Sa e duan Duan shqiptarët?

Opinione

Sa e duan Duan shqiptarët?

Nga: Perparim Gjeka Më: 10 gusht 2022 Në ora: 17:54
Dua Lipa

E dua Dua Lipën jo aq sepse është yll bote, por më tepër sepse është diell shqiptarie që ndriçon emrin "albanian” edhe atje në glob ku më parë nuk dihej se ky emër ekziston.

E dua Duan jo sepse ka emrin e bukur shqiptar dhe këndon bukur për gjithë botën, por sepse mbron fort bukur emrin dhe të drejtat e shqiptarëve më tepër se çdo shqiptar/e tjetër deri më sot, siç e dëshmoi edhe në aktivitetin e fundit në Prishtinë me motiv liberalizimin e vizave për bashkëkombasit tanë atje.

E dua Duan jo sepse sapo u shpall ambasadore nderi e Kosovës, por sepse është vetë nderi i Kombit tonë shqiptar, edhe pse nuk e ka marrë këtë medalje nga Tirana zyrtare që për turpin e tyre i kanë dhenë medalje deri Bregoviçit.

E dua Duan sepse në shpirtin e saj shoh të pasqyruara virtutet më të larta karakteristike të popullit tonë, krenarinë kombëtare, shpirtin e ndihmës për më të dobëtin, punën me djersën e ballit, mikpritjen, thjeshtësinë.

E dua Duan sepse në trupin e saj shoh bukurinë bio të femrës shqiptare, jo silicon dhe përçudnim të natyrores si shumë "të famshme" të tjera në tregun mediatik shqiptar.

E dua Duan sepse ajo do dhe respekton familjen e saj, në sjelljet e saj shoh se si edhe vajza ime do frymëzohej të donte e respektonte gjithmonë familjen e saj, pavarësisht sukseseve personale.

Por a e duan Duan gjithë shqiptarët po aq sa e dua unë?

A e duan Duan politikanët që me paratë dhuratë të Duas, Ritës, Bebes etj. ndërtuan vetëm pas dy vjetësh të tërmetit ca shtëpi të vogla tip kontainerësh si kapaçka?

A e duan shembullin e Duas që dhuron si bamirësi për bashkëkombasit nga pasuria e vet fituar me djersë e sakrifica, zyrtarët tanë që përvetësojnë pasurinë kombëtare dhënë atyre për administrim më të mirë?

A e do shembullin e Duas që lufton për futjen në hartën e Google të Kosovës shtet i pavarur kryeministri i Shqipërisë që lufton për futjen e Shqipërisë dhe Kosovës në Ballkanin e Hapur të varur nga Serbia?

A e duan Duan dhe shembullin e saj dhe të ngjashmëve të saj që duan t'i duan e t'i pranojnë ashtu si janë, shqiptarë të talentuar e të famshëm, ata shqiptarë që ndërrojnë emra e mohojnë origjinën shqiptare në shtete të huaja sepse ashtu mendojnë se të huajt do t'i duan e pranojnë më shumë?

A e duan Duan dhe shembullin e saj ata doktorë, profesorë, mastera, shkencëtarë, biznnesmenë, shkrimtarë, etj. intelektualë shqiptarë kudo në botë kur Kombit i lipsen sa më shumë Lipa që përdor aq mirë profesionin e saj për lartësimin e Kombit, e ata nuk shkruajnë as dy rreshta në Facebook për të ditur shqiptaria të paktën se çfarë mendojnë, jo më të presim aktivitete e investime në dobi të Kombit prej tyre?

Le të na shërbejë shembulli Dua Lipa, t'i shërbejmë më shumë Kombit, të gjithë, me aq sa mundemi, jo më pak se sa mundemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat