Kurtha e përgatitur nga Borreli dhe Lajçaku ndaj Dardanisë me 18 gusht, është ogurzezë!

Opinione

Kurtha e përgatitur nga Borreli dhe Lajçaku ndaj Dardanisë me 18 gusht, është ogurzezë!

Nga: Hafiz Shala Më: 17 gusht 2022 Në ora: 18:39
Autori Hafiz Shala

Një pakujdesi, me a po pa qllim e ish udhëheqësve nënshkrues të Asociacionit, faturën po e paguajmë me interes të lartë, sa që as nuk do të mundemi ta durojmë.

Asociacioni me kompetenca ekzekutive si kërkesë kryesore e Serbisë, por jo edhe e popullatës serbe, ku edhe do të thyhen shtizat, do të jetë pragu të cilin, Dardania nuk guxon ta pranojë, kërkesë të cilën Vuçiqi edhe publikisht u deklarua pasi, në atë mënyrë definitivisht do të ketë kontroll mbi Dardaninë.

Vuçiqi, nuk guxon të lëshojë pe në këtë kërkesë që i bie se eventualisht çdo “qetësi” apo lëshim nga Serbia, do të thotë fundi i Vuçiqit, jo vetëm nga politika, por edhe nga rreziku që ta përjetojë fatin e Zoran Xhingjiqit.

Këtë, Vuçiqi e ka të qartë sepse, ai vetë e stërmbushi balonën e nacional-shovinizmit, i cili po qe se eksplodon, e nuk është larg mendsh, se pasojat janë katastrofale për Serbinë, njëherazi edhe rast i rrezikshëm për destabilizim të rajonit, me theks të veçantë në Dardani, një konflikt i planifikuar nga Rusia e i heshtur nga Evropa.

Presioni ndaj Kurtit do të jetë me përmasa marramendëse nga dy ndërmjetësuesit, përfaqësues të dy shteteve të cilat, jo vetëm që nuk e njohin Dardaninë por, në kuluaret politike jo publike, lobojnë dhe agjitojnë, si ta detyrojnë Albinin të pranojë atë të cilën e ka kundërshtuar derisa ishte në opozitë duke paralajmëruar qysh atëherë se çka do të ndodhë, për t’i “mbet kopili në derë” nga ata, të cilët sot e kundërshtojnë dhe e akuzojnë se është i gatshëm për “akt tradhtie”.

Përgatitja e këtyre kurtheve në bashkëpunim me po këta dy përfaqësues të BE-së, me qarqet tjera të disa shteteve evropiane, mike historikisht të Serbisë, me kolaboracionistët shqiptar, që nga kryeministri i Shqipërisë, nga opozita, e cila të vetmin shpëtim e sheh me rrëzimin e Albinit, duke iu bashkangjitur po të njëjtave kërkesa se, duhet larguar nga bisedimet si i “papërshtatshëm dhe i rrezikshëm”, të njëjtën gjë që e kërkon Lista serbe, alias Serbia e Vuçiqit, të cilët, më shumë do ta dëshironin Kristaqin si bashkëbisedues në dialog, si “njeri të paqes” i miqësisë së mirë me Serbinë, që, do t’i realizonin ëndrrat e Ballkanit të hapur.

Prandaj, shpëtimi i vetëm do të mbetet në Parlamentin e Dardanisë, i cili duhet të del me një rezolutë të qartë, se, një Asociacion të cilin e kërkon Serbia është i papranueshëm, sepse e rrezikon funksionalizimin dhe shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin, të cilin e kanë kundërshtuar edhe SHBA-të, por, që një lloj Asociacioni duhet të themelohet i pranueshëm për shumicën e popullatës.

Duke u nisur nga mentaliteti dhe politikat destruktive serbe, nuk do të më befason, ndoshta edhe aminin e Borrel e Lajçak që, Vuçiqi, gjoja në shenjë revolte, demonstrativisht ta lëshojë takimin duke i shtyrë ndërmjetësuesit që të marrin vendime radikale kundër dëshirës së Dardanisë, “për hirë të paqes dhe qetësisë”.

Nuk është rastësi se, data 18 gusht u caktue kur kanë qenë në dijeni se, deputetët e parlamentit janë në pushim dhe një seancë e tillë e rregullt nuk mund të thirret, përpos në raste urgjente.

Unë e lexova postimin në fb të ushtarakut shqiptaro-amerikan, zotit Muharrem Maralusha, të cilit, me arsye i besoj dhe e përkrahi pasi, siç u shpreh edhe ai vetë se gati 50 vite ka punuar si analist dhe Këshilltar për Ballkanin dhe Evropën Juglindore në Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve prej vitit 1968-2016.

Zoti Kryeministër, gabove rëndë që nuk e angazhove këtë ekspert të sigurisë në AKI, i cili, ishte i gatshëm që të punojë vetëm për 1 dollar në muaj, por, që do të ishte në interes të Republikës së Dardanisë, që, ma merr mendja nuk mund ta paramendosh se çfarë njohuri dhe dëshmi ka ky njeri.

Sikur ta kishe në atë shërbim, takimi me 17 e 18 gusht, nuk do ta zinte “gafi” me gjëra të panjohura.

Kur, ky njeri shprehet publikisht se çka ka dëgjue me veshët e tij nga këta të dy ndërmjetësues, jo dashamirës të Dardanisë, me siguri se pozicioni i yt do të ishte shumë më i avancuar dhe mirë i përgatitur.

Në këto takime, nuk marrin pjesë direkt SHBA-të, që njëherit është edhe kërkesë e këtyre përfaqësuesve “indiferent”, sepse, kjo, sipas tyre, është edhe çështje e Evropës, me qëllim që situata të komplikohet edhe më tepër duke e patur parasysh luftën në Ukrainë, provokimet e Kinës ndaj Tajvanit, që është edhe provokim ndaj SHBA-ve, gatishmëria e Koresë së Veriut për t’i dërguar 100 mijë ushtarë vullnetar në luftë me Ukrainën dhe qëndrimeve labile të disa shteteve evropiane ndaj Rusisë, që kanë një miqësi historike dhe, mosgatishmëria e tyre për t’i përballuar kërcënimeve dhe shantazheve ekonomike ruse nëpërmjet ndërprerjes së furnizimit me gaz, duke mos kërkuar alternativ tjetër, qoftë edhe nga SHBA-të, të cilat ishin të gatshme që ta ndihmojnë në këtë drejtim.

Tani, jo rastësisht doli në sipërfaqe çështja e shamive si “ temë urgjente” që, kësi veprime nuk janë të panjohura për neve se nga e kishin burimin në kohet e kaluara.

Fatkeqësisht kleri shqiptar mysliman, njerëz të paguar e të dirigjuar nga Serbia, fatkeqësisht të pritë edhe nga Bashkësia Islame, grupet e ndikuar nga shtet islamike, si Irani përmes adhuruesve të tyre në Dardani, Turqia e Erdoganit, e polarizuan atë shtresë në të cilën kanë ndikim, qoftë përmes financimeve në ato më se ku gjendja sociale është e rëndë, deri tek tentimfutja e përçarjes edhe ndaj popullatës së besimit të krishterë.

Këtë regji, nuk e kanë përgatitur njerëz naiv dhe rastësisht, por qarqe të caktuara të drejtuara nga shërbime të ndryshme inteligjente, të cilat, me gjithë dëshirën dhe gatishmërinë që organet e sigurisë t’i zbulojnë dhe ndërmarrin masa të nevojshme, është shumë vonë.

Po tentohet të shpëtohet ajo që mund të shpëtohet.

Sipas kësaj, nëse gjërat rrjedhin sipas apetiteve dhe qëllimeve të Borrel e Lajçak, qetësi as paqe nuk do të ketë në veri pasi, Serbia, sipas deklaratave të Vuçiqit se, Albini po përgatitet t’i sulmoj serbët në veri, lenë me nënkuptuar se, vetë Serbia do të organizoj vrasjen i disa serbëve në veri për ta akuzuar Dardaninë për nxitje të “shpërnguljes” së serbeve, ashtu siç ka ndodhur në lokalin “Panda” në Pejë sa vite ma parë, ku, akuzoheshin shqiptarët e që në fund doli e vërteta, të cilën e pranoi edhe vet Vuçiqi.

Definitivisht, nëse nuk ka ndonjë marrëveshje paraprake në mes të zyrtarëve amerikan dhe atyre evropian, me një propozim konkret e që, nuk bien ndesh me Kushtetutën e Dardanisë dhe jo sipas kërkesave të Serbisë, sepse, këtu do “thyhen shpatat” dhe ky do të jetë momenti për sukses apo dështim, atëherë, bëhuni gati për më të keqen edhe pse KFOR-i është këtu, skenarët e përgatitura më parë nga ekspertët ruso-serb, do ta pamundësojnë që të intervenojnë, ndërsa, siç ndodhë në raste të këtilla, kur vjen te konflikti i armatosur, do të thosha lokal, e jo i përmasave ushtarake, që është qëllim dhe paramendim i Serbisë, për “ta qetësuar situatën, zakonisht merret gjendja faktike në terren, e ajo është, popullata shumicë në veri.

Nëse organet e sigurisë tentojnë të ndërmarrin masa sipas Kushtetutës në shtrirje të sovranitetit, luftimit të krimit, korrupsionit, veprimeve subversive të agjenturave të kushedi se sa janë në veri, dhe të mbrojtjes së tërësisë territoriale, do të vie deri te konflikti i armatosur, jo ushtarak por mes policisë dhe popullatës së armatosur, respektivisht të forcave ilegale policore të Serbisë të instaluara, të ushtruara, të organizuara dhe të përgatitura enkas për kësilloj veprimi në veri ku dhe do të ketë viktima të pafajshme për çka Serbia as që e çanë kokën, ndërsa faji do t’u hedhet shqiptarëve si gjithmonë.

Dhe, çka. Do ta kemi një Palestinë në zëmër të Ballkanit e ndihmuar nga Serbia dhe Rusia ku kurrë nuk do të ketë paqe.

Ky, është edhe qëllimi i Serbisë duke e stërzgjatur situatën konfliktuoze më shpresë që, banori i Shtëpisë së Bardhë, do të vijë një Trump i vjetër apo i ri, mik i respektuar i Rusisë, siç ndodhi me zgjedhjen e presidentit Trump kur Duma-Parlamenti rus atë natë nën iniciativën dhe organizimin e ultranacionalistit Zhirinovski një Sheshel rus, festuan duke pirë votkë deri në orët e mëngjesit.

Dikush do të më thotë se jam ndjellakeq por, mos ta njihnim Serbinë me shekuj dhe përkrahësit e sajë evropian, ndoshta do të isha më optimist.

Dhashtë Zoti që kjo që e shpreha, atë pjesën negative mos të ndodhë por, të jemi të përgatitur e të gatshëm që mos të befasohemi, sepse do të jetë tepër vonë.

Hafiz Shala

New York

17 shkurt 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat