Çka kërkon opozita?

Opinione

Çka kërkon opozita?

Nga: Skender Musliu Më: 3 korrik 2022 Në ora: 17:52
Skender Musliu

Që nga ardhje e Albin Kurtit në pushtet, duke filluar nga Qeveria Kurti 1, dhe gjer më tani, opozita në vazhdimësi, përmes kauzave të rrejshme manipulon me qytetarët, duke dashur t’a dobësojë dhe rrëzojë Qeverinë Kurti.

Kjo filloi gjatë Qeverisë Kurti 1, kur binomi Thaçi – Mustafa tentuan ta vendosin gjendjen e jashtëzakonshme duke dashur t’i suspendojnë Institucionet legjitime, me qëllim copëtimin e Kosovës, respektivisht dhënien e pjesës Veriore të Kosovës, Serbisë. Kur kjo iu shkoi huq, po ata, në publik hodhën një kauzë të rrejshme duke dashur t’ a manipulojnë opinion, se Albin Kurti po i rrezikon marrëdhëniet me SHBA-të.

Kështu, me këtë pretekst inekzistent, ky binom , respektivisht opozita e sotme, në mënyrë antikushtetuese shprehi mosbesim dhe rrëzoi Qeverinë Kurti 1, që më vonë Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli si Qeveri antikushtetuese Qeverinë Hoti dhe e çoi vendin në zgjedhje të jashtzakonshme. Dhe sikur të mos ishte ngritur aktakuza kundër Hashim Thaçit nga Prokuroria Speciale e Hagës, Kosova me Grenellat dhe Pallmerat në krye me Thaçin, do të ishte e ndarë.

Pasi antiamerikanizmi dështoi, opozita shpiki një kauzë tjetë të rrejshme, krizën energjetike, duke e fajsuar Qeverinë Kurti për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike. Mirëpo kjo shumë shpejt u demantua nga rrethanat e krijuara në botë, që u tregua se kriza energjetike ishte një fenomen global që përfshiu edhe vendet më të zhvilluara të botës.

Kauza e radhës ishte kërkesa dhe kërcënimi i opozitës që, mazhoranca parlamentare t’ a kthejë kufirin e Kosovës në Zhleb dhe Çakor. Ky ishte vetëm turpi i radhës, sepse vet ata që votuan Ligjin për Demarkacionin me Malin e Zi, tani kërkojnë nga Qeveria Kurti t’a rikthejnë kufirin aty ku ishte. Atëherë pse e votuan Demarkacionin ?!

Sikur kjo nuk iu mjaftoi, opozita me ndihmën e OVL-ve të UÇK-ës, ngritën kauzën tjetër, duke kërkuar nga Qeveria Kurti dhe mazhoranca parlamentare që t’a zhbëjnë Gjykatën Speciale të Hagës, që në realitet vet ata e themeluan me dy të tretat e votave, kurse LVV-ja ishte partia e vetme që e kundërshtoi me këmbëngulje formimin e saj.

Radha i erdhi edhe kauzës tjetër, opozita insistonte tërheqjen e parave të qytetarëve nga Trusti. Të gjithë ekspertët serioz, Qeveria Kurti por edhe organizmat kompetente ndërkombëtare, ishin dhe janë kundër kësaj nisme të opozitës, sepse kjo i bie sikur t’a presh degën në të cilën je i ulur. Në këtë kontekst, nuk ka asnjë praktikë në botë që mundëson tërheqjen e parave tani, e që janë të destinuara pas pensionimit, prandaj veprimet e Qeverisë Kurti janë të drejta.

Dhe së fundmi i erdhi radha kërkesës së opozitës dhe OVL-ve të UÇK-ës të përcjella me protesta, madje duke kërkuar dorëheqjen e Qeverisë Kurti, Ligjin për pagat minimale, që këta kërkonin edhe veteranët e luftës të përfshihen në këtë kategori. Kjo kërkesë është shumë legjitime dhe e drejtë që Qeveria Kurti në esencë nuk e kundërshton, por problemi paraqitet sepse numri i veteranëve të luftës është rritur nga 13 mijë në 60 mijë, që është e papërballueshme për Buxhetin e Kosovës. Prandaj Qeveria Kurti propozon, së pari pastrimin e listave të veteranëve e pastaj kjo të rregullohet me një akt të veçantë normativ duke ua rritur pagat.

Me këto veprime, duke manipuluar me opinionin, opozita dëshiron t’i pengojë reformat në drejtësi që Albin Kurti i premtoi gjatë fushatës së fundit zgjedhore, prandaj duke e ditur opozita se do të jetë subjekt trajtimi me Ligjin mbi pasurinë e pajustifikueshme dhe Ligjin mbi Vettingun, ata bëjnë çmos që të mos realizohen ato.

Fatkeqësisht, opozita kërkon nga Qeveria Kurti, që ajo t’ia përmirësoj gabimet dhe dështimet inkriminuake, të qëllimshme dhe të papërgjegjshme të kësaj opozite kur ajo ishte në pushtet, që është mision i pamundur.

Në vend që opozita të jetë konstruktive dhe të kontribuojë në miratimin e reformave të paralajmëruara, që është edhe konform kërkesave të Këshillit të Evropës, për fat të keq, një pjesë e saj sillet si një tufë pinguinësh që nuk gjejnë ujin edhe pse janë buzë detit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat