Letër e hapur Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI-së) në Prishtinë

Opinione

Letër e hapur Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI-së) në Prishtinë

Nga: Faik Miftari, avokat Më: 9 gusht 2022 Në ora: 18:00
Autori Faik Miftari

Këtë letër të hapur po e shkruaj, duke marr parasysh përvojën profesionale, gjatë përfaqësimit të palëve në procedurë administrative, me ç’rast palët hasin në “vesh të shurdhër” në procedurë administrative, saktësisht nga ana e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë, si organ i shkallës së dytë në procedurë administrative, në kundërshtim me Ligjin e Procedurës së Përgjithshme Administrative Nr. 05/L-031 në fuqi në Republikën e Kosovës.

Ligji për procedurën e përgjithshme administrative Nr. 05/L-031 në fuqi në Republikën e Kosovës në mënyrë shumë të qartë sqaron procedurën dhe ligjshmërinë administrative, barazinë dhe mos diskriminimin e qytetarëve, objektivitetin dhe të paanshmërinë e tyre në raport ndaj qytetarëve: “Procedura administrative është tërësia e renditur sipas ligjit e veprimeve procedurale dhe materiale të njëpasnjëshme të organit publik, që ka për qëllim përgatitjen dhe vendimmarrjen për një veprim konkret administrativ, shqyrtimin e mjeteve juridikeadministrative, si dhe ekzekutimin e aktit administrativ. Organet publike veprojnë në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi, si edhe me rregullat e përgjithshme administrative të zbatueshme brenda kompetencave të tyre dhe në përputhje me qëllimin për të cilat janë dhënë këto kompetenca. Organi publik vepron në pajtim me parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit. Organi publik duhet të veprojë në mënyrë objektive dhe të paanshme”.

Vendimin që e sjell organi i caktuar administrativ duhet të jetë konform ligjit në fuqi, si në pikëpamje të dispozitës mbi kompetencat, ashtu edhe në pikëpamje të formës, të zbatimit të rregullt të procedurës administrative gjatë së cilës në mënyrë të plotë dhe të drejtë është vërtetuar gjendja faktike e çështjes së caktuar. Para se të sillet aktvendimi për një çështje të caktuar duhet paraprakisht të realizohet procedura provuese për vërtetimin e të gjitha fakteve dhe rrethanave me rëndësi të posaçme për të nxjerr një aktvendim të plotë, të drejtë dhe të ligjshëm.

Në vijim të letrës së hapur do të cek katër raste praktike, ndaj të cilëve edhe përkundër ankesës së ushtruar konform dispozitave ligjore, organit të shkallës së dytë, saktësisht Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë, ndaj së cilës MMPHI-ja në Prishtinë, përveç rastit të parë të ankimimit, në tri raste tjera të ankimimit fare nuk është përgjigj, me ç’rast palët në procedurë i ka neglizhuar dhe iu ka shkaktuar përveç dëmit edhe shkeljen e të drejtave të tyre ligjore për mjetet juridike të përdorura konform dispozitave në fuqi në Kosovë.

I Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit (DUPH-ja) ka nxjerr vendim për dhënien e lejes ndërtimore, Nr. 04-351/02-154837 të datës 12.10.2021 për ndërtimin e objektit për banim kolektiv, afarizëm dhe administratë me etazhitet 2B+P+5 në rrugën Ardian Zurnagjiu në Prizren. Në afatin e paraparë ligjor pala ka parashtruar ankesë MMPHI-së në Prishtinë që të aprovojë ankesën dhe të anulojë këtë vendim të kundërligjshëm për shkak se është në kundërshtim me nenin 102 par.1 të Ligjit për Procedurë të Përgjithshme Administrative Nr. 05/L-031, në kundërshtim me nenin 4 nënpar. 1.2, nenit 21 par.1 të Ligjit për ndërtim Nr.04/L-110, në kundërshtim me nenin 6 të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Nr. 08/2017, nenin 18 par. 2 të Ligjit për Planifikim Hapësinor Nr. 04/L-174, nenit 6 par.6.4 të Ligjit Nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore, etj.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë, e ka aprovuar ankesën dhe e ka shfuqizuar Vendimin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit, Nr. 04-351/02-154837 datë 12.10.2021 dhe ka obliguar DUPH-së të merr vendim të ligjshëm në këtë çështje administrativo-juridike në afat prej 30 ditësh, nga dita e pranimit të këtij vendimi.

II Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor e Komunës së Prizrenit, ka nxjerr vendimin e njëjtë të kundërligjshëm, Nr. 04-351/02-154837 datë 15.02.2022 për lejimin e ndërtimit të objektit me etazhitet të lartë 2B+P+5 në rrugën Ardian Zurnagjiu në Prizren, duke mos marr për bazë fare rekomandimin e MMPHI-së në Prishtinë. Pala në procedurë në afatin e paraparë ligjor ka parashtruar prapë ankesë ndaj vendimit të kundërligjshëm të DUPH-së të Komunës së Prizrenit. Për dallim nga hera e parë, tani MMPHI-së në Prishtinë në afatin e paraparë ligjor prej 30 ditësh nuk e ka nxjerr vendimin në ankesën e ushtruar, edhe pas kërkesës shtesë të afatit të mëtejmë prej 7 ditësh me kërkesë të përsëritur të palës në procedurë prapë MMPHI-ja në Prishtinë nuk e ka nxjerr vendimin ndaj ankesës së ushtruar, me ç’rast në kuptim të nenit 29 par. 1 të Ligjit për Konflikt Administrativ Nr. 03/L-202 llogaritet sikur t’i ishte refuzuar ankesa.

Si është e mundur që vendimin e parë të DUPH-së të Komunës së Prizrenit, MMPHI-ja në Prishtinë me vendimin e saj e ka e ka aprovuar ankesën dhe e ka shfuqizuar Vendimin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit, Nr. 04-351/02-154837 datë 12.10.202, ndërsa ndaj vendimit të dytë të DUPH-së të komunës së Prizrenit, për të njëjtën çështje MMPHI-ja në Prishtinë në afatin e paraparë ligjor fare nuk e nxjerr vendimin ndaj ankesës së ushtruar organit të shkallës së dytë, MMPHI-së në Prishtinë, me të cilin palës në procedurë llogaritet se i është refuzuar ankesa. Ky veprim i MMPHI-së është paprecedent dhe është absurd të ndodh në procedurë administrative, fare pa shqyrtuar, pa vendosur, pa nxjerr vendim ndaj ankesës së palës, por me heshtje administrative, duke mos vepruar ia humb të drejtën përgjigjes në ankesë së palës në procedurë administrative nga MMPHI-së në Prishtinë, dhe njëherit llogaritet sikur t’i ishte refuzuar ankesa e palës në procedurë administrative.

III Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit ka nxjerr vendimin, Nr. 04-353/01-900 të datës 12.04.2022 me të cilën e ka ndërprerë vazhdimin e lejes së kioskut-barakës, në bazë të vendimit Nr. 04/4.3253, të datës 23. IV. 1968 të ish Kuvendit të Komunës së Prizrenit, dhe ka obliguar pronarin e barakës që në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktvendimi, të bëjë largimin vullnetar të barakës të cilën e ka në shfrytëzim, pas plotfuqishmërisë së këtij aktvendimi.

Pala në procedurë në kuptim të udhëzimit juridik në aktvendim, në afatin e paraparë ligjor ka parashtruar ankesë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë, kundër vendimit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit që të aprovojë ankesën e palës dhe të anulojë vendimin e kundërligjshëm për shkak se është në kundërshtim me nenin 102 par. 3 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative Nr. 05/L-031.

Për të dytën herë me radhë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë në afatin e paraparë ligjor prej 30 ditësh nuk e ka nxjerr vendimin në ankesën e ushtruar, pas kërkesës shtesë të palës në afat të mëtejmë prej 7 ditësh me kërkesë të përsëritur të palës në procedurë prapë MMPHI-ja nuk e ka nxjerr vendimin ndaj ankesës së ushtruar, me ç’rast në kuptim të nenit 29 par. 1 të Ligjit për Konflikt Administrativ Nr.03/L-202 llogaritet sikur t’i ishte refuzuar ankesa nga MMPHI-së.

IV Drejtoria për Inspektorate–Sektori i ndërtimit të Komunës së Prizrenit nxjerr konkluzion të kundërligjshëm, Nr. 17-354-262/1 të datës 16.05.2022 me të cilin urdhëron pronarin e barakës të fillojë ekzekutimin e detyrueshëm të aktvendimit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Nr. 04-353/01-900 të datës 12.04.2022, dhe se ushtrimi i mjetit juridik në vendimin e organit administrativ nuk e ndal ekzekutimin e konkluzionit të Drejtorisë së Inspektoratit.

Në afatin e paraparë ligjor të udhëzimit juridik të konkluzionit pala në procedurë i ka parashtruar ankesë Komisionit për parashtrimin e ankesave të Komunës së Prizrenit që të aprovojë ankesën si të bazuar dhe të shfuqizojë konkluzionin si të kundërligjshëm, në kundërshtim me aktvendimin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit.

Komisioni për parashtrimin e ankesave i Komunës së Prizrenit në përgjigjen e saj në vend se të pranojë ankesën e palës dhe të anulojë konkluzionin e kundërligjshëm të Drejtorisë së Inspektorateve në Prizren, e refuzoi ankesën dhe e miratoi konkluzionin e kundërligjshëm të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit.

Kundër vendimit të kundërligjshëm të Komisionit për parashtrimin e ankesave të Komunës së Prizrenit, pala në procedurë në kuptim të Udhëzimit Juridik ka parashtruar ankesë Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që të aprovojë ankesën si të bazuar ndërsa aktvendimin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave të anulojë si të kundërligjshëm, ose të kthej në rivendosje për shkak se është në kundërshtim të plotë me nenin 130 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative Nr. 05/L-031.

Për të tretën herë me radhë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinore dhe Infrastrukturës në Prishtinë në afatin e paraparë ligjor prej 30 ditësh nuk e ka nxjerr vendimin në ankesën e ushtruar, pas kërkesës shtesë të afatit të mëtejmë prej 7 ditësh me kërkesë të përsëritur të palës në procedurë prapë MMPHI-ja nuk e ka nxjerr vendimin ndaj ankesës së ushtruar, me ç’rast në kuptim të nenit 29 par. 1 të Ligjit për Konflikt Administrativ Nr.03/L-202 llogaritet sikur t’i ishte refuzuar ankesa nga MMPHI-së.

Në vend se të veprojë Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Republikës së Kosovës konform dispozitave në fuqi, ajo me këto veprime të pandërgjegjshme vepron kundër Kushtetutës në fuqi të Republikës së Kosovës, kundër legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës, kundër Konventave ndërkombëtare në fuqi në Republikën e Kosovës, duke shkelur parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit, si dhe duke vepruar në mënyrë subjektive dhe të një anshme ndaj palëve në procedurë administrative.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat