Berisha me synim, pushtimin e kështjellës së dytë!

Opinione

Berisha me synim, pushtimin e kështjellës së dytë!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 7 korrik 2022 Në ora: 00:04
Sali Berisha

Kushtet tani janë pjekur. Revolucioni siç shihet, do vazhdoi. ( sipas planit putinist ) Përvoja për pushtimin e kështjellave nuk mungon, sepse Berisha para ca muajsh kishte ripushtuar ish byrotë e tij dhe kështjellën e Lulit.

Përgatitjet për pushtimin e kryeministrisë –  kështjellës së Ramës, kanë përfunduar me sukses.

Berisha në konferencën e shtypit foli në pika të shkurta për planin e pushtimit, pa dhënë detaje të hollësishme, duke bërë me dije se do të ketë surpriza që kundërshtarin ta hutoi, duke e nxënë në befasi.

Në vijën e parë do të jenë druvarët dhe sharra gjinjtë për prerjen e drunjëve në afërsi të kështjellës, në mënyrë që t´i bllokojnë rrugët për pengimin e intervenimit të zjarrfikësve, policisë, ushtrisë, kryqit të kuq, ndihmës së shpejtë, tankeve dhe artilerisë.

Në radhë pastaj do të jenë shkalla gjinjtë për t´i vendosur shkallët deri në dritaren e byrosë së Ramës. Shkalleve pritet të ngjiten alpinistët, parashutistët, shkop kërcyesit, atletët, karateistët, magjistarët, boksierët, valltarët, reperët, operistët, baletistët, kopshtarët, pylltarët, gazetarët, kameramanët, kineastët,  aktorët, opozita, të papunët, të pastrehët, pensionistët, të larguarit nga puna, të ikurit, të varfërit, të uriturit, të plaqkiturit, etj.

Nëse pushtimi i kështjellës rrjedh sipas parashikimit atëherë pritet të organizohet festë e madhërishme, po edhe Rama është përgatitur për mbrojtjen e kështjellës së tij.

Në fakt Rama nuk kishte organizuar konferencë shtypi nga shkaku se gazetarët ia kishin bojkotuar takimin, duke protestuar se javën e kaluar ai e kishte fyer një nga gazetarët, i cili ia kishte parashtruar një pyetje, që atij fare si kishte pëlqyer.

Rama me këtë rast gazetarit ia kishte komunikuar aty për aty dënimin, me tre muaj në kamp të riedukimit. ( metodë stalinisto – enveriste, po ç´t´i thuash ).

Edhe pse mungonin informacione të sakta se si Rama do ta organizoi mbrojtjen e kështjellës, disa gazeta të pavarura kishin spekuluar mbi planin e tij.

Sipas shtypit të pavarur kryeministri Rama, me kohë ka ndërmarr masa që kështjellën me çdo kusht ta mbroj. Për t’iu kundërvënë ngjitjes nga shkallët ai e ka përgatitur skuadrën e ujit me shtypje të fuqishme, skuadrën e katranistëve, skuadrën e rrëzimit të Teatrit, skuadrën e inceneratoristëve, skuadrën e korrupsionit, skuadrën e vjedhjes së votave, skuadrën e blerjes së votave, skuadrën e kanabistëve, skuadrën e tenderistëve, skuadrën e enveristëve, të vuçistëve, të open ballkanit, skuadrën e Thaçit, skuadrën e ndarjes së Kosovës, skuadrën e mediave sociale, skuadrën e Partisë Socialiste, skuadrën e basketbollistëve etj.

Siç po vërehet do të jetë një luftë e pa kompromis. Berisha në njërën anë me simpatizantët e tij për pushtimin e kështjellës, do luftoj kundër sindromit  non grata , kurse rivali i tij Rama do të përpiqet që me skuadrat e tij me çdo kusht ta mbroj kështjellën, sepse me kështjellën lidhet edhe e ardhmja e tij.

Nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar është apeluar në dy palët që t’iu përmbahen rregullave të lojës dhe  t´i respektojnë standardet e Play Offit, përndryshe do të ndëshkohen që të dy.

Në masat e gjëra mbretëron dëshira që njëherë e përgjithmonë ky popull i vuajtur, të lirohet nga despotët e tij të përjetshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat