Goditja e korrupsionit dhe shkatërrimi i Rusisë, dy shtyllat që sigurojnë të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan

Opinione

Goditja e korrupsionit dhe shkatërrimi i Rusisë, dy shtyllat që sigurojnë të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan

Nga: Spartak Ngjela Më: 25 shtator 2022 Në ora: 15:35
Spartak Ngjela

Dy janë komponentët që do të sjellin zhvillimin e shpejtë të Shqipërisë: kriza e Rusisë nga lufta me Ukrainën dhe, SPAK në Tiranë, për fillimin e procesit penal kundër korrupsionit shtetëror.

Kriza e Rusisë që po vjen e dobëson përfundimisht segmentin historik antishqiptar Beograd-Moskë.

Por bashkë me këtë vjen edhe likuidimi i korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri, sepse të gjithë të korruptuarit e mëdhenj që po pritet të jenë nën akuzë, të gjithë mbështetjen e kanë te Moska dhe Beogradi.

Prandaj, këto që përmendëm, janë dy fitoret e mëdha të Shqipërisë dhe Kosovës.

Por, na duhet të theksojmë se, kriza tërësore që mund të shkatërrojë Rusinë, për ne shqiptarët, do të sjellë bashkimin kombëtar.

Por…

1-A do të fillojë SPAK proceset penale kundër klasës politike të korruptuar në Shqipëri?

Po, kjo është e sigurt, sepse SPAK drejtohet nga Amerika.

Në zyrat e SPAK-ut dallohen përditë ekspertët amerikanë që punojnë aty. Shqipëria sot është në prag të suksesit të vet historik: me ndihmën e politikës amerikane, Shqipëria dhe shqiptarët do të shpëtojnë nga zgjedha Beograd-Moskë-Paris që po e sundon që nga viti 1992 nëpërmjet krerëve të korruptuar të të dy partive të mëdha.

Sigurisht, regresi më i madh që shkatërroi Shqipërinë ka qenë viti 1992-1997, i cili në histori do të hyjë si tmerri i raportit Berisha – Beograd. Keni për ta parë.

Por bllokimi i zhvillimit shqiptar ka vijuar deri në vitin 1998, me luftën e Kosovës: për Shqipërinë, shkatërrimi berishiano- Beograd i Shqipërisë, përfundoi bashkë me çlirimin e Kosovës.

Por, gjithsesi, koha nuk e çliroi plotësisht Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse pas vitit 1998 filloi sundimi makabër i korrupsionit të lartë shtetëror, i lidhur deri tani me segmentin armiqësor që në dy shekuj rresht, nuk e pranon ekzistencën e Shqipërisë.

Eliminimi i të korruptuarëve të lartë, të cilët tani janë të gjithë të skeduar, do të hapë faqen e re të Shqipërisë dhe Kosovës. Këta të korruptuar janë banditë antishqiptarë, njëlloj si hajdutët e shtëpive që urrejnë për vdekje të zotërit e shtëpive që ata kanë vjedhur.

Kjo është gjendja që pritet të ndryshojë Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe do t’i ndryshojë.

-A po ka shenja të krizës së Rusisë deri në shkatërrimin e saj, në luftën që ajo ka hapur me Ukrainën?

Po, ka të dhëna dhe analiza konkrete: Rusia po shkon drejt shkatërrimit ekonomik, i cili do ta çojë në shpërbërjen politike të Federatës. Por lufta do të vijojë. Rusia ka rënë në kurth, dhe situata e krijuar do të shkojë drejt shpërbërjes politike të Federatës Ruse, sepse në fakt, Rusia sot përbën një rrezik ndërkombëtar.

Sipas ekspertimit, ekonomia ruse ka rënie të madhe, sepse efektet e sanksioneve janë të qarta dhe të dukshme: inflacioni po rritet, papunësia është në rritje, prodhimi industrial është i ngadalshëm, qendrat tregtare janë plot me dyqane të mbyllura dhe Putini është detyruar të mbyllë e të mos i botojë të dhënat ekonomike. Ai nuk i jep as statistikat mbi tendencat e të ardhurave,  nuk  jep asgjë. Dhe nga sjella, duket si të jetë një bishë e mbyllur në kafaz.

Nuk i jep dhe eksportet e naftës së përpunuar.

Për më tepër, eksportet e naftës së përpunuar në këtë shtator ranë edhe më shumë, kurse vlerësimet për tetorin parashikojnë një goditje të mëtejshme për të ardhurat e Moskës.

Kjo është gjendja e Rusisë në Luftë.

Si përfundim: dy arsyet që përmendëm – asgjësimi i korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri dhe kriza me shkatërrimin e Rusisë, janë dy kolonat që do të mbajnë suksesin e botes shqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe, sigurisht, këto kolona do të mbajnë me vete edhe historinë e re të Shqipërisë: bashkimin kombëtar Shqipëri-Kosovë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat