Limaj po thotë “e kam nxjerr Kosovën nga lloçi” / Votuesi të ka dërguar në "humnerë" politike

Opinione

Limaj po thotë “e kam nxjerr Kosovën nga lloçi” / Votuesi të ka dërguar në "humnerë" politike

Nga: Faton Mehmeti Më: 25 shtator 2022 Në ora: 13:20
Autori Faton Mehmeti

Si pak njerëz me pushtet pas lufte, ish-ministri Fatmir Limaj kohë të gjatë ka qenë në qendër të vëmendjes, natyrisht jo për të mirë. I përfolur për miliona euro të keqpërdorura, Limaj e ka mbyllur atë kapitull, duke u shpallur i pafajshëm në rastin e famshëm të tenderëve multimilionësh të MTPT.

Në mungesë të drejtësisë së pavarur është e kuptueshme se shumë njerëz besojnë se e ka blerë me para lirinë. Të tjerët i përkasin taborit tjetër: atij që beson verbërisht se Limaj nuk e kishte keqpërdorur asnjë cent të vetëm. Personalisht nuk besoj tek Fatmir Limaj, një drejtësi e pavarur mund të jepte verdiktin final dhe të vërtetë, e mungesa e një të tille manifestohet nga injorimi i nisjes së hetimit edhe kur akuzat janë të forta.

Hiç më larg se ish deputeti i Limajt, Milaim Zeka, kishte publikuar një auto incizim të fshehtë në të cilin ka hedh dyshime për Limajn. Në fakt në atë incizim ishte biseda mes ish-deputetit të Nismës, Milaim Zeka dhe ish-partnerit të tij të biznesit me viza, Ilir Krasniqi, që zbulonte detaje të errëta të një takimi në mes Limajt, aso kohe ministër i Transportit dhe dy biznesmenëve gjermanë të interesuar për të investuar në Kosovë.

Me gjithë përmbajtjen e rëndë të incizimit, biseda zhvillohet mes dy ish tashmë të akuzuarve për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi. Në një takim, sipas Ilir Krasniqit, Limaj u kishte kërkuar tre milionë euro ryshfet në mënyrë që t’u lehtësoheshin procedurat e investimeve dy biznesmenëve gjermanë. Do të investohej në një fabrikë me qymyr.

Një njeri i tillë si Limaj ka fytyrë të thotë se në kohën sa ishte ky ministër, Kosova ka shënuar sukseset më të mëdha. “Ndihem krenar, e kam nxjerrur Kosovën nga lloçi”. Po lloç më të madh se Limaj dhe soji i tij s’ka krijuar kush, s’ka pas dhe as s’do të ketë ndonjëherë në Kosovë. Në rolin e heroit imagjinar Limaj thur elozhe për vete dhe "ndërtimin e Kosovës". Nëse Limaj e quan ndërtim korrupsionin, hajninë dhe nepotizmin jam dakord, ama për ndërtim të shtetit, as që bëhet fjalë. Aq larg shkon pafytyrësia e këtij njeriu, të cilit populli nuk i besoi më shumë se 2%, i serviloset kryeministrit me krekosjen, “Unë jam këtu t’i shërbej vendit tim, dhe kryeministrit tim për këtë temë (dialogut) nëse i duhet ndonjëherë najsen, nëse i vyej ose si duhet, jam këtu". Pikërisht se nuk i ka vyejtur popullit, e ka dërguar në "humnerë" politike. Eh, shërbimin më të mirë Kosovës soji i Limajt dhe vet ai ia bëjnë duke qëndruar sa më larg pushtetit e parasë publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat