“Asociacioni i komunave me shumicë serbe” i dirigjuar nga Vuçiqi nëpërmjet Listës serbe, po zbatohet në praktikë

Opinione

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe” i dirigjuar nga Vuçiqi nëpërmjet Listës serbe, po zbatohet në praktikë

Nga: Hafiz Shala Më: 4 gusht 2022 Në ora: 09:48
Autori Hafiz Shala

I nderuari President Biden, populli shqiptar i Dardanisë, përjetësisht është mirënjohës për angazhimin dhe kontributin e Juaj rreth çështjes shqiptare me theks të veçantë, asaj dardane gjatë gjithë shërbimit Tuaj në të gjitha postet në të cilat i keni shërbyer kombit amerikan, paqes në botë dhe, posaçërisht në zgjedhjen e drejtë të çështjes së Dardanisë në të gjitha fazat, që nga angazhimi i Juaj, në cilësinë e Senatorit, të Nënpresidentit dhe, tani në krye të shtetit më të fuqishëm në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jam shumë i nderuar që në cilësinë e anëtarit të Bordit Ekzekutiv, e kam pas rastin të jem dëshmitar i angazhimeve tuaja në cilësinë e Senatorit, me theks të veçantë si Kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, rol i cili ishte vendimtar pasi, duke u njohur me realitetin e pozitës së shqiptarëve nën regjimin e Millosheviqit, i cili ushtronte terror e në luftën e fundit edhe gjenocid, Lobi Shqiptar i drejtuar nga zoti DioGuardi dhe zonja Sherley Cloys DioGuardi bashkë me Bordin Ekzekutiv, të cilit i dolët krah për më tepër se 30 vite, duke iu ofruar të dhëna dhe informacione të vërteta, ishit iniciator i pa luhatshëm ne ndikimin e Administratës cilado që ishte në pushtet për të ndërmarr hapa të nevojshëm, që nga intervenimi i NATO-s deri te pavarësia dhe shtetndërtimi i Dardanisë.

Pa dashtë që t’i numërojmë shumë nga veprimet tuaja konkrete e deri te ballafaqimi me Millosheviqin në zyrën e tij pas shumë kërkesave nga ai, të cilit ia dhatë përgjigjen si askush më parë. Serbia u bombardua, Dardania u çlirua, Millosheviqi përfundoi në Hagë ashtu siç iu përgjigjet në pyetjen e tij në zyrën e tij se, çka mendoni për figurën e tij.

I thatë: ju jeni një diktator dhe do të përfundoni si të gjithë diktatorët tjerë, në prezencën edhe të Radovan Karaxhiqit.

I nderuari President Biden, siç e dini Ju mirë si askush tjetër, në krye të shtetit serb qëndron, po i njëjti person bashkëpunëtor dhe ministër i informatave në kohën e Millosheviqit i cili, jo qe kurrë nuk u distancua nga krimet dhe gjenocidi në Dardani, por, edhe po vë kushte e sabotime ndaj bisedimeve, Dardani-Serbi.

Merreni me mend, i nderuari President ai, nëpërmjet bashkëpunëtorëve, aleatëve të financuar sikur Richard Grenell i cili, kryeministrin Kurti e quan fashist, ndërsa, Vuçiqi deklarohet se me Albin Kurtin nuk bisedohet sepse, nuk po mund t’i diktoj se si me u sjellë me të sikur vepronte me paraardhësit e tij.

Në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare e diplomatike, nuk ekziston ndonjë rast kur, burrështetasi i një shteti tjetër e konteston dhe i vë kusht kryetarit të një shteti tjetër të zgjedhur, në rastin konkret, për herë të parë në historinë e Dardanisë me mbi 50% të votave, se nuk mund të bisedohet me të.

Nëse ndokush duhej të kontestohej me të drejtë, anipse nuk është praktikë, ai, duhej të ishte Aleksandër Vuçiqi, i cili, në vend të kërkimfaljes për gjenocidin dhe distancimin nga politikat e ish-shefit të tij, ai, me mburrje i vazhdon politikat e tij, luftënxitëse duke provokuar në baza ditore, përmes grupeve kriminale të organizuara në veriun e Mitrovicë si grup partiak, Lista serbe të cilën edhe drejtpërsëdrejti e dirigjon ai.

Titulli i këtij shkrimi, i nderuari President, tani, i nderuar Sekretar Blinken dhe i nderuari Ambasador, Honevier, i angazhuar direkt rreth zbutjes së situatës së krijuar, ky, do të ishte roli i “ Zajednicës siç e quajnë ata, në bllokimin e funksionimit të shtetit të cilin, SHBA-ja e themeloi dhe ndërtoi sipas konceptit të demokracisë amerikane.

Tani, ata kërcënojnë dhe kushtëzojnë rreth formimit të kësaj ngrehine në kundërshtim me vullnetin shumicë të popullit shqiptar, në kundërshtim më Kushtetutën e Republikës së Dardanisë, i kontestuar në 23 nenet e sajë, kundër së cilës u deklarua edhe senatori Bob Menendez në një takim i mbajtur me Lobin Shqiptar në shtator të vitit të kaluar, i cili njëherit është edhe kryetar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin Amerikan.

Senatori Menendez, gjatë dëshmisë së zotit Eskobar, i dërguar i Presidentit Biden rreth bisedimeve me Serbinë, e pyeti se, a mendoni se Asociacioni duhet të themelohet me kompetenca ekzekutive dhe, a mendoni se duhet të formohet një Republikë serbe në Dardani. Përgjigjja ishte, negative.

Mirënjohje dhe respekt për angazhimin e Sekretarit të Shtetit, zotit Antoni Blinken për pranimin dhe bisedimet me përfaqësuesit e zgjedhur nga populli shumicë i shtetit të Dardanisë, i cili ishte vërtetë domethënës, i sinqertë dhe frytdhënës.

Nga ky takim, shihet se keni qenë të informuar në mënyrën më të sinqertë, nga Presidentja zonja Vjosa Osmani dhe nga Kryeministri, zoti Albin Kurti.

Fatkeqësisht, Aleksandër Vuqiq përmes Listës Serbe, organizatë e dirigjuar nga grupet kriminale, disa nga ta i keni shpallë edhe persona nongrata, po e rrezikojnë stabilitetin, funksionimin e shtetit dhe sigurinë në Ballkan, Evropë dhe më gjerë, sipas direktivave dhe kërkesave nga diktatori e krimineli i Kremlinit, Vlladimir Putin, i cili po ushtron gjenocid në Ukrainë, me qellim që të nxisë konflikte edhe në Ballkan nëpërmjet aleatit të sajë, Serbisë.

Udhëheqja e Dardanisë edhe për të satën herë, dëshmoj se është me aleatin, shpëtimtarin dhe gardianin bashka me popullin shqiptar i cili si asnjë komb apo popull, është dashamirës e mirënjohës i SHBA-ve.

Duke i pranuar me dëshirë dhe vullnet, udhëzimet, kërkesat dhe sugjerimet e juaja, që nga pranimi i refugjatëve afgan, sanksionet ndaj Rusisë dhe dënimi i pushtimit të Ukrainës, bashkëpunimi në aspektin e sigurisë, pjesëmarrja në ushtrimet e përbashkëta ushtarake me ushtrinë Amerikane, është dëshmi se nuk ka kurrfarë luhatje ndaj përcaktimit për mikun tonë historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës siç pretendon opozita pa kurrfarë dëshmie.

Fatkeqësisht, një opozitë e cila më së paku e luan rolin e opozitës, duke e sulmuar pushtetin nën akuza si antiamerikan, se gjoja të gjitha kontaktet i shohin si false e formale duke e dezinformuar e propaganduar përmes shërbimeve inteligjente, agjenturave të huaja, të disa mjeteve të informuara të sponzoruara nga kushedi, cilat janë të strehuara në “oazën” e quajtur, veriu i Mitrovicës sepse nuk lejohet qe të shtrihet autoriteti mbi atë pjesë ku, kohëve të fundit u zbuluan shumë lokale të përpunimit të drogës, të trafikimit me qenie njerëzore e çka jo tjetër.

Tani, opozita e shfrenuar dhe alarmuar pas luftimit të krimit, korrupsionit dhe pasurimit përmes veprimeve të jashtëligjshme dhe, atë, fatkeqësisht edhe me grupet kriminale, serbo-shqiptare, janë bashkuar me qellim të rrëzimit të kësaj qeverie, e cila po e vazhdon guximshëm t’i luftojë e pa kompromis në kapjen dhe sjelljen para drejtësisë së akterëve të këtyre veprimeve.

Ambasadori Jeffry Hovenier, një diplomat karriere dhe shumë i sinqertë i përkushtuar e dashamirës i shtetit të Dardanisë, është i angazhuar maksimalisht e sinqerisht për paqe, drejtësi e demokraci i cili, në momentin kritik i krijuar nga grupet kriminale serbe të dirigjuara nga Serbia, duke organizuar sulme të armatosura të grupeve terroriste kriminale mbi policinë dhe qytetarët shqiptar, ndërhyri dhe e shmangu një fatkeqësi me përmasa ndërkombëtare.

E falënderojmë ambasadorin Hovenier për qartësimin rreth ndërhyrjes në veri në mbrojtje të kushtetutshmërisë së shtetit i cili, në emër të SHBA-ve e sqaroi se, çdo gjë ishte në koordinim dhe bashkëpunim, anipse, kjo “opozitë” nuk dëshiron t’u besojë këtyre sqarimeve nën akuza se, janë bërë krye në vete.

Deklaratat e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian se, palët duhet të përmbahen, është stereotip i vjetër i konsumuar sepse, nuk janë të dyja palët në këtë rast në të njëjtat pozicione. Serbia është ajo qe po nxitë konflikte dhe, po e rrezikon paqen. Evropa, nuk mund të ulet në dy karrige: edhe me Amerikën edhe me Rusinë, përpos Britanisë së Madhe, e cila dallon nga shtetet tjera të BE-së.

Zoti Borrel dhe zoti Lajçak, përfaqësues të dy shteteve mosnjohëse të Dardanisë, qëndrimet e tyre, nuk janë krejtësisht të qarta e të sinqerta.

Në këtë lëmsh të paqartë dhe të mjegulluar, është i involvuar edhe kryeministri Shqiptar, Edvin Kristaq Rama i cili, fatkeqësisht është aleati më i afërt e i sinqertë i Aleksandër Vuçiqit, i cili, në vend se të ishte në anën e bashkëkombësve të vetë, ai, po punon në cilësinë e kolaboracionistit të Serbisë që, u vërejt edhe në takimin e tij me kryeministrin e Punëve të Jashtme të Spanjës, besoj edhe i ftuar nga nikoqiri i tij.

Të nderuar lider dhe përfaqësues të SHBA-ve, iu drejtova shkëlqesisë Suaj që, ta keni parasysh se është krijuar ky front, jo vetëm kundër interesave të Dardanisë, nga frika se do të zbulohen qëllimet e tyre politike, por, edhe ato kriminale, janë të drejtuara edhe kundër interesave amerikane.

Angazhimi i Juaj i drejtpërdrejtë në përfundimin e këtij dialogu të stërzgjatur qëllimisht nga ana e Serbisë, por edhe me heshtjen e Evropës, do të ishte zgjedhje përfundimtare me njohje reciproke e obligueshme, për të dyja palët.

Evropa, të nderuar, sipas asaj formule ngreh e mos këput, nuk është në gjendje ta përfundojë këtë cikël me rëndësi ndërkombëtare.

Shpresa e popullit shqiptar, qëndron fuqishëm te Amerika.

Zoti e bekoftë Amerikën, zoti e bekoftë popullin shqiptar.

 

Nju York

3 gusht 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat