Nderi i munguar i qytetarit të nderit

Opinione

Nderi i munguar i qytetarit të nderit

Nga: Gjon Marku Më: 17 gusht 2022 Në ora: 16:15
Autori Gjon Marku

Po afrohet si një hije ngarkuar nga barra e fatit e një udhëtari të ngratë që udha i zgjatet e zgjatet e pyet me gjuhën e dhembjes nëse kishte dalë përkrahja sociale. E pa e marrë akoma përgjigjen, një gotë ujë kërkon përunjësisht për vocrrakun që ka për dore. Duket se është në fundfillimin e fillimfundit të jetës. E ftoj të ulet e të pijë një kafe dhe e vështroj teksa xhezvja zbrazet në filxhan pse kafen ekspres nuk e donte. Ndërsa ai e hedh vështrimin në tavolinën ngjitur ku dëgjon celularin që këndon si trishtil në xhepin e një zyrtari në tavolinën ngjitur me tavolinën ku ishim ulur të pimë kafen ne.

Ç’rruspi meshkuj, rrufianë mëngëpërveshur e jakëngritur si hije të zeza veshur me pushtet, të zinj si korbi njëmijëpendësh. Kjo është kohë për ujqërit dhe për minjtë e kanaleve. Kohe e mjegullt që fsheh kafshimet e moteve. Lehtas mund të bëhesh prehë e lehtë e ujqërve që të vijnë rrotull. Kjo është botë e plagosur zotëruar prej pjellë moçalesh zvarranikë, urithë bijë të territ ardhë prej ferrit m’u drejtua aq papritur sa unë u përqëndrova i tëri tek ai. “Errësira” është aq e dendur sa s’mund të mbaj mend asgjë. Ngado të hedhësh sytë, të gjithë gënjejnë nga i pandehuri e gjer te prokurori apo këta çeherëzinj që si fajkonjë turren të shqyejnë gjithçka. Nderin bëjnë pis. Por populli ka veshë të mprehtë.

As buka s’ka të njejtën shihje sot, as unëtia, ata të njejtë kanë lakminë dhe bëri me krye drejt tyre. Këta nuk na lanë në këtë vend prej guri dhe dielli. Shihni vendlindjen ku kanë mbetur vetëm ferra. Na mbollën natëzezën e jetëzezën.

Bëra t’i flas po zëri m’u mek e m’u sos. Ka mbërritur deri në zgrip fillikat i pashpresë mendova teksa pashë këpucët që i kishte të shqyera.

I nipi veshëmprehur, vetullzi si një ketër idhnak nuk e zë vendi në vend e vështrimin e kishte hedhur në tavolinën ngjitur drejt disa rruspive meshkuj, ku ca hije të zeza me vështrime të ligëta si vështrime meduze ishin mbërthyer prej të qeshurave të harlisura. 

Do t’i blej Tatë- Lleshit titullin “Qytetar nderi” o bie e vdes.

Po çfarë ka bërë Tata- Lleshi yt që qenka kaq i madh sa të jetë “Qytetar nderi”.

Leni këto se më duhet edhe një votë dhe Tatë Leshi merr titullin po më thuaj sa e ke pazarin e ta mbyllim këtë muhabet.

Po sa të ka shkuar deri më tash që Tatë- Leshi të bëhet “Qytetar nderi”.

Dy makina dërrasa e katër makina trupa po ty s’ka çfarë të duhet më thuaj pazarin tënd se të tjerat i di vetë, apo të merrem me dikë tjetër.

Kjo bisedë bëhej në njërën nga tavolinat ngjitur midis një këshilltari të një komune dhe një personi që donte ta bënte Tatë- Leshin “Qytetar nderi”. O zot na ndihmo, shyqyr që nuk ka ndonjë tender se po të ishte me lekë kushedi çfarë do ta kishte bërë nipi Tatë- Lleshin.

Kjo bisedë nuk është pjesë artistike por krejt e vërtet. “Ka shumë Tata” që janë “qytet-katunar nderi” në qytetet tona. Dhe kjo biseda e qytetarëve të nderit tash është motiv i kafeve për burrat ashtu si çmimet i lavdisë për bashkëshortët e grave të veja.

Ngrita sytë, qiellin pashë ku është s’kaj i tijë mërmërita ndërsa një re hapërdarë rendte drejt lindjes. Në shpirtin e tij shpresat ecin udhëve pa krye por në vështrimin dhe fjalët e tij shfaqet e vërteta tronditëse ani se ai kishte jetuar dhe atë kohë kur kanë pleqnue kullat e gurta por përballë kësaj kohe ishte gjetur si para të panjohurës. Në fund plakja dhe padrejtësia po e stërmundonin.

Veç qejfi u ka mbetur tani e fëshkëllima me gisht në gojë u ka dalë një nam fort i zi gojëndyrë. Ata mendojnë se bota u përket vetëm atyre. Kanë një maskë të zezë mbi fytyrat mistike. Fole merimange a gjerize kundërbimi marrëzish duket tavolina e tyre me lajme të rreme, plot britma. Ngado kurthe ngrenë e komplote. Shumë prej tyre kanë një vështrim të lig e të zi. Po mjerë kush rron me frikë e dredhi. Si budallenj, ashtu dhe harbutët.

Njëra ndër pazaret më perverse sot nëpër këshillat e bashkive dhe komunave të vendit janë vlerësimet e “qytetarëve të nderit”. Kështu duart e mazhorancës vlerësojnë tej ligjit, tej logjikës, tej njohjeve, tej procedurave etj. Pastaj vjen këshilli tjetër dhe sërish bëhet mazhoranca e të tjerë “Qytetar nderi” bien nga duart e ngritura të një tjetër mazhorance ani se i vrari dhe vrasësi i të vrarit të dy mund të jenë qytetarë nderi të të njejtit këshill komune apo bashkie. Kështu këshilltarë bashkie që shiten e blihen si të jenë domate apo kastraveca në treg. Kështu Tata i dikujt që nuk ka lënë gjë pa bërë për së gjalli bëhet “Qytetar nderi” i vdekur.

Aromë dehëse prej alkoolit nëpër erë lëshojnë këshilltarët prej tavolinës ngjitur si krematoriume. E aty në atë tavolinë të pashkolluarit bërtasin më së shumti. -Ani bërtet njëri prej tyre,- ata që vendosim jemi ne, punë e madhe se këta “shkenctarët” flasin e ku marrim vesh ç’thonë. Aty në mbledhje numërohen votat. Ju kam thënë mbledhjen e kaluar unë që punoj në drejtorinë e pyjores do të urdhëroj këtë qymyrxhiun të sjelli drutë. Pastaj guzhinieri do të marrë orizin që do të vjedhë ky drejtori që as tetevjeçaren s’e ka mbaruar tamam te baxhanaku që ka supermarket e bëjmë pilaf për krejt këshillin.

Ia dhanë sërisht të qeshurës me të madhe dhe hodhën njëherësh gotat me uiski.

Aq shumë po përhapet kjo mani sa shpesh ajo është kthyer edhe në komedi. Tamam si punë e patateve që shiten në treg. Kështu bie fjala një familje që ka lekë paguan dikë që është në një pozicion shoqate apo shtetëror dhe propozimi vete menjëherë në këshillin e Bashkisë apo Komunës. Aty dihet se shumë prej të zgjedhurve janë militantë dhe kështu vjen një njeri që të gjitha i ka pasur të dyshimta dhe një ditë pas mbledhejs së këshillit del “Qytetar Nderi” ani se mund të ketë bërë gjithë të zezat, ani se mund të jetë antishqiptar, ani se nuk ka asnjë lidhje pozitive me Shqipërinë e aq më tepër me vendlindjen, pra trevën.

Por kjo është njëra pjesë pasi pas saj pra është tregtia që bëhet që nga ai që e propozon, ata që e mbështesin dhe deri te dreka me mish të pjekur e verë të kuqe e festimit të titullit të “nderit” që e merr në vend të të ndershmit i pandershmi.

Ngrihemi foli drejtori, që sipas këshilltarit parafolës do të vidhte orizin te baxhanaku, i njërit ndër institucionet rudimente të atij qyteti të vogël se kryetari ka kërkuar një takim të këshilltarëve të grupit tonë. Do “Qytetarin e vet të nderit” ai po jemi ne që vendosim.

Teksa pija atë kafe me plakun e vjetër dhe vocërrakun jam i ndjekur nga shikimi i syve të zjarrtë të plakut që jeta gjer në zgrip fillikat i pashpresë, ka mbërritur. E vështroj vocrrakun. Vështrimi yt është i ëmbël e nën vetullën magjike shikimi i tij i sigurt si vështrim zogu. E hap portofolin dhe nxjerr një kartmonedhë dhe ia drejtoj nipit të tij finokut të vogël. Ti s’e ndjen fajin, hakmarrjen primitive, por brenda vetes ke një vend të shenjtë në zemër ku i ruan kujtimet që në krah ëndrrash shtegtojnë. 

Krejt ndryshe është me plakun në sytë e të cilit sikur lexohej një ëndërr e mjegullt ku një re sikur kishte hyrë në të dhe e mbante pezull shpirtin e tij. Fati i tij i njejtë gjithnjë fat fatal. Rob a vuajtës i vetmisë e se diçka duket se është krisur mes zemrës thellë që panda teje buçet plot britma epike.

   E rëndë është ajo peshë fjalësh kisha menduar, dhe isha ngritë të drejtohesha për në atë mbledhje të grupit të këshilltarëve që sipas gjasave u bëhej thirrejje që të votonin unanimisht “qytetarët e nderit” për bashkinë e vogël me 9000 banorë.

Po të marrim vetëm një qytet të vogël me 9000 dhe të shohim faktet, atëherë vë re menjëherë përdhosjen e këtij titulli nga njerëz që propozojnë nga pozicioni i ishit dikë për këtë titull. Pra mjafton të jetë gjyshi i dikujt, tata i dikujt apo një njeri që ka në dorë tendera dhe dihet pastaj.

Manjaklliku i “nderit pa nder të qytetarit të nderit” zihet në darkë në familje piketohet dikush që merr ca para për të propozuar dikë për të marrë këtë titull dhe pastaj direkt formulohet propozimi.

Kështu vjen viti i ri dhe e nisim me personazhet e vitit dhe kështu bëhet përsonazh i vitit një polic që rrallë shihet të vijë në qytetin e vogël. Apo një person vetëm se ka ndërtuar një pallat hyrjet e të cilit i ka shitur sa frangu pulën. Kështu dhjetë veta marrin titullin njëriu i vitit në art edhe pse nuk kanë lidhje me artin. Vijohet dhe në Bashkinë ngjitur pra jo me 9000 po me 4000, banorë ku kryepleqtë nxjerrin kryeplakun e vitit etj. etj. marrina si këto.

Kështu manjakllëku i nderit shkon deri atje sa në një qytet të vogël me 9000 banorë vijon të rritet numri i “qytetarëve (katunarëve) të nderit” gjithnjë shumë prej tyre të kontestueshëm, të panjohur ose që kanë qenë vetëm se një herë të vetme në këtë qytet dhe që qytetet e tyre që i lindën s’kanë kurrë për t’iu dhënë një titull të tillë. Ndonjërit prej tyre nuk i dimë as biografinë madje as ç’shkollim ka bile dhe emrin e shënojmë gabim por kjo dikujt i vlen. Nejse. nga këto 11 qytetarë nderi të shpallur njëherësh pra një në 697 banorë i takon që shuma e tyre janë të huaj bie fjala Carlo Kaferra është një njeri që ka ardhur për një vizitë private vetëm se një herë në jetën e vet në Mirditë dhe është përcjellë sipas traditës prej mikut të tij me medalje pra “Qytetar Nderi” i Rrëshenit. Biografia mungon, kontributi për Mirditën mungon. Aq sa edhe ai vetë është habitur me titullin natyrisht dhe me forcën e mikut të tij. I ndjeri Adem Jashari kurrë nuk ka qenë në Mirditë dhe nuk ka asnjë lidhje farefisnore me Mirditën ani është qytetar nderi asnjë tjetër akademik, profesor politikan, patriot nuk plotëson mundësinë për të qënë “Qytetarë nderi” i Mirditës. U propozua dhe u bë “Qytetar nderi” i Mirditës Adem Jashari që disa “zorraxhinj” të priteshin dy netë në Kosovë e të mos paguanin. Të mbanin fjalime për patriotizëm para disa njerëzve që nuk i njihnin. Pastaj janë qytetarë nderi prifta të huaj ani se në Mirditë shumica e tyre kanë shërbyer si klerikë vetëm se 2-3 vjet dhe kjo ka mjaftuar që të jenë “Qytetarë nderi”. As në mesjetë kur dhespotër, abatët dhe klerikët drejtonin shtetin, nuk kishte një manjakllëk të tillë. Ndërgjegjja, kultura dija dhe informacioni i këshilltarëve mjeranë nuk ka mjaftuar që ndonjëri prej klerikëve martir, apo ndonjëri prej klerikëve të mëdhenj përsonalitete të kulturës dhe kombit tonë të jetë qytetar nderi në ndonjërën nga Komunat apo bashkitë e Mirditës. Nuk është qytetar nderi as Fishta, as Abat Doci, as Dod Klesi apo Prend Suli, as Marlaskaj ky vdes në Romë si Rektor në Universitetin Antonian, ani se të gjithë ishin mirditas personalitete dhe njerëz të shquar të kombit dhe gjithë jetën e tyre shërbyen maleve të Mirditës duke i dhënë kombit tonë kanun, lahutë, alfabet ani se vunë themele në kulturën kombëtare. Nuk është qytetar nderi as ndonjë prej priftërve të dënuar e pushkatuar vetëm se kishin besimin te zoti. Nuk është qytetar nderi as Bib Doda dhe as Preng Bib Doda edhe pse mbajnë medalje të Romës dhe Stambollit, të Napolonit dhe të tjerëve në Europë dhe botë. Nuk janë qytetarë nderi ata që themeluan dhe ndertuan Rrëshenin ata që ndërtuan pallatin e kulturës apo institucionet e Rrëshenit dhe së fundi kërkohen të bëhen qytetar nderi edhe disa të tjerë ani se ndonjëri prej tyre mund të jetë edhe antishqiptar. Propozohet të jetë qytetar nderi edhe Konsulli italian në Shkodër apo Ambasadori i Greqisë. Duke dashur të tregohemi “modernë” ndonjëherë bëhemi maniakë të të huajve. Ata kur marrin këtë titull thonë: “Do të dëshiroja ta meritoja”, pra edhe vetë janë të ndërgjegjshëm se nuk e meritojnë.

Nuk është qytetar nderi asnjë i pushkatuar me gjygj a pa gjygj. Nuk kemi një kriter për të shpallur nderin tonë, nuk pyesim se ç’ka bërë ky njeri që duam ta bëjmë qytetar nderi. Nuk pyesim për ndonjë kriter ani se mund të mos ketë lënë gjë pa bërë. Por ata që i propozojnë mos janë kaq trutharë apo marrin para që t’i propozojnë.

Kështu mjafton të kesh lekët dhe paguan e blen titullin e nderit për babanë, gruan, burrin, gjyshin, gjyshen, tatë edhe për ndonjë mik të huaj që ndoshta vjen t’i shërbejë ndonjë shërbimi sekret.

Gjithkush në Mirditë është habitur kur Presidenti Bamir Topit i del koha të vijë të bëhet “Katundar nderi në Mirditë” dhe vjen deri këtu vetëm se një gjysëm ore sa për të marrë medaljen. Ani se nuk ka asnjë kontribut në Mirditë, ai ka miq në Mirditë aq sa sot opinioni mirditas nuk e thërrasin në mbiemrin e tij po në mbiemrin e miqve të tij. E ky titull tatë Bamirit i jepet bash ditën kur në Tiranë ndodh Gërdeci e kufomat marrin udhën pa kthim për në botën tjetër. Ky president pa asnjë kontribut për Mirditën do prej saj medaljen “Qytetar (katundar) nderi i qytetit me 9000 banorë të Rreshenit.

Por populli nuk hesht dhe mirditori dihet se të pret nga veshja dhe të përcjell nga koka që ke kështu shpejt e shpejt populli thur vargjet ku vihen në lojë qytetarët e nderit.

Ka ardhur koha të thërrasim me të madhe kur do t’i jepet fund kësaj historie. Ç’duhet ai titull kur nuk e meriton!? Pikërisht ata që nuk e meritojnë turren në të gjitha mënyrat ta marrin këtë titull, ose më mirë ta blejnë këtë titull.

Aq banale ngjan kjo sa kafeneve të Rrëshenit njerëzit të thonë: “Titullin Qytetar nderi sot e blen me para” .

Ngrihemi prej kafes. Përtej rrugës në anën tjetër në trotuar shfaqej plaku me nipin e tij të vogël finok, e hidhte hapat e tij të brishtë si një dre i trembur nëpër rrugën e qytetit që më duken si rrugë ëndrre.

Sapo kishte nisur ajo mbledhje fillojë të shfaqet e verteta tronditëse. Fjalët e drejtorit, këshilltarë pa shkollë e me një diplomë të blerë hedhur pa kujdes si uji mbi një vullajë të vonuar a thua se merrnin jetë në shijen e pijeve rrufjane.” Propozoj për “Qytetar nderi” zotërinë …..

-Dëgjo zoti kryetar unë jam këshilltar dhe jam zgjedhur me votat e popullit prandaj kur flas unë duhet të mbani shënime.

Shoh se si i dridhej dora kryetarit flokëthinjur e nervozizmi i tij dukej haptazi. Egërsisht i tërbuar e një tërbim i tillë s’kishte ngjarë më parë.

Ç’fantazi e prapë ta ketë shpikur atë fjali” Qytetar nderi” të këshilltarit mendova. Civilizime e rrënime në cilën stinë vallë të ketë marrë udhë. Çerja e tij ngjan me hijen e një anonimi endacak. Kujton se rishtas mashtrohet e i zë besë vetëm pabesive të veta ku fsheh të fshehtën prapa së cilës vijnë poshtërsi. Zemërlëshuar a thua se e kishte suksesin e vetem tek morali që paguhet me para. Apo te diploma e blerë dhe vendi i punës i parapaguar. Një përfytyrim i gënjeshtërt ku energjitë janë gjithnjë të tensionuara e nëpërmjet të cilit mendohet të arrihet diçka. Në fund të fundit ai ashtu ishte gatuar një injorant e i paditur që kërkonte të shfaqej si autoritar dhe euridit e që sipas tij çdo fjalë e tij ishte e mençur dhe duhej vlerësuar ani se në to s’kishte asgjë që duhej.  Me anë të një force të brendshme të burmave të tij dhe nuk do të kishte nevojë pareshtur për një shtysë të re nga jashtë. Vetë liria shpirtërore dhe ndriçimi i mendjes mund të zhvillohet vetëm nën mbrojtjen e saj po a e kishte ndriçimin e mendjes këshilltari që ishte edhe injorant edhe fodull.

Veprimet e pamoralshme apo prirje për këto veprime që gjenden në vetë qënien e këshillatrit ishin vënë re prej kohësh prej të gjithëve  dhe nuk e nxisin dëshirën për të mirën, pra, nuk e përmirësojnë karakterin, por thjesht veprojnë mbi forcën e përfytyrimit, rrjedhimidht si të gjitha krijesat e fantazisë, ushtrojnë ndikim mbi mënyrën e të vepruarit. 

Nuk duhet harruar veçanarisht një problem që dëmton ndjeshëm njeriun dhe formën e tij. Këshilltari injorant me një nivel të mangët kulturor e kishte drejtuar veten në këtë kah të përfitimit të autoritetit që mungonte e votës së tij numerike kërkonte t’i jepte vlerë e kjo bashkohej me qëllimin për të arritur pikësynime të tjera e kjo kishte nxitur lakminë e tij për të shkelura vazhdimisht hapësirat e të tjerëve. Krahas moralit të munguar tek ai kishte lindur vese e mungesa e formimit të harmonizuar me veset kishin lindur ai model ku çdo shqisë ishte çliruar nga të arsyetuarit që aq dendur e errëson të vertetën. E kjo varet nga lidhja e ngushtë që ekziston midis moralit, karaktetrit dhe virtytit.

Njëri pas tjetrit këshillatarët rendnin drejt derës. E shoh, Kryetrarin e Këshillit, kolegun tim të punës, që nënqeshte lehtë me këtë histori sa bastarede aq edhe komike. Por akoma s’e kishim kaluar paradhomën e zyrës së kryetarit kur ai sërish kishte nisur të flasë. “ Këtë radhë qytetar nderi do të bëhet miku im.

Gabimi qëndron e ndërkohë që një marrëdhënie e tillë mund të burojë vetëm nga prirja e brendshme dhe jo nga urdhërat e jashtëm dhe gjithësesi pasojat e veprimeve shtërnguese nuk i përgjigjen aspak qëllimit që donte të arrinte. Brenda kornizave të një mbledheje këshilli bashkiak qoftë edhe për miratimin e buxhetit. E veprimet e tij udhëhiqeshin nga veprimi i ngushtë shpirtëror dhe mendor.

Edhe njeriu më i lirë e më i pavarur, i vënë në një gjendje të njëanshme, zhvillohet më pak. Nga ana tjetër ekziston një lloj trysnie, e cila në vend që të kufizojë rrit qartësinë e mendimeve. Mirpo ajo që njeriu synon dhe që duhet të synojë është diçka krejt tjetër.

Për të davaritur dhe hijen më të vogël të mospranimit të tjetrit dhe për të nxitur atë nderim, që njeriu duhet të ushqejë, kërkohet një mënyrë e të menduarit dhe të të ndjerit njerëzor.

Stërholluar është forca e tij mendore dhe shpirtërore. Përdorimi më i madh i forcës mendohej se nuk ishte i dëmshëm në kushtet e njëanshmërisë. Thjeshtësia, gjerësia, butësia dhe zgjuarsia gjithnjë i bënin disa prej këshilltarëve të heshtur. Por këshilltari me ndjenjën e një sulmi të përbashkët të padrejtë kishte kërkuar të depërtojë në qënjen e tij. Qëllimi i jashtëm ekziston por dhe një i brendshëm, madje nganjëherë ky është piksynimi i vërtetë, që të lidhet i pari vetëm për hir të domosdoshmërisë ose rastësisë. Dhe ajo që mund të mos shpjerë veçse në po atë marrëdhënie që krijojmë ne dhe moralit dhe ligjit. Do të kishte shpënë në mënyrë të pandalshme drejt shkatërrimit. Apo në formimin e shprehive në përputhje me modelin, që këshilltari kishte gjetur si të përshtatshëm.

Këshilltarët zbrisnin shkallët drejt hyrjes së godinës. Njëri prej tyre ia dha të qeshurës. Të tjerë lëngojnë pendimtarët.

 Në kafenenë e zhurshme përkulur mbi tryezë, ai plak i vjetër rri. Ndoshta fshihte një brengë thashë me vetë teksa e pashë zemërlëshuar. Duket se e han nga brenda vetmia. Shpresa e tij është thinjur. 

Në tryezën e plakut, pranë djalit të vogël, kishte një cop vend e unë kërkova të ulem ta përshëndes atë burrë të vjetër, që ishte një poet i spikatur po fatkeqësisht xhepgrisur që në të gjitha mënyrat mundohej me u ikë ëndrrave ndjellakeqe edhe pse i kishte mbetur vetëm hija krenare. - Si je, iu drejtova sërish plakut. Dy hije u shfaqën pranë e pranë. Oh,  ofshani -do leçisni moral atë që zoti e krijojë të mangët këta ardhacakë ardhë në qytetin tonë nëpër shtigjet e mjegullta, nëpër terrnasjë. Eh ata kanë propozuar qytetarin e radhës të nderit. Edhe helmi paska shije kur emrin e qytetarëve të nderit lexoj.  E njoh fuqinë e fjalës frelëshuar prandaj hesht. Ruajini fjalët. Po sduhet të heshti që të mos më marrë peng zhgënjimi. Edhe pse hesht, unë nuk hesht këshilltari injorant apo gjykatësi që shtërngon duart mbi tryezë, kur buzët e zbehta shqiptojnë vendimin e padrejtë. Eh ku mbërritëm deri këtu ku gjygjtarin e kemi të padrejtë,deputetin të shitur, këshilltarin injorant. Flasin mizëria e hajdutëve me kokat të fshehur pas xhamave të zinj. Që dalldisin e harbojnë. Që shqelmuan të kaluemen - përrallat me të cilat ma mbushte mendjen e na çuan deri në skaj të marrëzisë. Sot me ndërgjegjen në mungesë. Por kjo qenka botë e mbrapshtë e me ne zgërdhihet koha shtrigë. Shih miku im sa budallenj, ashtu dhe harbutrët turren të propozojnë për qytetar nderi njerëz pa nder. Ngado kurthe ngrenë komplote. Shihe djallëzinë në sy që dhelpërshit ju shkëlqejnë. Dhëmbët që të fusin frikën edhe kur qeshin, jo më kur skërmiten.

Unë se fsheh dot të vërtetën. Udhëkryqet e fatkeqësive tona shfaqin të vertetat tronditëse.

 E vështroj plakun, që lëshon namë e gjamë dhe e përfytyroj tek i mora dhe retë ngarkuar me vete. E më duket se fjalë të vdekurve u shkruan, se të gjallët janë të vdekur.  S’mendoi kurrë për karrierë ndërsa tash përballet me “nderin e munguar të qytetarit të nderit”, që mbinë përditë në qytet tona si kërpudhat pas shiut.

Nipit tim të vogël zemrën i lashë peng, më thotë plaku. Ti se ndjen fajin, hakmarrjen primitive, por unë kam një vend të shenjtë në zemër ku i ruaj kujtimet, i thotë atij. Hapin tënd të brishtë si një dre i trembur në këtë kohë kur vështrimin ta zhvati nata grabitqare.

 Ai edhe netëve të territ don t’u mbes peng fjalëve. Shih mirë biri im. O t’u bësh ballë natës, erës, etjes dhe urisë, e talljes, e së keqes e disfatës – siç bëjnë pemët dhe kafshët. E thonë gurët dhe toka, e thonë ata që ikën. Manastire të rrënuara. Tempujt që fshehin të fshehtat e frikshme, që shumë dallgë u sulmuan herë përballë e herë pas shpine.

O njerëz, Zoti ju faltë. Jeta (vdekja) mori fytyrën e legjendës tek ata që më të mirën e mundshme bënë për këtë vend e këtë truall. Udhën na ka zënë e s’na shohin Zotat.

U përhap ky lajm i çuditshëm ngado. “Qyteti ynë ka dhuratë nderin e munguar për qytetarët e nderit”. 

Sa turp në tavolinën ngjitur dikush sot paguan nderi i munguar i qytetarit të nderit

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat