet na mundësuan që mësimin ta fillojmë në oda nga 01.02.1991, viti shkollor përfundoi në mbarim të qershorit në të gjitha evidencat: Dëftesa, ditarë statistika etj. Sa më kujtohet viti përfundoi në të gjithë komunën me 7300 nxënës. Në këtë periudhë unë kam kryer edhe rolin e inspektorit deri në vitin 1996, kjo ishte një fshehtësi dhe nuk u zbulua kurrë nga pushteti serb, duke iu falënderuar kolegëve dhe besimit të tyre.

Qendrën e tubimit të drejtorëve, administratës e kemi patur në mëhallën e Blakajve në shtëpinë Ahmet Ahmetaj i ardhur nga Uqa në Istog, këtu është përpunuar e gjithë Administrata Statistikore e Arsimit në nivel Komune, koordinator qendre ishte: Sejdi Blakja nga Llukavci i Begut.

Kjo qendër nuk u hetua asnjëherë nga Policia Serbe. Qendra ka punuar dhe vepruar në fshehtësi. Drejtorët e shkollave ishin shumë aktiv. Meriton të veçohet Drejtori i shkollës fillore të Rakoshit Rrahmon Igrishtaj, ai i Uqës Selmon Selmanaj etj. Këtë punë e kam udhëhequr deri në vitin 1996. Pas kësaj bëhen ndryshime dhe vazhduan të tjerë.

Puna bëhej me një entuziazëm për të arritur qëllimet madhore për Kosovën Republikë, e cila pengohej në çdo hap nga pushteti serb.

Ne arsimtarët e gjimnazit "Haxhi ZEKA" 14.09.1992 ndërmorëm një aksion që të tubohemi në oborrin e shkollës për të hyrë brenda në objekt, nxënësit ishin të tubuar në oborr. Derën e shkollës na kishin mbyllur me çelës koleget serb dhe policia serbe. Disa nga ne arsimtarët iu afruam derës.

-Unë, Ahmet Rugova, Ramiz Zeqiri, Adem Geci dhe u futem në korridor, por me vështirësi mezi koriri e hapi derën pas ndërhyrjes sonë pothuajse me dhunë, në korridor kolegët serb ishin bërë hark dhe nuk na lejuan të shkojmë në katin e dytë.

Thirrën komandantin e policisë që ishte ardhur më herët, jashtë në oborr kishte tri “Niva” plot policë të armatosur. Komandanti më shtrëngoi lehtas për dore, e më tha serbisht: DEQETE? (Ku po don); Unë: iu përgjigja në shkollë! “Nemozhete (Nuk mundeni). Imate Mitrolaz na Drugu (Keni mitralozin në katin e dytë).

Në këtë bisedë vendosëm të dalim nga kati i dytë nga objekti dhe ti shpërndajmë nxënësit në shtëpitë e tyre, ne ju vumë pas që të venerojnë policinë dhe nxënësit.

Përballë INAS në Objektin e gjatë kanë qenë të vendosur dy snajper. Nuk kanë patur mundësinë të gjuajnë, ne ishim buzë murit të objektit dhe objekteve tjera.

Mbërritëm në shesh (qendër) vendosëm të strehoheshim në Çajtoren e Sadikajve (Visokëve) aty u tubuam rreth 20 veta dhe menjëherë policia na rrethoi me tri “Nivat” dhe zbritën policët”.

Një Nivë u ndal para furrës së Gegollëve, tjetra më larg çajtores, dhe “Niva” e tretë zbarkoi në çajtore, të gjithë me automatik.

Posa hynë na shanë, Hoqite Repupliku (Doni Republikë) “Nanen e Nanës”. Ne ishim të ulur në tavolina nga 6 veta ashtu ishin tavolinat e gjata. Në tavolinën e parë e nxorën Isuf Mavraj dhe e bën për spital, i cili ndejti dy javë në Pejë. E gjakosën me kondak, Sali Visoqin edhe këtë e dërguam në spital, kurse Skender Alinë e shkelmuan.

Në tavolinën time ku isha unë, Ahmet Rugova, Ramiz Zeqiri, Adem Geci, Halit Mavraj, Isa Dreshaj-Prekiqi, përfundoi procedura duke na sharë dhe fyer me lloj-lloj epitetesh. Isa-ja të plagosurit i çoi në Pejë.

Punën edhe pas këtyre reprezaljeve nuk e ndërpremë, vazhduam deri me 1999 kur na dëbuan me dhunë tërësisht nga trojet tona për Mal të Zi dhe Shqipëri. Pas kthimit dhe ndërhyrjes së NATO-së prapë vazhdoi sistemi arsimor të rimëkëmbet.

Vlen të theksohet se prej 1 prillit 1991 iu ndaluan të gjithë punëtorëve të arsimit të ardhurat personale. Nga ky muaj e deri në fund të vitit shkollor 1990-91 arsimtarët kanë mbetur pa kurrfarë mjete financiare. Nga kjo situatë e rëndë filloi me 28.06.1991 konstituimi i Formimit të Këshillit Qendror për vetëfinancim, të Kosovës. Këtë iniciativë e bartën Enti Pedagogjik i Kosovës LASH-i, Sindikata e Arsimit, Universiteti i Prishtinës, ish-Bashkësia e Arsimit të Kosovës. Kështu Këshilli Qendror për Financim i Kosovës u formua me 07.02.1992 kryetar Ismail Kastrati. Kishte qëllim grumbullimin dhe shpërndarjen e të ardhurave financiare e që bëheshin nga donatorët e ndryshëm.

Kështu nga kjo u formuan edhe këshillat komunale të financimit, bartës ishin kryetarët e këtyre këshillave në Istog ishte: Haki Shatri dhe Fadil Ferati. Kështu filloi grumbullimi i mjeteve financiare nga donatorët e ndryshëm dhe më vonë nga 3%. Në fillim 3.000 DM, dhuroi Haxhi Brahim Hasanaj-Banana. Pas masave të dhunshme (largimin e nxënësve arsimtarëve nga objekti i shkollës) filluam me emërtimin e shkollës.

Gjimnazin e emëruam “Haxhi Zeka” dhe shkollat tjera morën emra të veçantë patriotëve dhe heronjve shqiptarë. Vlen të theksohet mbetem pa asgjë. Më kujtohet ishim pa shkumës. Në Shesh takova një ish nxënës timin nga Staradrani-Ganiu (ndërtimtar). Më pyeti: Si i keni punët? S’kemi shkumës, ka ndez automobilin dhe për Prishtinë: Ai, unë, Sali Mehmetukaj dhe Skender Alija.

Në u parkuam te Gjimnazi “Sami Frashëri” përfundi Prokurorisë në anë të djathte ishte libraria pak ma larg posti i policisë. Disi zbriti Saliu dhe meqë njihej me individin në librari, fshehtas pas disa kohe na mbushi gepekun shkumës, policia nuk na vërejti, pastaj u nisëm për Istog. Shkumësin e lamë te shtëpia e Skender Alisë.

Një ditë tjetër me Salihun dhe Skenderin për të porositur vulën e gjimnazit, në mëhallën e “Xhambazve”. Saliu gjeti vendin ku punoheshin vulat e ku ishte një kthinë shumë e vogël gjetëm një plak, tha ua punoj po më duhet një autorizim. Unë e kisha një copë letre dhe atë e bëmë autorizim.

Teksti ishte: Shkolla e Mesme-Gjimnazi Istog-Republika e Kosovës. Salihu pagoi 20 DM. Kjo vulë nuk zgjati shumë në përdorim dhe u zëvendësuan me vula të porositura nga LASH-i.

Në Istog me datë 28.06.2022 Profesor Ibrahim Shatri - Veteran i Arsimit

P.s. Zëvendës drejtor ka qenë Nasir Kabashi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat