Post Mortum - Prof. Dr. Belul Beqaj

Opinione

Post Mortum - Prof. Dr. Belul Beqaj

Nga: Prof. Dr. Musa Limani Më: 27 shtator 2022 Në ora: 18:43
I ndjeri prof.dr. Belul Beqaj

Me pikëllim e dhembje të thellë shpirtërore e zemërthyerë, e mora lajmin për vdekjen e mikut tim, intelektualit dhe pedagogut shumë të shquar, punëtorit kreativ profesional e shkencor Prof. Dr. Belul Beqaj. Tani, pas vdekjes së tij, me dhembje të thellë e përkujtojë kolegun dhe mikun tim të dashur e shumë të respektuar, politikologun, intelektualin dhe pedagogun e mirëfilltë Prof. Dr. Belul Beqaj.

Më 25.092022, ndërroi jetë Prof. Dr. Belul Beqaj pas një sëmundje të rëndë. Po në të njëjtën ditë iu dha lamtumira e fundit dhe u varros në varrezat e qytetit të Prishtinës, me një përcjellje madhështore nga një numër i madh qytetarësh, intelektualësh, pedagogësh, studentësh, publicistësh etj. Unë si mik i tij, e kam shumë vështirë të pranojë se Prof. Dr. Belul Beqaj, si e quanim në rrethin e ngushtë Luli, nuk gjendet më në mesin tonë e para studentëve, si dhe në debate dhe analiza në mjetet elektronike të informimit, ku dallohej si profesionist “AS”, në fushën e politikologjisë.

Andaj, e nderuara familje Beqaj, ju lutem, që me rastin e vdekjes së më të dashurit të Juaj, bashkëshortit, babait, vëllait, e kështu me radhë, t’i pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta dhe me zemër të thyer e të pikëlluar. E kisha mikun (shokun) më të afërtë, më të dashur, më të sinqertë e më të respektuar. E nderuara familje Beqaj, e kam shumë vështir që të përmendi fjalën se ndërroi jetë Prof. Dr. Belul Beqaj. Mirëpo, kjo qenka jeta. Jeta vazhdon.

Mua më mungon fjalori, për të prezantuar veprimtarinë e tij profesionale-shkencore dhe pedagogjike. Mirëpo, pa dyshim se në punën dhe jetën e tij, janë gërshetuar virtytet e larta profesionale-shkencore, pedagogjike, intelektuale, njerëzore, humane, e mbi të gjitha ato kombëtare. Ai një jetë të tërë dhe potencialin e tij profesional-shkencor, ia kushtoi luftës pa kompromis për kauzën tonë kombëtare. Në kontekst të kësaj, duhet potencuar se, është vështirë të shkëputësh nga këto virtyte dhe karakteristika të veçantën, sepse në jetën dhe veprimtarinë e tij, të gjitha këto zhvilloheshin, kultivoheshin dhe ishin njësojë të pranishme, që është karakteristikë vetëm e intelektualëve të mirëfilltë, siç ishte edhe Prof. Dr. Belul Beqaj.

Prof. Dr. Belul Beqaj ishte luftëtar pa kompromis dhe i drejtpërdrejt ndaj dukurive negative në shoqërinë tonë, para e pas çlirimit, ishte stoik, trim e guximtar. Kundër idealit të tij, që ishte mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në ish Jugosllavi, kurse pas çlirimit mbronte dhe zhvillonte tezën e Ribashkimi kombëtar, nuk mund ta luhatnin asnjë furtunë e acar. Ato nuk e trembën edhe më tepër i jepnin kurajo dhe guxim për të realizuar idealet e tija, edhe pse ishin të shumta e të ashpëria në kohën kur ai jetoi e veproi. Ishte human, nuk dinte të urrej, por as nuk lejonte që dikush të përdhos dinjitetin e tij personal, e në veçanti identitetin kombëtar. Ishte vetvetja, qëndronte vertikalisht pa ndikime partiake, të cilat virtyte i zhvilloi, ruajti dhe i mbajti deri në vdekje. Gjithmonë e çdo herë, ishte i renditur në anën e duhur (në fletën e bardhë) të historisë sonë më të re kombëtare, që shërbeu dhe do të shërbej edhe në të ardhmen si shembull se si duhet të veprojë intelektuali i mirëfilltë, që në damarët e tij rrjedhë vetëm gjakë shqiptari.

Prof. Dr. Belul Beqaj la pas vete tekste universitare, publikime publicistike-shkencore e numër të shumtë të punimeve profesionale. Madje, ishte shumë i njohur në qarqet shkencore, duke marrë pjesë në Konferenca e Simpoziume shkencore, jo vetëm në Kosovë e Shqipëri, por edhe në ish Jugosllavi e më gjerë, që si i tillë simbolizon punëtorin shkencor. Në këto tubime shkencore ishte aktiv si referues e debutues dhe gjithnjë kishte qëndrim kritik analitiko-shkencor për dukuritë të ndryshme negative në shoqëri. Prandaj, duke pasur parasysh veprimtarinë e tij, me të drejtë mund të konstatojmë se, Prof. Dr. Belul Beqaj, ishte një person i urtë, racional, kritik, kreativ, parimor, human, koshient dhe modest për punën dhe veprimtarinë e tij, që e bëjnë të ishte dhe të mbetej personalitet i shquar, shumë i madh dhe i respektueshëm si punëtor shkencor, e mbi të gjitha në fushën politike dhe pedagogjike.

E nderuara familja Beqaj, duke u bazuar në punën, veprën dhe kontributin e dhënë si intelektual i mirëfilltë, vdekja e Prof. Dr. Belul Beqaj, nuk paraqet humbje vetëm për familjen, e as vetëm për Kosovën, por për gjithë kombin tonë dhe shkencat politike. Andaj, me rastin e vdekjes së Prof. Dr. Belul Beqaj, familja mbeti pa më të dashurin e tyre, studentët pa pedagogun më të respektuar, e shkencat politike pa një analist të mirëfilltë dhe veçmas kombi jonë, pa një intelektual të pamposhtur e luftëtar të pa kompromis e të devotshëm për të drejtat dhe liritë kombëtare.

Andaj, ju familja e ngushtë: bashkëshortja, fëmijët e farefisi, ashtu dhe studentët e ne kolegët e miqtë e tij dhe i tërë kombi shqiptar, duhet të mburremi që e patëm një intelektual e pedagog të mirëfilltë dhe një BURRË të kalibrit të madh, siç ishte Prof. Dr. Belul Beqaj. Ndërkaq, familja dhe komuna e Prizrenit, duhet të mburren që në gjiun e tyre doli një intelektual i kalibrit të lartë, politolog e pedagog me performanca të larta e një punëtor kreativ e shkencor i nivelit të lartë, siç ishte Prof. Dr. Belul Beqaj.

Në fund, me lejoni të them se, edhe për rreth përpjekjeve të mia, si mik e koleg i tij, të prezantojë dhe sublimojë të gjitha virtytet dhe kontributin e tij, në mënyrë më të denjë dhe më objektive dhe gjithëpërfshirëse të personalitetit të Prof. Dr. Belul Beqaj, jam i vetëdijshëm se ka mbetur shumëçka pa u thënë, sepse aq lejon forma e një përkujtimi post mortues.

Dhe krejt në fund, duke iu falënderuar për punën kreative profesionale-shkencore, pedagogjike, humane e njerëzore, veçmas luftën pa kompromis për kauzën tonë kombëtare, i kërkojmë lamtumirën e fundit Prof. Dr. Belul Beqaj. Ne tani fizikisht u ndamë nga ai, por vepra dhe personaliteti i tij, kurrë nuk do të vdesin dhe gjithmonë do të mbesin në kujtimet tona.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, që aq shume e deshti.

Për jetë e mot të jetë përkujtimi për Prof. Dr. Belul Beqaj.

Ndjesë pastë.

U prehtë në paqe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat