Open Ballkan- eksperiment që kushton

Opinione

Open Ballkan- eksperiment që kushton

Nga: Klement R. Camaj Më: 3 korrik 2022 Në ora: 18:36
Klement R. Camaj

Meqenëse tema e Ballkanit të hapur është bërë “hit” ndër shqiptarët, përmes këtij opinioni të shkurtër po shpreh mendimin tim se pse “Open Ballkan”, si një tryezë e të pabarabartëve, paraqet, jo vetëm një gabim moral dhe drejtim inferior, por edhe hap mbrapa ne skenën gjeopolitike shqiptare.

“Ballkani i hapur” është një formë e shkrirjes ekonomike dhe sociale, në të cilën shumica e pjesëtareve gradualisht e paaftësojnë veten, në favor të liderëve, të cilët “rriten” dhe shndërrohen në kult. Dhe siç dihet, me formimin e cilitdo kult politik, ndjekësit lihen mënjanë dhe bëhen të pafuqishëm për t’i rezistuar rendit te ri politik. Po sjelli më poshtë disa mendime.

Se pari, edhe pse flitet shumë për rritje të tregut dhe përfitime eventuale qe do të mund të sillte ky eksperiment, duket se injoranca, apo interesi, nuk lejon qe të shihen pabarazitë e qarta. Nëse analizohen faktet ekonomike shihet pastër, se kush përfiton. Prodhimi i brendshëm bruto (GDP) i përbashkët, i Mali te Zi, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, nuk barazohet me atë të Serbisë vetëm.

GDP e Malit te Zi, sipas Bankës Botërore për vitin 2020, është 4.77 miliard dollarë, ndërsa i Shqipërisë 14.88 miliard dollarë. Ndërkaq GDP i Kosovës është 7.72 miliard dollarë, kurse i Maqedonisë 12.27 miliard dollarë. Kështu, GDP-ia e përbashkët e katër anëtarëve potenciale, prej 39.5 miliard dollar, është diçka më shumë se gjysma e GDP-së së Serbisë, e cila, sipas të njëjtin burim, ka GDP-në prej 53.33 miliard dollar.

Pra, edhe pse flitet se të gjitha vendet që supozohet se do të marrin pjesë në Ballkanin e hapur, do përfitojnë nga tregu i përbashkët, Serbia do të jetë ajo që gjithmonë do të përfitojë me shumë. E një Serbi me o fortë se të gjitha anëtarët e tjera së bashku, nuk jep shpresë se do të kemi një bashkëpunim partnerësh.

Se dyti, Rusia, përmes Lavrovit, publikisht ka përkrahur këtë iniciativë, çka me të drejtë e klasifikon si një projekt Serbo-Rus. Pastaj, Vuçiq, këtë iniciative e sheh si një shumëzues forcash për ambiciet e Serbisë, e jo një zëvendësimi i të njëjtave ambicie. Shkurtimisht, kjo iniciative nuk do te këtë sukses, nëse dikush mendon se do të ulë ambiciet serbe për të dominuar në Ballkan. Madje, kjo nismë, as nuk është e projektuar që të detyrojë Serbinë t’i miratojë standardet e Bashkimit Evropian, sa u përket praktikave demokratike.

Edhe pse në konceptin baze, Bashkimi Evropian dhe Amerika e mbështesin idenë e bashkëpunimit ekonomik rajonal, mendoj se është një qëndrim i gabuar i Fuqive të mëdha në Ballkan, kur kërkojnë bashkëpunim me çdo kusht, pa kuptuar sa duhet gjeografinë kulturore te rajonit, e me çka u hapin ambiciet liderëve nacionalistë që nxisin dhunë. Për me tepër, nëse injorojmë historinë, ajo mund të rezultojë ne përsëritjen e saj.

Vlen vetëm të kthejmë filmin mbrapa te Traktati i Londrës (1913), i Bukureshtit (1913), apo edhe më mbrapa, te Kongresi i Berlin (1884-85), e të shihet qartë se qëllimet dhe objektivat e Serbisë pak a shumë gjithmonë kanë qenë te ngjashme; Serbia e Madhe, Serbia e Grashaninit dhe e Akademisë serbe, Serbia e cila akoma vazhdon të ëndërrojë mbretërinë e car Duashnit.

Përfundimisht, nëse shikohen faktet nga burimet e ndryshme arkivore e akademike, lehtësisht mund të vihet deri te konkludimi se zgjerimi dhe forcimi i Serbisë gjithmonë është bere në dëm të territoreve shqiptare dhe “Ballkani i hapur” nuk është asgjë më pak se forcim i pozicioneve dominuese serbe.

Prandaj, ne këtë moment, shqiptari që mbështet këtë nocion prapanik, ose nuk i njeh faktet, sepse ato nuk janë paraqitur ne mënyrë të drejte, ose mendojnë se do të kenë përfitime personale, apo për grupin e vet politik. Sido që të jetë, mbështetja e kësaj iniciative nga shqiptarët, në përgjithësi, paraqet jo vetëm gabim moral, por edhe hap të madh mbrapa, politik dhe shoqëror.

Autori është analist i gjeopolitikës, Profesor i Shkencave Politike – Manhattan College

Doktorant i Diplomacisë Kulturore dhe Migracionit – UWS & ICD

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat