Përballimi i krizave të marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore

Sociale

Përballimi i krizave të marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore

Nga: Lekë Imeraj Më: 12 gusht 2022 Në ora: 14:13
Lekë Imeraj

Marrëdhënia seksuale jashtëmartesore, duket se është një „virus“, i pashërueshëm. Kurrë nuk i është ndarë njerëzimit, dhe me siguri, duket se nuk do t’i ndahet kurrë. Miliona njerëz, meshkuj dhe femra, në të gjitha kohërat, kulturat dhe regjimet, janë dhunuar, torturuar, poshtëruar, vrarë, për shkak të marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore, por kjo dukuri, nuk ndalet. As morali, as ligji, as vdekja, nuk e ndalojnë dot. Psikologu Rafael Wlodarski, nga universiteti në Oxford, thotë se, të dy gjinitë, (meshkujt dhe femrat) kryejnë marrëdhënie seksuale jashtëmartesore. Ndryshimi është vetëm te masa. Te meshkujt është më e lartë, rreth 57 përqind, ndërkohë që te famrat është rreth 46 përqind. Ai thotë se, një e treta e grave, të paktën një herë, kanë kryer marrëdhënie seksuale jashtëmartesore.

Kush nuk ka kryer marrëdhënie seksuale jashtëmartesore?!

Ish Bundeskancelari i Gjermanisë, Helmut Schmidt (1918-2015) vlerësohet si politikani më i suksesshëm i Gjermanisë, dhe modeli i bashkëshortit me gruan e tij, Loki. Megjithatë, kur u pyet nga një gazetar, nëse kishte kryer marrëdhënie seksuale jashtëmartesore, ai tha: „Po, edhe unë e kam bërë atë punë m*** por, vetëm një herë.“

Në gjithë botën është i njohur rasti i marrëdhënieve seksuale të ish Presidentit të Amerikës, Bill Clinton, me praktikanten në Shtëpinë e Bardhë, Monica Lewinsky.

Një studio psikologjike në Universitetin Pennsylvania, ka arritur në përfundim se, 30 përqind e popullsisë, e kryen aktin e marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore. Sipas shifrave dhe statistikave zyrtare (ato të errëtat sigurisht që janë shumë më të larta), marrëdhëniet seksuale jashtëmartesore nuk ndalen, dhe familja është në rrezik. Kjo dukuri mbetet problem social shumë shqetësus, burim konfliktesh, krizash, dhembjesh, dhune deri në vrasje bashkëshortore.

Shtrohet pyetja: Ka ndonjë mundësi për përballimin dhe zgjidhjen e krizave në rastet e marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore?

Psikologët mendojnë se ka. Disa prej tyre janë:

1. Në krizat bashkëshortore, i treti është „zjarrvënës“, jo “zjarrfikës”.

Jeta bashkëshortore duhet menduar sfera më private, e shenjtë, hermetikisht e mbyllur, për çdo person të tretë, kushdo qoftë ai.

Por, çfarë ndodh te ne, në kulturën tonë?

Kultura jonë, në marrëdhëniet bashkëshortore, është shumë e ngjashme me atë të Orientit. Na ka mbetur, nuk po çlirohemi dot.

Në Orient, sundon morali i dyfishtë, mashkulli sillet si të dojë, ndërsa femra është objekt kontrolli, gjurmimi, përgjimi, nga të gjithë. Kështu është edhe te ne, nëse jo tek të gjithë, vihet re në shumë krahina, raste, dhe te shumë persona.

Ndodh që bashkëshortët e gjurmojnë njëri-tjetrin, pa asnjë fakt, vetëm se dyshojnë. Gjë e keqe shumë, por ka edhe më keq. Njëri ose të dy, porositin, madje edhe paguajnë persona të tretë, për të gjurmuar bashkëshortin e vet. Në kulturën tonë, është i njohur edhe fakti që, në jetën bashkëshortore, veçanërisht në raste konfliktesh dhe krizash, të tretët, gjitmonë fusin hundën. Njëri, ose të dy bashkëshortët, konfliktet dhe krizat midis tyre, i përhapin në familjet e tyre, shoqëri, punë dhe gjithandej. Madje e sulmojnë publikisht njëri-tejtrin, deri në masën e diskreditimit, edhe në rrjetet sociale. Kriza del jashtë kontrollit. Në raste të tilla, nuk kemi më një krizë midis bashkëshortëve, por midis familjeve të tyre, fiseve, midis grupimeve të mëdha simpatizantësh, nga të dy palët. Dihet vetëm vatra e krizës, por jo territori dhe numri i njerëzve që përfshin ajo.

Kurrë nuk duhet thënë kurrë. Në rastet e marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore, gjithmonë duhet menduar mundësia e pajtimit, pas krizës. Një gjë e tillë ka ndodhur në miliona raste, edhe atëherë kur është menduar e pamundur. Nëse rasti mbetet brenda të dy bashkëshortëve, mundësia e pajtimit është shumë më e madhe. Nëse nga vetë ata, njëri apo të dy, fjala ka marrë dhenë, dhe diskriditimi reciprok është shumë i madh, mundësia e pajtimit është shumë e vogël.

Largoni të tretët nga problemet, konfliktet dhe krizat bashkëshortore, kushdo qofshin ata, edhe fëmijët tuaj. Të tretët duhet të mendohen „zjarrvënës“, jo „zjarrfikës“.

2. Guxo të ballafaqohesh me bashkëshortin.

Ballafaqimi bashkëshortor mendohet mjeti më i mirë, për të zgjidhur krizat bashkëshortore, veçanërisht ato të marrëdhënies seksuale jashtë martesore.

Krizat bashkëshortore, gjithmonë shkaktojnë dhembje shpirtërore, çrregullime psikike dhe fizike, te njëri, apo tek të dy babshkëshortët. „Helmi“ duhet nxjerrur jashtë trupit, dhe sa më shpejt. Në raste të tilla, si i vetmi mjet, ose mjeti më i mirë, mendohet ballafaqimi.

Çfarë duhet menduar me ballafaqim?

Shumë bashkëshortë, grinden me dekada me njëri-tjetrin, dhe këtë e mendojnë ballafaqim.

Ballafaqimi dhe grindjet janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Ballafaqimi karakterizohet nga qëllimi, vendi, tema vendimmarrjet. Grindjet janë vetëm grindje, pa qëllim, pa temë, pa objekt, pa vendimmarrje.

Sipas psikologut gjerman, Philipp Yorck Herzberg nga universiteti Helmut-Schmidt, në Hamburg, ballafaqimi, në tri raste, mund të mendohet i dështuar: Kur është agresiv, kur tjetri tërhiqet nga ballafaqimi, dhe kur njëri, ose të da bashkëshortët, janë të lakueshëm.

Në ballafaqimin agresiv, njëri nga të dy është cinik, arrogant, fyes, dhe për të fshehur të vërtetën, mundohet ta dominojë tjetrin.

Në ballafaqim, të dy bashkëshortët duhet ta ndiejnë veten të sigurt, dhe në pozita të barabarta, pavarësisht nga shkalla e fajësisë.

Në shumë raste ndodh që, njëri e kërcënon tjetrin me publikimin e qorrollisjeve të tij gjatë jetës bashkëshortore, deri me denoncim në polici apo organet e drejtësisë. Kjo tregon se, bashkëjetesa e tyre, ka qënë e bazuar në interesa, dhe aspak në dashuri. Në raste të tilla, nuk bëhet fjalë për diskutimin e problemit, por për sulm personal, me qëllim për ta shkatërruar dhe diskriminuar tjetrin.

Refuzimi i ballafaqimit, ose tërheqja e menjëherëshme, tregon se bashkëshortit nuk i intereson as problemi as personi.

Lakueshmëria e njërit, me qëllim që të mos e acarojë situatën, dhe për ta ruajë status quonë, fillimisht mund të japë rezultat, por çdo arritje është vetëm e përkohshme, jo zgjidhje e konfliktit apo krizës. Mund të mendohet një armëpushim i përkohshëm, por jo fundi i luftës.

Tipat që në ballafaqim fyhen ose dorëzohen shpejt, mendohet se vuajnë nga çrregullime të forta psikike. Vuajnë nga ndjenja e frikës së humbjes së bashkëshortit, e fajësisë, e pasigurisë, e vetmisë.

Në rastet e ballafaqimit, viktima duhet të jetë shumë i sigurt për veprimin që ka kryer tjetri. Xhelozia, hamëndësimet, thashethemet, gënjeshtrat, shpifjet e të tjerëve, nuk duhet të merren kurrë si prova për aktin seksual. Në të gjitha rastet duhet folur për rastin konkret, dhe jo për të kaluarën historike të jetës bashkëshortore. Ballafaqimi duhet të zhvillohet gjithmonë vetëm midis bashkëshortëve, pa persona të tretë. Ai duhet të jetë konstruktiv, dhe të mendohet si mundësi e zgjidhjes së krizës, jo diskreditim, hakmarrje apo ndëshkim i tjetrit. Gjatë ballafaqimit, nga të dy bashkëshortët, mund të vendosen kompromise afatshkurtra dhe afatgjata.

3. Një „rrëshqitje“, nuk duhet konsideruar „shembje“.

Profeti Muhamet ka thënë: „Askush nuk duhet ta dhunojë gruan për tardhëti bashkëshortore, nëse aktin e tradhtisë nuk e kanë parë katër dëshmitarë“. Në kulturën e botës islame, askush nuk e merr në konsideratë këtë thënie kaq humane. Edhe në kulturën tonë, vështirë se merret në konsideratë. Te ne, në shumë raste, gruaja dhunohet, madje edhe vritet, për shkelje të besnikërisë bashkëshortore, pa asnjë dëshmitar, vetëm nga xhelozia dhe thashethemet. Për të njëjtin verpim, „pabesi bashkëshortore“, gruaja varroset si bushtër, ndërsa burri si hero.

Ky është morali i dyfishtë, pjesë e pandarë e kulturës tonë orientale.

Problemi është, si duhet sjellur në rastet e një „rrëshqitjeje“ bashkëshortore?

Njerëzit në përgjithësi, nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin midis dashurisë dhe seksit. Nëse njëri nga bashkëshortët, kryen marrëdhënie seksuale jashtëmartesore, kjo nuk do të thotë aspak, se është dashuruar me atë. Seks mund të bëhet me njeriun që e pëlqen si tip, por nuk e dashuron fare. Arsyet pse ai shkon me tjetrin, vetëm për seks, mund të jenë të ndryshme, si për burrin ashtu dhe për gruan. Në rastet e „rrëshqitjeve“, reagimet kanë të bëjnë me nivelin e kulturës dhe civilizimit të bashkëshortëve dhe të mjedisit. Në kulturat primitive, veçanërisht për femrat, nuk ka falje. Ka vetëm denim me vdekje. Në shumë popuj të botës islame, ekzekutimi i grave, për seks jashtëmartesor, akoma bëhet me gurë, si në mesjetë. Atje sundon morali i dyfishtë, vdekje për femrat, dhe liri seksuale për meshkujt. Te ne ka qënë zakoni i „Fishekut në pajë“. Në shumë vende perendimore, seksi jashtëmartesor, nuk pranohet nga gjykatat si shkak për prishjen e martesës. Në rastin e një „rrëshqitjeje“, edhe mund të prishet martesa, por nuk është e thënë që, „rrëshqitja“ duhet menduar „shembja“ e madhe, absolutisht e pariparueshme. Në raste të tilla, ndoshta do të ishte e dobishme një ndarje e përkohshme, një distancim, deri në përpunimin e dhembjeve të „rrëshqitjes“.

Janë miliona bashkëshortë, në gjithë botën e civilizuar, që e falin njëri-tjetrin, në rastet e „rrëshqitjeve“ bashkëshortore.

Gjermanët kanë një shprehje: einmal ist keinmal-një herë, është asnjë herë (nuk është gjë).

Loki (bashkëshortja e Helmut Schmidt, ish Bundeskancelar i Gjermanisë), e fali Helmutin. Hillary (bashkëshortja e Bill Clinton, ish Presidenti i Amerikës), e fali Billin.

Çfarë do të thotë të falësh?

Në shumë raste, bashkëshortët, faljen e „rrëshqitjes“ së tjetrit, e shfrytëzojnë si mjet poshtërimi dhe skllavërimi të viktimës.

Kjo nuk është falje. Falje do të thotë, ta harrosh gabimin e tjetrit, dhe të mos ia kujtosh kurrë, në asnjë rast dhe rrethanë.

4. Motivet e faljes.

Nëse bashkëshorti mendon që ta falë tjetrin, dhe të vazhdojë jetën bashkëshortore, pavarësisht çfarë ka ndodhur, është normale që t’i mendojë motivet.

Eshtë dashuria e madhe për bashkëshortin të cilën nuk e mposht asnjë qorrollisje e tij?

Apo vendimi i tij është shumë më tepër një reaksion për arsye ekonomike, një moment emocional varësie nga tjetri, frika nga të mbeturit vetëm? Ndoshta e ka menduar edhe presionin e madh të opinionit, çfarë do të thonë të tjerët?

Nëse është dashuria, vendimi i tij është i bazuar dhe i drejtë. Suksese!

Nëse janë menduar faktorët tjerë, që u cilësuan më lart, vendimi është i pabazuar, dhe vazhdimësia është kohë e humbur. Më mirë të kërkohet ndihmë për të përballuar frikën, dhe të mbyllet rruga bashkëshortore.

4. Hiq dorë nga roli i viktimës dhe bëhu aktiv.

Praktikisht është i pakuptimtë rasti, që bashkëshorti e di se tjetri vazhdon marrëdhënie seksuale jashtë martesore, dhe megjiathatë vazhdon t’i lutet për besnikëri dhe rikthim në jetën normale bashkëshortore. Një qëndrim të tillë, askush nuk mund ta durojë për një kohë të gjatë. Sado që njëri apo tjetri të mundohet të pranojë dhe luajë rolin e viktimës, deri në fund, nuk e luan dot askush.

Nëse asgjë nuk ndryshon, duhet reaguar. Duhet dalur nga roli i viktimës, dhe marrë vendime. Eshtë koha e ultimatumit dhe e veprimit konkrete

Kohëzgjatja e gjendjes së krizës ka dy të këqia të mëdha: E para, mund të shkaktojë sëmundje psikofizike. E dyta, edhe nëse bashkëshorti nuk është i pabesë, duke u ndier vazhdimisht nën presionin e kritikave për pabesi, mund të bëhet i pabesë. Të paktën, nuk tregon asnjë interes, për të korrigjuar diçka nga sjelljet dhe veprimet e tij.

5. Ndarja është fundi i martesës, por jo i botës.

Pabesia bashkëshortore, godet rëndë botën shpirtërore dhe psikike të viktimës. Aq sa mendon se, kurrë nuk do të mund ta përballojë dhembjen.

Por, kjo është e gabueshme.

Përballimi i krizës së pabesisë bashkëshortore, është vetëm një etapë e jetës bashkëshortore. Sigurisht e vështirë, por ka edhe diçka tjetër tej asaj. Duhet të guxosh të hapësh sytë e përlotur dhe të shikosh dritën në fund të tunelit. Njerëz të tjerë të presin, rrugë të reja janë të hapura për ty. Një dështim nuk është shembje e madhe, është vetëm një dështim. Të duhet të ndezësh „motorin“ e logjikës dhe të dalësh nga zona e ngrirë.

6. Mos reago me të njejtën „monedhë“.

Ka shumë njerëz të cilët mendojnë se gjendja e tyre shpirtërore përmirësohet, nëse i shikon të tjerët të vuajnë, ose i bën të vuajnë, si vetë ata. Prandaj mundohen që tek tjetri, të shkaktojnë të njëjtat pasoja, mbase edhe më të rënda, nga sa kanë përjetuar vetë. Udhëhiqen nga principi: „Si ti mua, edhe unë ty“.

Në rrafshin psikologjik, një princip i tillë është i gabuar, nuk është as lehtësim dhe as përmirësim i marrëdhënieve dhe gjendjes shpirtërore. Përkundrazi, i shuan të gjitha shkëndijat e pajtimit dhe ribashkimit të mundshëm. Nga ana tjetër, kjo tregon se, personi bashkëshort, nuk ka qënë aspak i vlefshëm për jetën e tjrtrit.

Hakmarrja, mendohet një punë e keqe, dhe si çdo punë e keqe, dihet ku dhe si fillon por, nuk dihet kurrë, ku dhe si përfundon. Ajo shpesh del jashtë kontrollit dhe shkakton dhembje të mëdha, kur shikon vuajtjet e tjetrit, që ia ke shkaktuar vetë.

Lëri lotët të rrjedhin, bisedo me miqtë, kërko mbështetjen e të tjerëve por, mos e bëj atë që do të pendohesh shumë shpejt.

Sado e madhe që është dhembja e marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore, e ka një kufi, dmth, është e përballueshme. Pabesia bashkëshortore është vetëm një aspekt i hidhur i jetës bashkëshortore por, jo rrënim i tjetrit.

Autori - shkrimtar, përkthyes, publicist

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat