Sfidat në arsim!

Opinione

Sfidat në arsim!

Muharrem Qafleshi Nga Muharrem Qafleshi Më 27 shtator 2022 Në ora: 18:47
Foto ilustrim

Arsimi vazhdon të mbetet një nga sferat më të kritikuara dhe më të ndjeshme shoqërore jo vetëm në komunën e Dragashit por edhe në tërë Kosovën.

Përpjekjet për përmirësimin e sistemit arsimor gjatë dekadave të kaluara janë fokusuar në gjithë përfshirje dhe ndërtimit të institucioneve dhe infrastrukturës përcjellëse shkollore, mirëpo të gjitha ndërmarrjet nuk ka arritur sukses në përmirësimin e gjithmbarshëm të sistemit arsimor në Kosovë.

Arsimi, dhe rrjedhimisht profesionalizimi i fuqisë punëtore, është i domosdoshëm për të qenë konkurrentë në tregun e punës brenda vendit, por edhe jashtë tij, ne ende kemi mësimdhënës me kualifikime jo adekuate, me arsimimin bazë fakultetin – jo vetëm jo adekuat por edhe me fakultete të pa licencuara dhe të pa akredituara, për ta krijuar një arsyetim për të drejtën e mësimdhënies kanë marr mastera në universitete e shteteve ballkanike, por baza e tyre është e diskutueshme.

Po ashtu ende vazhdon dukuria e emërimeve të drejtorëve të shkollave mbi baza partiake, ende kemi ushtrues të detyrës së drejtorit të shkollës, pse nuk shpallën konkurse për pranimin e drejtorëve të rregullt?!

Megjithëse është punuar shumë në ndërtimin e infrastrukturës, Kosova ende nuk e ka arritur nivelin e kënaqshmërisë në disa shkolla punojnë edhe me ndërrime, mungojnë hapësirat e mjaftueshme për nxënës sipas standardeve ndërkombëtare, mungojnë pajisjet e nevojshme për laboratorë e punëtori.

Për shembull në komunën e Dragashit është ndërtuar një godine e re për shkollë profesionale, e cila ka ngelur e pashfrytëzuar tash e disa vite, ngase mungon plani menaxherial, mungojnë nxënësit, të cilët po ia mësyjnë qendrave urbane. Ndërsa, në shkollën tjetër të mesme “Ruzhdi Berisha” në Dragash, mësimet i vijojnë nxënësit e komunitetit shqiptar dhe atij goran, me drejtime arsimore të përziera, si gjimnaz, ekonomi, mjekësi, farmaci, hoteleri dhe drejtësi. Ka klasë edhe me nga 7 e 8 nxënës që janë klasë jo të ligjshme, ngase klasa duhet të këtë mbi 14 nxënës minimumin, që do të thotë se ka mungesë nxënësish.

Sigurimi i cilësisë është një ndër pikat më të dobëta të arsimit para-universitar në Kosovë, sipas planit Strategjik për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin para-universitar 2016-2021, fokusi është në tri shtyllat kryesore të këtij dokumenti: reformimi i procesit të mësimdhënies për një mësimdhënie moderne, ndërtimi i karrierës së mësimdhënësve gjatë gjithë jetës dhe fuqizimi i aspekteve praktike të plan-programeve.

Këtu mendoj se mungon qartësisë e legjislacionit lidhur me sigurimin e cilësisë, ngase edhe në debate të shumta kërkohet që të bëhet trusni tek drejtorët, drejtorët tek mësimdhënësit, pa u përmendur edhe roli i nxënësit dhe prindit, nxënësit të vetëdijshëm se nuk mund të humbin vitin ngase edhe nëse marrin nota të dobëta ata pas ankesës ju mundësohet riprovimi dhe mësimdhënësit po janë të detyruar që t’i notojnë pozitivisht, siç ka ndodhur në Prizren duke i qitur në pozita të këqija mësimdhënësit, pastaj ka edhe disa prindër, të cilët nuk kërkojnë nga fëmijët e tyre t’i rrekën punës dhe të mësojnë, që të interesohen për mungesat e shumta që ata i bëjnë, por kërkojnë nga mësimdhënësit që ata t’i kalojnë duke gjetur edhe mijëra intervenime.

Andaj çështjen e arsimit duhet trajtuar dhe analizuar drejtë dhe jo me ngjyrime politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat