Serbia me shkrepsën e luftës në dorë, përsëri

Opinione

Serbia me shkrepsën e luftës në dorë, përsëri

Nga: Isa Zymberi Më: 26 shtator 2022 Në ora: 14:25
Isa Zymberi

Serbia, ashtu si rreth 11 dekada më parë, përsëri e ka shkrepsën e luftës në dorë dhe, sapo t'i jepet sinjali nga udhëheqja aktuale e çmendur ruse, është e gatshme ta ndezë një luftë tjetër. Ndryshe nga ato katër luftat e viteve '90 në ish-Jugosllavi që mund të karakterizohen si lokale, kësaj radhe lufta do të jetë me përmasa botërore, nën hijen e kërcënimeve të parreshtura të Putinit se është i gatshëm të përdorë edhe armë berthamore.

Politikanët e sotëm serbë vazhdojnë ta kenë absolutisht të njëjtin mentalitet si politikanët serbë të fillimshekullit 20 dhe, fatkeqësisht, populli serb vazhdon t'i përkrahë dhe mbështesë në secilën aventurë.

Nga Lufta e I-rë, ashtu si dhe nga Lufta e II-të botërore, me gjithë tmerret me të cilat është përballur populli i saj, Serbia e ka ndjerë vetën si përfituese. Për habi, sikur ka të tillë politikanë serbë që mendojnë se duhet ta provojnë edhe herën e tretë me një luftë botërore.

Po e përcjellin situatën me dinakëri për të parashikuar epilogun e luftës Rusi-Ukrainë.

Në Kosovë, politikanë e analistë sikur janë zënë në një lojë me skedina (prognozë sportive) dhe garojnë me 'ka luftë/s'ka luftë', madje disa dhe turren për të kritikuar ata që i druhen luftës me arsyetimin se po shkaktojnë panik të panevojshëm te njerëzit.

Edhe pse shqiptarët, pothuaj gjatë gjithë historisë së tyre, nuk njihen se kanë bërë ndonjëherë luftë agresive për territore të të tjerëve, madje as që kanë aq të suksesshëm për mbrojtjen efektive të territoreve të veta, në rrethanat e pikërishme për luftë duhet të jenë të përgatitur çdo ditë e të shpresojnë që ajo të mos ndodhë kurrë.

Është pothuaj hera e parë në histori që shqiptarët gjenden në pozita të favorshme, me Shqipërinë në NATO e me NATO-n në Kosovë. Mirëpo, raportet ndërshqiptare janë aq të komplikuara sa që i japin përparësi palës kundërshtare. Kjo situatë do të vazhdojë për aq kohë sa SHBA ta lejojë faktorin Soros të vazhdojë të luajë me Ballkanin. E, derisa të ndodhë kjo, dëmi mund të jetë bërë pa mundësi zhbërjeje.

Kryeministri i Shqipërisë, Rama, në OKB këto ditë, hiq angazhimin e tij për Thaqin dhe kundërshtimin më se një dekadë me vonesë të raportit të Dick Marty-t, lidhur me Kosovën, bëri një reprizë të deklaratës së tij me rastin e vizitës së parë në Beograd para disa vitesh. Kur Rama e ftoi Serbinë ta njihte Kosovën sepse pavarësia e saj tashmë ishte realitet, miku i tij i sotëm, Vuçiqi, përpak shkaktoi skandal diplomatik me reagimin e tij. Këtë situatë ia doli ta zbuste Rama duke i thënë Vuçiqit se e kishte ftuar ta vizitonte Tiranën dhe se kur të vinte atje mund të deklaronte çfarë të donte. Serbët dinakë e kuptuan se Rama nuk e kishte seriozisht me deklaratën e tij. Kësaj pune i thonë: 'Më rrove të rrova, brisku i berberit.'

Rama në OKB, në vend se ta çonte kot kohën e rezervuar për të, sa i përket Kosovës, ka qenë më e rrugës t'i ftonte shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, sidomos ato pesë anëtaret e BE-së, që këtë ta bënin sa më parë, ta ftonte Serbinë publikisht ta ndërpriste angazhimin e saj për çnjohje. Rama zgjodhi ta luante rolin e udhëheqësit global dhe madhështinë e vet në këtë rol e shprehu duke thënë se vendi i tij nuk lëvizë nga pavarësia e Kosovës, megjithatë ai, si lider global, ka marrëdhënie miqësore me Serbinë dhe po angazhohet me idenë 'e madhe' të Open Balkan (prodhim sorosian i Open Society).

Kryeneqësia e pesë vendeve të BE-së që vazhdojnë të mos e njohin Kosovën është një turp që s'mund të arsyetohet. Aq më pak mund të arsyetohet që të dy udhëheqësit e dialogut Kosovë-Serbi vijnë nga shtete mosnjohëse, të cilët nuk arrijnë (apo nuk duan) ta kuptojnë se Serbia po tallet me BE-në dhe botën demokratike perëndimore në përgjithësi, dhe se ajo nuk e ka as më të voglin interesim të anëtarësohet në BE, sidomos përderisa mund të vazhdojë të përfitojë nga të dy anët. Nëse nuk e kanë kuptuar deri më tani, këtë mund ta kuptojë edhe një fëmijë i mitur pas marrëveshjes Llavrov-Selakoviq.

A vlen për Ramën thënia 'miku i mikut tim, është dhe miku im'?

Pa i përmendur shkallimet e udhëheqjeve kosovare që nga çlirimi e deri më sot, duhet të themi se Europa nuk është marrë seriozisht me problemin Kosovë-Serbi, e kur për këtë çështje nuk e ka seriozisht as SHBA, atëherë është vështirë të presim një të ardhme të ndritur.

As Shqipëria, as Kosova nuk duhet të mbështeten qindpërqind në mbrojtjen e NATO-s. Të dyjat duhet të jenë në gjendje të bëjnë sado pak qandër edhe vetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat