Kur do të bastisej Grenelli? Shpresoj kjo t’i ndodhi

Opinione

Kur do të bastisej Grenelli? Shpresoj kjo t’i ndodhi

Nga: Idriz Morina Më: 9 gusht 2022 Në ora: 16:45
Richard Grenell, ish i dërguari i Trampit për bisedimet Kosovë-Serbi

Richard Grenell, ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë dhe Serbi dhe ish-ambasador në Gjermani ka thënë se “Trump është më i fortë se kurrë më parë”, duke shkruar në Twitter, të martën.

Por, çfarë nëse mund të ndodhë një bastisje, pra një hetim ndaj Grenellit? Po edhe më keq, nëse ai kapet fajtor nga drejtësia!

Unë besoj shumë se miqësia e tij me serbët, dhe pastaj thellimi i saj, në një lloj ‘miqësie të përhershme’ të pretenduar në një mënyrë nga ai, dhe duke e futur në këtë mes nga politikanët e Kosovës Hashim Thaçin, është plotësisht e dyshueshme, që në mes është ‘lidhja e komprometimit’.

Nuk ka ndonjë rast në botë, që një emisar, diplomat karriere ose jo (siç është Grenell), që të jetë kaq ‘dashamirës’ me të dyja palët e bisedimeve.

Afria e çuditshme, me Vuçiqin dhe Thaçin

Kjo afri e çuditshme është shumë e dyshimtë. Dyshueshmëria lidhet edhe më shumë kur, kësaj i shtohen faktet, se Hashim Thaçi nuk ishte mbrojtës i flakët i tërësisë tokësore të Kosovës. Madje thoshte se veriu (Leposaviçi dhe Leshaku) ishin dhurata të “Rankoviçit”, pra që sipas tij dhe formuluesve të kësaj teze duhej kthyer, sepse ai ka qenë vërtetë një udhëheqës serb e jugosllav i tmerrshëm.

Por, kur serbët i morën territoret e shqiptarëve, të Kosovës, nga Nishi (1878) e deri në kufi me Shqipërinë (1912-1925), ishin dhurata të Rusisë dhe të disa shteteve të Perëndimit.

Kosova u çlirua, pa ia arritur Serbia ta mbante të pushtuar Kosovën, as 70 vjet, nëse e llogarisim kohën e autonomisë së Kosovës (1974), pushtimin gjerman dhe italian etj. Për rreth dhjetë mijë vjet ishte sunduar nga të parët tanë, deri kur ra nën pushtimin më të gjatë romak, e më vonë edhe në atë osman.

Askush nuk e përfilli Lidhjen e Prizrenit dhe kërkesat e shqiptarëve për Pavarësi nën sovranitetin e sulltanit, me qëllim të ruajtjes së tërësisë tokësore të shqiptarëve, që të mos copëtoheshin nga fqinjët, grekët, malazezët, bullgarët e nga serbët.

Pas kundërshtimeve të fuqishme, atë qasje u detyrua të paktën në deklarim ta ndryshonte edhe vet Hashim Thaçi, duke folur për ‘korrigjim kufijsh’! Dëmi ishte bërë.

Grenelli gjithherë thoshte se ai nuk kishte ide për këtë projekt! Diçka e pabesueshme, që vetëm koha mund ta tregojë të vërtetën!

Përveç se për Grenellin qëndrimet e Thaçit ishin të favorshme për të arritur një marrëveshje Kosovë-Serbi, në favor të kësaj të fundit, kishte mundësi afrimi edhe nga një raport tjetër.

Thaçi shumë figura kishte arritur t’i ofronte rreth vetes, duke i joshur dhe duke iu mundësuar përfitime.

Pra, çfarë mund të përfitonte Grenelli nga Thaçi, ne nuk kemi informacione, por ajo ishte ‘metodë’ e punës së Thaçit, ngjitjes në skenën politike dhe vazhdimit të mbetjes atje, derisa nuk ia doli, dhe u arrestua nga gjykata speciale. Po ashtu Grenelli nuk ia doli që ta ndihmonte në këtë pikë Thaçin.

Por, fakti se atëherë nuk ia doli, nuk do të thotë se nuk mund ta bëjë këtë në të ardhmen, që ta ndihmojë atë të lirohet nga akuzat.

Jo rastësisht Grenelli bëri thirrje, duke e sulmuar Kurtin, që Kosova kishte nevojë për Thaçin, dhe madje se po kërkohej nga ‘kosovarët’. Ky deklarim ishte një propagandë tipike!

Atëherë nëse Grenelli vazhdon të zhvishet nga imazhi fillestar, diplomat i fuqishëm amerikan, njeri që ndikonte apo komunikonte drejtpërdrejt me presidentin amerikan (atëherë) Tramp, çfarë mund të ndodhë me ata politikanë në Kosovë, që e fshihnin dorëzimin e tyre para interesave të Serbisë, pas Grenellit, duke e deklaruar si qëndrim të mirëfilltë amerikan?!

A nuk është koha që të kërkojnë falje publike, për lajthitjen e opinionit, për krijimin e një atmosfere të papranueshme, që siç po rezulton, nuk ishte dhe nuk bëhej në interes të Kosovës.

E zyrtarët e LDK-së me gjithë ndryshimet në parti, duhet ta sqarojnë atë raport, sepse më shumë se cilado parti, duhej të mbante rezerva, për sa kohë, që ndërmjetës i porosive të Grenellit ishte Hashim Thaçi, me dy damka të mëdha antiRugoviste:

1. Hashim Thaçi kishte deklaruar publikisht se do t’i falej territor Serbisë, shkelje flagrante e parimeve sovraniste dhe integraliste të Rugovës, për fatin e Kosovës; dhe

2. Hashim Thaçi, po kërkohej nga gjykata speciale edhe për shkak të vrasjes së zyrtarëve të shumtë të LDK-së.

Pra, paria e LDK-së, kishte zgjedhur që për interes të Hashim Thaçit ta sakrifikonte edhe një pjesë të atdheut, edhe viktimat dhe familjet e tyre, pavarësisht që kishin rënë për shkak të mbështetjes së Rugovës dhe vetë LDK-së. Pra, po ia fyente dinjitetin martirëve të saj, përfshirë intelektualët dhe atdhetarët e shquar si Xhemail Mustafa, Enver Maloku, Ahmet Krasniqi e qindra të tjerë.

Në saje të këtyre raporteve të Grenellit me Thaçin, u krijua edhe qeveria Hoti, por që u rrëzua më pas nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të cilën se kontrollonte dot më tej Thaçi me kompaninë e tij!

Partitë tjera mund ta bënin, por kjo ishte e papranueshme për LDK-në, jo vetëm për shkak të rugovizmit, por edhe të vetë historisë së saj, si lëvizje madhështore historike, e papërjetuar kurrë më parë, në formë, përmbajtje, organizime, veprime, konstituim të “Shtetit paralel” etj.

Një hetim parlamentar?

Shpresojmë, që të mos zbulohen akuza edhe më të rënda për Grenellin, dhe frymën e tij proserbe, pasi vërtetë raportet e atyre që kanë bashkëpunuar ngushtë me të, duhet të trajtoheshin edhe nga një hetim parlamentar edhe nga drejtësia.

Dita e djeshme ishte një ditë e rëndë për karrierën politike të ish-presidentit amerikan Donald Tramp.

“Një grup i madh agjentësh të FBI-së” kreu një “bastisje të paparalajmëruar” në rezidencën time Mar-a-Lago në Palm Beach", ka thënë ish-presidenti amerikan Tramp, në një deklaratë, sipas së cilës rezidenca e tij po “bastisej” nga agjentë të FBI-së, të cilën ai e quajti një akt të “sjelljes së pahijshme të prokurorisë”, si raporton BBC.

Tramp po hetohet nën dyshimin se ai mund të ketë nxjerrë, fshehur dhe dëmtuar dokumente zyrtare dhe sekrete të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas REL-it, në shkurt, Arkiva Shtetërore, një agjenci e qeverisë së SHBA-së, e cila menaxhon ruajtjen e dokumenteve presidenciale, i kishte kërkuar sistemit të drejtësisë ta hetojë ish-presidentin Tramp për mënyrën se si ai i ka menaxhuar dokumentet zyrtare.

Arkiva Shtetërore kishte deklaruar se ka siguruar 15 kuti nga shtëpia e Trampit, disa prej të cilave kanë pasur dokumente të klasifikuara.

Një hetim i ngjashëm, për çfarëdo shkeljesh që mund të ketë bërë Grenell, do të ishte një rast i mirë, për drejtësinë, por në veçanti për politikën në Kosovë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat