Një tufë lule për ty Albin!

Opinione

Një tufë lule për ty Albin!

Nga: Hisen Berisha Më: 17 gusht 2022 Në ora: 14:29
Hisen Berisha

Që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje, shqiptarët e Kosovës janë të tejsensibilizuar, se “tradhtarët “ e shitën Kosovën, Hashim Thaçi ua dha serbëve “zajednicën”, vetëm e vetëm që të mos shkoj vet në Hagë por t’i qoj shokët e vet të luftës”;

U tha se, pa kërkua falje Serbia, s’ka asnjë dialog, pa i gjetë të zhdukurit, pa i kthye artefaktet, dokumentet, fondin pensional të plaçkitur, u tha shumëçka, çka nuk na dëgjuan veshët, e çka nuk na panë sytë, gjoja për të na mbushur mend “Ne“ t’tjerëve se qysh Hashimi, veç që' t'mos shkoj vet në Hagë është në gjendje të jap gjithcka!

Nga të gjitha këto, po del se vërtetë “rrena i ka këmbët e shkurta” dhe hiç shumë nuk zgjati, ja *erdhi dita* dhe nesër, me datën 18.08.’22, Albini për herë të tretë takon Vuçiqin, ani pse ai, Vuçiqi s’ka ndërruar, nuk i ka gjetë të zhdukurit, as ka kërkua falje për krimet e ushtrisë serbe në Kosovë, përkundrazi e zgjodhën njërin nga drejtuesit ushtarak, që ka kryer krime në kohën e luftës, për ta udhëheqë Kuvendin e Serbisë.

Pra, me datën 18, pra nesër, ky Gebelsi i Millosheviçiqit, siç e pata quajtur Vuçiqin para shumë muajsh në shkrime, e takon edhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës për herë të tretë, e thuhet në popull “e treta e vërteta”. 

Albini do ia imponoj reciprocitetin e targave dhe dokumenteve, do ia shuaj ëndrrën e Vuçiqit ta formoi ”zajednicën”, do  ia rikthej tokën e manastirit të Deçanit shtetit të Kosovës, do ia burgosë “kriminelët” përmes të cilëve Vuçiq po e destabilizon Republikën e Kosovës qe 22 vite, duke kërkuar ti ekstradohen Kosovës, meqë janë me status qytetari kosovar! 

Po,po! Hiç pa dyshim, sepse Albini s’ka hipoteka, s’ka aktakuzë në Hagë, nuk është “kriminel” i UÇK-së në kërkim ndërkombëtarë nga Serbia, është trim, edhe “truri i tij është më i shpejtë se kompjuteri”. 

Kjo është evidente, e pritshme por ama kam një pyetje për këdo në qeverinë tonë, se nuk po dihet kush është më kompetenti këtu, pasi shkon Albini;

A keni mëndu Ju qeveritar e pushtetar nivelesh të ndryshme se, si duhet ta pres populli shqiptarë Albinin, kur të kthehet si fitimtar, nga kjo betejë?!

A do të jetë kjo marrëveshje fitoresh të kryeministrit, në rend dite, të seancës së parë plenare të kuvendit të Republikës së Kosovës dhe a do të kemi kënaqësinë t'ia votojmë këtë fitore?

Po more, fitore, ani pse kryekëshilltari i Kryeministrit për dialogun, poligloti e politologu gjeni Veton Surroji, nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë takim, sepse do që t’ua lërë befasi shqiptarëve fytyrën e buzëqeshur dhe shkëlqyese të kryeministrit kur të zbret nga avioni. 

As vet Albini, që dikur kishte detyrua Kuvendin e Republikës së Kosovës ta miratoi një rezolutë, ku i kërkohej kryeministrit të raportonte në Kuvendin e Republikës para shkuarjes dhe pas kthimit në bisedime, nuk e ka thënë asnjë fjalë për pritshmëritë! 

Koha i mbulon faktet, duhet arkeolog për ti nxjerrë në dritën e diellit bashkë me shkëlqimin e tyre. 

Sot, po e pyes vetën athua kam bërë gabim të madh që u pensionova parakohshëm pra e lëshova FSK-në, se ndoshta do ti kisha komanduar Trupat ushtarake për tu vendosur në veri të Republikës së Kosovës?! 

Po ani, fundja po të pres në Aeroportin” Adem Jashari” me tufën e luleve, për të dëshiruar jetë pa fund o më i madhi kryeministër i të gjitha kohërave, i kombit Shqiptarë! Tu bëftë dita një mijë, e dalësh faqebardhë Kryeministri i “Republikës së tretë”!

Kohë më parë, njerëzit e ditur kanë thënë se, “Është e qartë se individi që persekuton një njeri, vëllanë e tij, pse nuk është i të njëjtit mendim, është një përbindësh”. Voltaire!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat