Prof.Dr.Enver Hasani: Vuçiqi në OKB mbrojti efektivisht të drejtën e pakufizuar ruse për ndërhyrje!

Opinione

Prof.Dr.Enver Hasani: Vuçiqi në OKB mbrojti efektivisht të drejtën e pakufizuar ruse për ndërhyrje!

Nga: Prof.Dr.Enver Hasani Më: 29 shtator 2022 Në ora: 13:44
Autori prof.Dr.Enver Hasani

Në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që u mbajt në Nju-Jork, si çdo vit që mbahet, folën shumë liderë botërorë. Ndër ta ishte edhe lideri aktual i shtetit serb, Aleksandër Vuçiq, në ndërkohë që nga Kosova nuk u duk asnjë, përkundër që kanë bërë shumë këto vite në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mbase e kuptojnë një ditë këta tanët që subjekti ndërkombëtar nuk hyn në OKB përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, as gjetiu në strukturat e organizuara institucionale ndërkombëtare. Nejse! Kjo këtu nuk ka rëndësi, sepse tema që nisa ka të bëjë me Vuçiqin dhe një dilemë të tij që e ngriti në Asamble, ku tha, mes të tjerash, se “as sot e kësaj dite nuk e kuptoj pse Kosova është ndryshe nga Ukraina, pse integriteti territorial i Ukrainës qenka më i ndryshëm se integriteti territorial shteteve të tjera anëtare të OKB-së”.

Dilema me dy kuptime

Me këtë dilemë që shtroi lideri serb, ngriti dy dimensione të problemit. E para, ai me këtë efektivisht zhvlerësoi qëndrimin zyrtar të shtetit të tij që gjoja e mbronte integritetin territorial të Ukrainës. Këtë e dëshmoi ato ditë, si për ironi, kur ministri i tij i Jashtëm, Nikola Selakoviq, nënshkroi me rusët një marrëveshje për koordinim të politikave të jashtme, diçka jo fortë e zakonshme për një vend që në dukje dënon agresionin ndaj Ukrainës; pra, dënon agresionin dhe, në të njëjtën kohë, bën marrëveshje bashkëpunimi në sferën e politikës së jashtme pikërisht me agresorin e Ukrainës (sic!). E dyta, ai me këtë dilemë përforcoi idenë ruse, që thotë se shkëputja e Kosovës dhe pavarësimi i saj nuk dallojnë nga shkëputjet e sponsorizuara ruse në territoret që definohen si fqinjësi e afërt. Me këtë, Vuçiqi efektivisht ka mbrojtur pozicionin zyrtar të Rusisë sa i përket orientimit të saj të politikës së fqinjësisë së afërt. Kjo politikë nuk është asgjë pos një emër tjetër për të drejtën e pakufizuar ruse për ndërhyrje në punët e brendshme të fqinjëve rusë. Ky pozicion serb reflektohet në tërësi në marrëveshjen që lidhi Selakoviq në Nju-Jork. Çështja që shtrohet është kjo: si ka mundësi që Vuçiqi gëzon kaq shumë luks dhe hapësirë manovrimi në politikë të jashtme, aq sa të ndjekë një politikë tërësisht të ndryshme nga vendet e dy anëve të Atlantikut?

Rritja e peshës specifike serbe

Pozita gjeografike e një vendi, vendndodhja e tij, në përllogaritjet e fuqisë së jashtme, zakonisht zë një vend të madh, aq të madh sa në disa raste paraqet determinantën kryesore të vendit në politikën ndaj të tjerëve. Kjo situatë mund të zgjasë me shekuj, siç është rasti me Turqinë, e cila, që nga pushtimi i Kostandinopojës më 1453 paraqet atë që Napoleoni e ka quajtur “kërthizë të botës”. Në raste të tjera, pozita gjeografike paraqet determinantën kryesore, jo përherë, por vetëm në një fazë kalimtare, nga e cila një vend përfiton dhe rrit fuqinë e tij të përgjithshme, përkundër që parametrat e tjerë të fuqisë, si fuqia ushtarake, popullsia, ekonomia dhe faktorë të tjerë, i ka të një vendi me ndikim mesatar apo me ndikim tjetër të papërfillshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. I tillë ka qenë rasti i ish-Jugosllavisë së Titos në kohën kur ai themeloi të ashtuquajturën Lëvizje e Mosinkuadrimit. Kjo situatë sot haset në Serbi, pas agresionit brutal rus në Ukrainë. Për ata që kanë pak njohuri për këtë, me pak fjalë, ajo ka qenë një lëvizje e vendeve me orientim ideologjik nga Moska ose Ëashingtoni, por që për problemet specifike të sigurisë ndërkombëtare kanë mbajtur qëndrime neutrale. Ky pozicion i tyre u ka dhënë mundësi manovrimi të mirë në një kohë kur rendi ndërkombëtar ka qenë bardhezi, i ngurtë dhe vetëm me dy qendra vendosjeje. Këto vendet e painkuadruara, jo rrallë kanë shërbyer si barometër për gjendjen e sigurisë në zonat e caktuara të globit.

Cila, pra, qenka ngjashmëria e Serbisë së sotme me Jugosllavinë e Titos? Kjo ngjashmëri është vetëm në një aspekt – atë të sigurisë ndërkombëtare. Në aspekte të tjera, lidershipi i Titos me këtë të Vuçiqit dhe krahasimi i tyre nuk çon asnjë peshë për qëllimet e këtij shkrimi.

Ukraina, pikë kthese

Agresioni rus në Ukrainë ka bërë atë që pakkush mund ta kishte menduar: ka homogjenizuar vendet perëndimore në të gjitha aspektet e jetës dhe veprimtarisë së tyre, me fillim nga siguria energjetike e kibernetike deri te ndryshimi i konceptit të tyre për rolin dhe pozitën e Rusisë në sigurinë evropiane dhe më gjerë. Ky homogjenizim e ka gjetur Kosovën në vlugun e dialogut me Serbinë, të nisur me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme, institucioni të cilit Vuçiqi iu drejtua ditë më parë. Ky dialog ka pasur një trend pak a shumë letargjik, sikur edhe sot, deri në kohën e ish-presidentit Trump, kur futi në lojë teorinë mbi njohjen reciproke si qëllim final të dialogut. Kjo teori pësoi një ndryshim të vogël në kohën e Qeverisë Kurti II, duke vënë njohjen reciproke në qendër. Në aspekte të tjera, gjërat nuk ndryshuan.

Nuk diskutohet që dialogu nënkupton dy palë, që edhe janë, dhe dikë anash që provon të bëjë diçka për këto dy palë, që edhe janë prezentë. Ajo që diskutohet dhe është problematike ka të bëjë me pozitën relative të palëve, sepse në çdo dialog fundi çdoherë është “një lojë me një humbës”, përkundër që nga ata që ndërmjetësohet ky fund prezantohet në terma të një “loje pa humbës”. Pozita relative e palëve, gjykuar sipas asaj që thuhet në publik, por edhe që thuhet kuluareve diplomatike, është kjo: Kosova paska në dorë fuqinë e të qenit aleat me fituesit e Luftës së Ftohtë, kurse Serbia jo; Serbia qenka rreshtuar me fituesit e Luftës së Ftohtë në dënimin e agresionit rus në Ukrainë, njëjtë sikur Kosova; Kosova paska “shpalosur” hipokrizinë e politikës së jashtme serbe, sepse kjo nuk paska qenë e qartë sa i përket vënies së sanksioneve ndaj Rusisë, dhe kështu me radhë. Harrova të them se formimi i Asociacionit, kërkesë kryesore serbe, përfaqëson për Kosovën një aset për ndikim, një levë ndikimi që përbën çelësin e suksesit të saj në dialogim me Serbinë. Por, a është kjo kështu? Harrova, po ashtu, të them se, ajo që harrohet këtu është se Serbia, jo Kosova, paraqet aktorin e vetëm në rajon që mund të mbajë Rusinë dhe Kinën në Ballkan!

Për Asociacionin dihet vetëm se është një detyrim shtetëror, në aspektin kushtetues dhe sipas të drejtës ndërkombëtare. Përmbajtja e tij nuk dihet, sepse një vendim i Gjykatës Kushtetuese ka ngushtuar dukshëm hapësirën e manovrimit të Kosovës sa u përket modaliteteve të formimit të tij. Por një kufizim të njëjtë kushtetues e ka edhe pala serbe, e cila Kosovën e sheh si “autonomi substanciale”, kurse në preambulën kushtetuese ekziston një zotim i çmendur serb që lidh punën e çdo organi e institucioni të këtij vendi fqinj, zotim të cilit duhet t’i përmbahen. Meqë kjo është kështu, atëherë modeli i Marrëveshjes së Prespës duket si më i logjikshmi, pra që palët zotohen me shkrim për ndërmarrjen e hapave konkret reciprok dhe të njëpasnjëshëm për korrigjim të pozicioneve të tyre kushtetuese karshi njëra-tjetrës, deri në arritjen e paqes së qëndrueshme.

Njohja në qendër, ky iluzion i madh

Nëse për palën serbe Asociacioni paraqet synim sublim për momentin, sepse është definuar nga ta si një qëllim ekzistencial shtetëror, atëherë për palën tonë cili është qëllimi ekzistencial!? Nëse njëra palë definon qëllimin e dialogut me terma ekzistencialë e tjetra jo, atëherë qartë bëhet fjalë për lojën me një humbës. Për palën tonë, ai qëllim konsiston në njohjen e Kosovës nga Serbia në mënyrë të plotë, të tërësishme dhe të pakthyeshme, njohjen që quhet de jure. Pse duhet të bëhet kjo? Përgjigjja në këtë ngërthen përgjigjen ndaj dilemës së Vuçiqit, që e parashtroi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Kjo njohje duhet të vijë nga Serbia, me kuptim njohje de jure, sepse vetë Serbia do ta ketë të vështirë të ruajë trashëgiminë nacionale, si dhe vetë serbët kosovarë.

Përveç kësaj, në Kosovë ka pasur një terror sistematik disavjeçar që ka çuar në ndërhyrjen e NATO-s, terror që ka qenë shtetëror, me premisa të theksuara të gjenocidit, që është ndalur nga NATO-ja. Si i tillë, terrori ka qenë i orkestruar dhe ka pasur qëllim të qartë politik –spastrimin e Kosovës nga shumica shqiptare. Kjo do të thotë se terrori serb, i dokumentuar gjerësisht nga burimet e besueshme ndërkombëtare, ka qenë terror shtetëror. Kjo e bën të dallueshëm vrasjen dhe persekutimin e serbëve lokalë nga disa individë shqiptarë pas luftës, fakt që ka ndodhur si pasojë e veprimeve hakmarrëse individuale për vrasjet dhe humbjet e pësuara në luftë, qoftë si civilë ose si luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, forcës së vetme shqiptare që i ka rezistuar agresionit serb në Kosovë deri në ardhjen e NATO-s. Një dallim tjetër i rëndësishëm, që e bën të dallueshme Kosovën nga formacionet politike të ndërtuara prej rusëve në fqinjësinë e tyre dhe serbëve në Bosnje-Hercegovinë, është se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e ka bërë të qartë se formacionet serbe në Bosnje-Hercegovinë janë formacione që i ka krijuar gjenocidi serb. Dallimi i fundit dhe substancial, që gjithashtu është konstatuar nga mendimi i GJND-së për Kosovën, është se në rastin kosovar bëhet fjalë për ushtrimin e vullnetit të lirë të qytetarëve, nga institucionet legale ndërkombëtarisht të njohura, pa asnjë ndërhyrje ushtarake nga jashtë, kurse te rastet ruse e serbe prezenca ushtarake dhe dhuna nga jashtë kundër jorusëve dhe joserbëve kanë rezultuar në formimin e entiteteve parapolitike atje.

Këto sqarime dhe argumente a ndihmojnë në fitimin e njohjes së plotë nga Serbia të vendit tonë? A ndihmon ngritja e një padie fiktive për gjenocid, që u paralajmërua nga Qeveria Kurti II? A ndihmon riformimi i instituteve të gjenocidit në Kosovë, për të akomoduar apetitet financiare të disa kolegëve të autorit të këtyre rreshtave, të cilët dyshoj se mund të shkruajnë një padi civile, lëre më një padi për gjenocid? Sigurisht që nuk ndihmojnë! Se kjo nuk do të ndodhë shihet qartë edhe nga propozimet që erdhën në Prishtinë nga emisarët e ndryshëm të vendeve mike të Kosovës dhe që flasin për Asociacionin si për formë të shtetit.

Kundërvlera që ofrohet për këtë është njohja eventuale nga pesë vendet mosnjohëse, që në fakt nuk është pak, sepse me njohjen e Kosovës nga Spanja, vendet katolike të Amerikës Latine do të ndiqnin të njëjtën rrugë. Një kundërvlerë tjetër eventuale që ofrohet është anëtarësimi në Këshill të Evropës, që as kjo nuk është pak: me këtë anëtarësim, institucionet e Kosovës, gjyqësori dhe Gjykata Kushtetuese në rend të parë, do të kishin problem të vendosnin, siç po vendosin, për liritë dhe të drejtat e këtij vendi, sepse do ketë një çmim të hatashëm për gabimet e tyre, që do të paguajnë taksapaguesit e vendit. Kundërvlera e njohjes reciproke, apo në qendër, me sa duket nuk do të vijë as këtë herë. Kur të vlerësohet implementimi i marrëveshjes që del nga dialogu nën udhëheqjen e Qeverisë Kurti II, pas dhjetë a më shumë vjetësh, duhet pritur një koncesion tjetër edhe më të dhimbshëm se këto që kemi parë tani. E di se cinikët kanë nisur të thonë se njohja nga Serbia nuk është asgjë dhe se mjaftojnë kundërvlerat e tjera që ofrohen (njohja nga pesë vendet mosnjohëse, anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe kështu me radhë). Të gjithë duhet ta dinë, megjithatë, se mosnjohja nga Serbia i jep asaj një të drejtë ndërkombëtarisht të njohur për rikthim këtu kurdoherë që lind apo krijohet një ndryshim rrënjësor në rendin aktual ndërkombëtar. Askush nuk mund të ofrojë argument bindës se ky ndryshim në rendin ndërkombëtar nuk do të ndodhë një ditë. Por, e mira e kësaj është se, kur të vjen ky ndryshim, ai nuk do të vijë në harkun kohor të një gjenerate.

Robert Lansing, ish-sekretar i Jashtëm i presidentit Woroo Wilson, në ditarin e tij ka shkruar se mbreti Nokola i Malit të Zi po sillej rrugëve të Versajës me shpresën se mbretëria e tij e vogël do të rikthehej. Amerikanët e çnjohën Malin e Zi në vitin 1921. Interesant!

(Autori është ish-kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese, ish-rektor i UP-së, dhe është profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)

Shkrimi është botuar me lejen e autorit, i botuar paraprakisht në K. Ditore

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat