Kush janë të fortit e haraçit në Kosovë ?!

Opinione

Kush janë të fortit e haraçit në Kosovë ?!

Nga: Faton Mehmeti Më: 11 gusht 2022 Në ora: 16:28
Autori Faton Mehmeti

Pas luftës fjala haraç është përmend shumë, ndonëse jo aq sa ka prodhuar shantazhe, kërcënime, rrahje etj. Cak i haraçistëve kanë qenë biznesmenët, e të cilët jo vetëm që janë rrahur fizikisht, por në disa raste biznesmenët kosovarë janë sulmuar edhe me granata dore, pasi që kanë refuzuar t'u paguajnë haraç grupeve kriminale. Kjo si kusht për t'i lejuar që ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre.

Këto grupe kriminale vazhdimisht janë thirrur në emër të "të fortëve" të politikës, kryesisht ish-komandantë të luftës. Ka me qindra raste të tilla, njëri ndër ta ka qenë edhe biznesmeni Eroll Vitaku, i cili është rrahur rëndë, pasi kishte refuzuar t'u paguajë haraç këtyre grupeve për shfrytëzimin e një lokali në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Vitaku kishte bërë të ditur se sulmuesit janë thirrur në emër të ish-komandantëve të Zonës Operative të Llapit, përkatësisht deputetëve të PDK-së, Rrustem Mustafa-Remi dhe Latif Gashi-Lata. Ndonëse këta të fundit e kanë mohuar lidhjen me këto grupe kriminale, por të kërkosh haraç nga dikush, duhet të jesh ose kriminel, ose të jesh i lidhur me kriminelët. Dikush i fortë qëndron pas tyre.

Jo vetëm ndaj biznesmenëve vendor ka pasur kërcënime, por edhe ndaj investitorëve të huaj. Investitorit “Solar+Wind Kraftwerksgesellschaft Sh.p.k.” i ishte kërkua haraç prej 300 mijë eurosh në muaj. Para se ti kërkohej haraç kompanisë “Solar+Wind Kraftwerksgesellschaft Sh.p.k.”, haraç iu kërkua edhe kompanisë britanike “Fox Marbles”, lajm i cili bëri bujë edhe në mediat ndërkombëtare, me ç’rast Reuters e krahasoi ambientin e investimeve në Kosovë me atë të “Perëndimit të Egër”.

Ky fenomen vazhdon ende, me raste të herëpashershme të bëra publike nga policia. Në vitin 2017 Policia në Gjakovë ka arrestuar dy të dyshuar në lidhje me një rast të raportuar detyrimi. Sipas Policisë, katër persona një ditë më parë kishin shkuar në një agjenci turistike dhe nga pronari kanë kërkuar 500,000 euro.

Pastaj para pak kohësh në qytetin e Mitrovicës dy qytetarë mitrovicas janë ankuar në Policinë e Kosovës për haraç.

Pas një përleshjeje që kishin me një person më 15 tetor, i njëjti ua ka vjedhur një zinxhir prej ari.

Pas vjedhjes së zinxhirit, ai i ka kërcënuar viktimat se në rast se nuk ia paguajnë haraçin prej 60 mijë eurosh, ai do t’i vrasë.

Pra, haraçi është ndër faktorët kryesor bashkë me fajdet penguese të zhvillimit ekonomik të vendit tonë dhe çdo ekonomie të secilit vend të botës. Qeveria, duhet të hartojë një task force me njerëz kredibil, krahas saj të bëj vettingun në drejtësi, faktorët kyç për të çliruar një herë e mirë ekonominë dhe zhvillimin e saj nga banditët, grupet kriminale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat