Takimi Rama- Biden, episodik apo historik?

Opinione

Takimi Rama- Biden, episodik apo historik?

Nga: Xhevat MUSTAFA Më: 1 korrik 2022 Në ora: 09:40
Autori Xhevat Mustafa

Në samitin e NATO- s në Madrid, më 29 qershor 2022, kryeministri Edi Rama, arriti të çante grupin me presidentë dhe kryeministra të tjerë e të takohej me presidentin e SHBA- së, Biden...Ishte qartësisht një takim në këmbë e për disa sekonda! Nga sa u pa, mund të mendohet dhe pranohet, se pas prezantimit Rama i foli me shpejtësi Bidenit...

Rama thotë se i kërkoi edhe ofrimin e Kosovës me NATO-n. Duke ia pranuar këtë, del se nuk ka pasur kohë t'i kërkonte që ai të ushtronte më tepër presion ndaj BE- së për hapjen e negociatave me Shqipërinë... Për më tepër, brenda asaj pak kohe, sipas informacioneve mediatike, referuar burimit kryeministror, Biden i ka shprehur Ramës "fjalët më të mira për Shqipërinë, për rolin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në Ballkan..." Si mund të thuhen kaq shumë gjëra në kaq pak kohë???!!! Kushdo, që ka ndjekur gazeta e kronika televizive për jetën dhe karrierën e presidentëve të mëparshëm të SHBA-së, të vetë Biden apo të presidentëve të vendeve të mëdha në Evropë dhe Azi, ka të drejtë të thotë: ehu, sa shumë njerëz të rastësishëm e takojnë Biden nëpër veprimtari të ndryshme në Uashington e në vende të tjera, gjatë vizitave zyrtare!!!

Në të vërtetë, nga sa u pa në video dhe në kronikën e TV KLAN, në ora 15.30, Rama i bëri pritë Biden apo iu ngjit si "rrodhe"!

Në atë takim apo bisedë formale apo informale ra për keq në sy edhe një gjest apo detaj tjetër. Rama ynë, pse është vetë ish basketbollist, si asnjeri prej të pranishmëve në Samitin e Madridit dhe i gjatë për nga shtati, i pandeh si fëmijë homologët më "të lartë" nga ai për nga shteti dhe personaliteti...!!!??? Edhe më për turp e keq, u rreh supin e u hedh dorën në qafë, siç mund t'ia hedhë në Tiranë Arben Ahmetajt, Taulant Ballës, Erion Braçes, Elisa Spiropalit..., jashtë çdo etike zyrtare e diplomatike dhe duke harruar rregullat pandemike!!!???

Megjithatë, nga Tirana zyrtare dhe nga edramistët, adhurues të tij të flaktë, si dikur për Enverin apo që u nxjerr mallin e Enverit, për mjeshtërinë e të mashtruarit sy më sy për "fitoreje" pa asnjë çikë bereqet, duke "harruar" se "non grata" Berisha ka sjellë Presidentin Xhorxh W. BUSH në Tiranë, ky takim fluturimthi apo episodik do të quhet..."historik"!

Kuptohet, kjo "bisedë" e ky "takim" në këmbë i duhet Ramës për konsum propagandistik vetiak dhe ekipor, sa për të fituar pak pikë të pamerituara. Apo, për të marramendur e "droguar" për disa ditë edramistët, që vazhdojnë ta duan më shumë se veten dhe Shqipërinë, përmbytur nga varfëria e korrupsioni, nga dallgët e një lëmshi apo cunami krizash...!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat