Cili është ministri më i mirë dhe më i dobëti në qeverinë Kurti 2?

Opinione

Cili është ministri më i mirë dhe më i dobëti në qeverinë Kurti 2?

Nga: Faton Mehmeti Më: 27 shtator 2022 Në ora: 16:30
Autori Faton Mehmeti

Në të kaluarën, ministrat kanë vepruar si sundimtarë, për t’mos thënë aspak në detyrën që ishin –shërbyes të qytetarëve. Kriptokracia e instaluar nga sistemet e kaluara ka prodhuar ministra mendjemëdhenj, padronë, bos që kontrollojnë çdo gjë dhe pa të cilën asgjë nuk mund të bëhet. Në vendet me demokraci të brishtë ky sistem ka prodhuar nepotizëm, krim, korrupsion dhe kapje të shtetit, në shenjë revolte qytetarët me 14 shkurt 2021 votuan Albin Kurtin për ndryshim.

Këtij ndryshimi të mendësisë dhe të vepruarit, Kurti ua bëri të ditur ministrave të tij para disa ditëve. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti tha se ministrat duhet të shërbejnë, e jo të sundojnë, apo të jenë mendjemëdhenj. Kjo thirrje bashkë me togfjalëshin “Askush e askund nuk është i paprekshëm”, ua kujtojë ministrave të tij se mund të shkarkohen nëse nuk prodhojnë rezultate të kënaqshme, me fakte bindëse.

Andaj, edhe u kërkoj të gjithë që “për javën e ardhshme secili prej ministrave t’i sjell katër-pesë të arriturat kryesore për një vit e gjysmë”. Kjo praktikë e llogaridhënieve tek shefi i qeverisë nga ministrat në të kaluarën ka qenë formalitet, ata që ishin ministra nuk është se kishin ndonjë meritë në karrierë dhe punë, “meritë” e vetme e tyre mund të quhet servilizmi ndaj shefit të tyre.

Kjo mendësi edhe ka sjellur gjendjen ku ndodhet vendi ynë. Një qeveri reformatore vazhdimisht bën reforma, ato nënkuptohen nga puna apo mos puna e secilit ministër, jo nga afërsia, nga matjet se kush është më servil me kryeministrin. Kurti kërkoi nga ministrat mos të jenë arrogant, gjë shumë e qëlluar, ka shumë raste të njohura të ndëshkimit të arrogancës nga ana e qytetarëve të atyre që jetën në pushtet e konsideronin të përjetshëm. Nisur nga perceptimi i qytetarëve disa nga ministrat janë të pëlqyer e disa më pak, kjo s’do të thotë se të njëjtit kanë punuar më pak apo më shumë se pjesa tjetër, puna matet me fakte.

Por, duke u nisur nga perceptimi im personal, mendoj se dy ministrat më të suksesshëm deri tani të qeverisë Kurti janë Artane Rizvallnolli dhe Armend Mehaj. E para për aftësinë e madhe për të lidhur marrëveshjen me SHBA për investime në energji, menaxhimin e mirë të situatës me energji dhe projektet afatgjate në këtë sektor. Ministri i Mbrojtës për reformat në ushtri, përgatitjen e duhur dhe raportet e forta me SHBA-në dhe NATO-n duke shndërruar FSK-në në ushtri të vërtetë me të gjitha mjetet e duhura, për më tepër nuk është shquar për arrogancë në drejtim të qytetarëve. Derisa tek ministrat më pak të shquar në punën e tyre e vlerësoj ministren e arsimit, pa e ndërlidhur fare me grevën, mungesa e vizionit për reforma në arsim, në njërën anë akuzonte ish-kryetarin e Kamenicës për zvogëlim të numrit të mësimdhënësve deri vet ajo çdo ditë flet për mbi dy mijë mësimdhënës tepër, kjo është vetëm njëra nga shumë faktet të ndeshjes së bindjeve të saja. Në përgjithësi zonja Nagavci është e mirë për ndonjë drejtoreshë shkolle, por jo për ministre, gjithsesi vlerësimi i mbetet kryeministrit Kurti për të marr vendimin. Edhe ministri Murati është shumë i atakuar, kjo, do të thotë se s’po bën punë të mirë, megjithatë në raport me publikun është treguar në disa raste arrogant, të cilën gjë duhet t’ia bëjë me dije Kryeministri, derisa për punën e tij në përgjithësi them se ka punuar mirë. Edhe ministri i shëndetësisë, edhe pse erdhi me shumë vrull dhe u përshëndet edhe nga opozita, nuk bëri ndonjë gjë për tu vlerësuar, andaj edhe u detyrua kryeministri Kurti të ndërhynte duke marr drejtimin e udhëheqjes së komisionit për shëndetësi. Besoj, se z.Latifi mund të jetë shumë mjek i zoti, por për ministër duhet aftësi politike dhe pragmatizëm, të cilat deri më tani nuk i ka shfaqur. Edhe ky besoj se duhet të jetë në listën e ndryshimeve. Për të tjerët s’mund të them as mirë dhe as jo mirë, deri diku, gjithsesi raporti i punës së tyre duhet të jetë baza mbi të cilat të veprojë Kryeministri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat