Debati për shkollën, sa herë ka provime

Opinione

Debati për shkollën, sa herë ka provime

Nga: Ndue Dedaj Më: 1 korrik 2022 Në ora: 09:18
Ndue Dedaj

1

Do të ndodhë diçka gjatë provimeve të Maturës Shtetërore apo ato të arsimit 9-vjeçar pa do të plasë debati. Po nuk ndodhi ndonjë gjë, harroje se dikush do të kujtohet për të debatuar për problematikat e shkollës dhe të arsimit në tërësi. O do të ketë dalë teza e provimit, o do të jetë ndonjë tekst qesharak si “Tili”, o do të jenë marrë vetëm 4 dhjeta në gjuhë shqipe në krejt maturantët e vendit, përkundrejt 234 dhjetave në matematikë etj., pra duhet një sebep, një “incident” që të diskutohet se ku po vete shkolla. Njëlloj si për rrugët, që kujtohemi vetëm mbasi të ketë ndodhur aksidenti. Është e natyrshme që provimet të nxjerrin në pah problematika, por si ta kuptosh handikapin e një raporti të tillë dhjetash si ky i dy lëndëve kryesore sivjet.

Nëse shkollën e sheh nga jashtë, beson se ajo shkon përsëmbari, godina të reja të bukura, mjedise me lule dhe gjelbërim, klasa të mirëmbajtura, biblioteka, palestra, mësues me bluza të bardha, nxënës që dorëzojnë “dosjet” me projekte, panaire me veshje, kërcime dhe gatime të traditës. Ku ka më mirë! Por a është kështu? Sapo u dhanë provimet e lirimit dhe të maturës shtetërore. Të gjitha me teste me shkrim. Asnjë me gojë! Të jetë gjëja e duhur kjo gjuhë “memece” e provimeve? Kur dhe për një punë të thjeshtë si kamerier, personi që kërkon të punësohet do të pyetet gojarisht nga punëdhënësi. Edhe kursi i shoferëve bëhet me shkrim dhe në praktikë. Gjë e thjeshtë në dukje, që nxënësit vetëm plotësojnë teste të shkruara, por po ta shohësh thellë, ne sikur përgatisim “robotë”! Propozimi që njëri nga provimet dhe konkretisht ai i Letërsisë, të bëhet me gojë, vjen dhe nga specialistë e ish-drejtues të lartë të arsimit. Mirëpo më parë, për mendimin tonë, duhet zgjidhur një problem, ndarja e gjuhës shqipe nga letërsia, pasi në një lëndë të përzier nxënësit nuk mësojnë as gjuhë dhe as letërsi. (Sado të ëmbla e të shijshme molla e dardha, se si do të dilte fruti i tyre nga një pemë e shartruar më të dyja!?)

Gjuhëtarja Ledi Shamku - Shkreli e merr mbi vete dhe klasën e gjuhëtarëve “përgjegjësinë” për këtë gjendje jo të kënaqshme të lëndës së gjuhës shqipe në shkollë, duke u zotuar për të kontribuar nëse shteti i thërret gjuhëtarët si ekspertë për të bërë ndryshimin. Sëndërtimi i lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë, sa punë e gjuhëtarëve, është dhe e shkrimtarëve dhe pedagogëve. Mësuesit e gjuhës shqipe dhe letërsisë, në mënyrë të veçantë në qytete, janë mjeshtër të mësimdhënies, por duhet të pranojmë se kemi “mësues gjuhe” dhe “mësues letërsie”. Edhe pse i diplomuar për të dyja, mësuesi në shkollën e mesme, dashje pa pashje ka anuar o nga gjuha, o nga letërsia. Në debatin e hapur nga zonja Shamku të parët që duhet të shprehën janë pikërisht mësuesit e letërsisë, pasi ata janë zbatuesit e kurrikulës shkollore në këtë lëndë.

2

Të gjithë pyesin a është shkolla shqiptare e sotme në parametrat e duhur? Sa edukon dhe formon ajo? Mundet që këtë ta dinë më mirë qeveritarët që i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat perëndimore për t’u diplomuar. Me gjithë përpjekjet e pareshtura, arsimi i tranzicionit nuk e ka gjetur ende veten. Ashtu si vetë shoqëria shqiptare që është larg standardeve europiane. Lypet gjithsesi një peshore e ekspertëve të arsimit për të parë se çfarë është bërë mirë dhe çfarë jo në këto tridhjetë vite të shoqërisë demokratike. Një varg reformash janë ndërmarrë pas 90-s, si ç’ideologjizimi dhe hapja e shkollës ndaj Perëndimit, kurrikulat e reja, tekstet shkollore alternative dhe ato të përkthyera, matura shtetërore, vlerësimi me teste, futja e shërbimit psiko-social, portali “Mësues për Shqipërinë” etj. Krahas librave dhe fletoreve, shkumësi dhe dërrasa e zezë janë jo vetëm simbolika, po dhe realitete të shkollës, e cila vazhdon të mbetet “pre” e eksperimentimit të vazhdueshëm: hiqen regjistrat - vihen prapë regjistrat etj. Dihet vlera e digjitalizimit, por problem është gjithnjë teprimi, kur detyrat zgjidhen me shumë me anë të Google-s, sesa duke iu drejtuar librit. Ky është trendi i sotëm, kompjuteri, interneti, po se shkolla kishte dhe kabinete lëndore në fizikë, kimi, biologji etj., ka gjasë të shihet si diçka e vjetëruar. Për çudi, para mësuesit vihen një varg evidencash që ai duhet të plotësojë jo vetëm në fundin e vitit. Shkolla në thelb është përmbajtja, jo burokracia. Janë mbyllur shkollat e malësive dhe nxënës e mësues kanë bërë vend në qytete, atje duke i zbrazur tërësisht klasat, këtu duke i fryrë tej maset ato. Kanë ikur në emigrim një përqindje e lartë mësuesish me përvojë dhe të mirëkualifikuar dhe deri para disa viteve janë punësuar në arsim individë me diploma shkollash të larta që vetëm emrin kishin të tillë. Familja, njëra nga kolonat mbajtëse të shkollës, është e përfshirë nga “kriza” e prindërimit. Prindit nuk i bindet më fëmija i tij dhe ky i “pabindur” mbartet te shkolla që të merret ajo me të, ndaj mësuesit e nisin ditën duke u përballur me nxënësit problematikë. Ndryshe ndodh me shkollat jopublike, atje janë të gjithë në “rresht”, nxënës dhe mësues, pasi privati të tregon derën kur nuk je i përshtatshëm për institucionin arsimor.

3

Tirana e saposhpallur kryeqytet, më vitin 1921, ndër shumë rrugë, kishte dhe një që thirrej “Rruga e Mësuesit”, si nderim për ndonjërin nga mësuesit e kohës, që për ne ka mbetur anonim dhe aq më mirë kështu, pasi vlen si një përgjithësim për “rrugën” e mësuesit dhe të mësuesisë në një njëqind vjet. Po sot a kemi ndokund në qytetet tona ndonjë rrugë me emrin e Mësuesit? Me sa dimë, jo! Mësuesi nuk është më ai i pari, me kultin e Rilindjes, si hapës shkollash, autor tekstesh, edukator. Ka vijuar ky nderim edhe në vitet e para mbas Luftës së Dytë Botërore, pastaj mësuesi ka qenë si gjithë të tjerët, jo më një zotni. Ai madje asokohe ngarkohej dhe me lexue gazetën në fshat. Kësisoj shoqëria nuk duket se e nderon këtë figurë publike siç e meriton. Mësuesi, i vetmi znatli që komandohet nga zilja, gjithë jetën. Shpesh “zilja” atij i bie dhe në gjumë nga shqetësimet e ditës në shkollë. Ah, po, dhe ditari. Ka ndërruar çdo gjë në shkollë, por jo ditari skematik, bezdisës, rutinor, ai që e “lidh” mësuesin me shtetin. Ditari që dje ta kontrollonte dhe kryetari i Këshillit të fshatit. Tjetër është përgatitja ditore e mësuesit, me një varg aksesorësh mësimorë dhe tjetër pesë fjalë sa me thënë në ditar!

Të gjithë njohim mësues të shkëlqyer profesionistë, në gjuhë shqipe, letërsi, matematikë, fizikë, kimi, gjuhë të huaja, teknologji informacion e komunikimi, muzikë, vizatim etj., por, duhet pranuar, dhe pse me njëfarë pezmi, në periferi ka mësues që për t’u përgatitur për mësim lexojnë pak më shumë se librin e nxënësit. Pastaj themi se nxënësit nuk lexojnë. Një mësues që ka ndërprerë leximin, nuk është nxitës i të lexuarit tek nxënësit e tij. Vërtet teknologjia i ka larguar fëmijët nga leximi, por për mendimin tonë shkaku i parë është se me librin është “ftohur” mësuesi dhe prindi. Nëse dikujt kjo mund t’i duket një kritikë e tepruar, le të ndërmarrim një vizitë në shtëpitë e kolegëve tanë mësues për të parë ku e si janë bibliotekat vetjake?!

*

Nëse për një çast do ta kapërcenim “kufirin” në shtjellimin e problematikave të arsimit, çfarë mund të thuhet, kur, ndonëse mblidhen rregullisht qeveritë e Shqipërisë e Kosovës dhe lehtësojnë me të drejtë procedurat doganore etj., ne vazhdojmë të mos kemi një Abetare të përbashkët, siç e kishim para dhjetë vitesh (2012), pse jo, dhe gjithë paketën e teksteve shkollore kombëtare, si gjuha shqipe, letërsia, gjeografia, historia e artit etj. Nuk dimë as nëse ka ndonjë projekt për këtë nga dy akademitë e shkencave në Tiranë dhe Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat