Kërkoni të respektohet të paktën vullneti i Vladan Gjorgjeviçit!

Opinione

Kërkoni të respektohet të paktën vullneti i Vladan Gjorgjeviçit!

Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 1 tetor 2022 Në ora: 12:08
Foto ilustrim

Vladan Gjoergjeviç, ish-kryeministër i Serbisë në fillim të shekullit XX, shkruan në librin e tij "Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha" se "shqiptarëve do t'u nevojiteshin së paku edhe 100 vjet që të kenë të drejtë të quhen komb"!

Nëse pranojmë formulën e njohur se komb pa shtet nuk ka, atëherë kjo do të thotë se Gjorgjeviç në vitin 1912-1913 rekomandonte që pas 100 vitesh shqiptarëve do të duhej t'u jepej e drejta të kishin shtetin e tyre.

Këtë rekomandim ish-kryeministri i Serbisë e arsyetonte me atë se "shqiptarët në jetën politike duhet të edukohen nga dikush, në rast se piqen, për autonomi"! Dhe ky dikushi, duhej të ishte Serbia "e emancipuar" për dhunë e terror! Pra, ai jepte recetën e edukimit të shqiptarëve nga Serbia. Por, se si ata "u edukuan" nga Beogradi, këtë gjë e zbulon gjenerali Wesly Clarc, i cili në librin e tij, "Të bësh luftë moderne", shkruan se si Milosheviçi u mburrej atij dhe gjeneralit gjerman, Klaus Nauman, në marsin e vitit 1999 për shfarosjen e shqiptarëve.

- Ju e dini gjeneral Clarc, që ne e dimë se si duhet t'i qërojmë hesapet me shqiptarët, me këta vrasës, me këta dhunues, me këta vrasës të fëmijëve të tyre! Përpara ne jemi kujdesur për ta … Në Drenicë, më 1946, ne i kemi vrarë ata. I kemi vrarë që të gjithë. Oh! Na janë nevojitur shumë vite! Por ne, në fund i vramë që të gjithë! Kjo është formula serbe e "edukimit" të shqiptarëve!

Çfarë dua të them me këto shënime?

1. "Edukimi" serb i shqiptarëve e ka emrin dhunë mbi njëshekullore dhe gjithashtu quhet shfarosje e tyre, vrasje, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Askush nuk jep sot garanci, se Serbia nuk do të sillet njëjtë si Serbia e mëparshme kundrejt shqiptarëve.

2. Sipas ish-kryeministrit Vladan Gjergjoviç, shqiptarëve do t’i duheshin 100 vjet që të quheshin komb. d.m.th të bënin shtetin e tyre kombëtar. Kur Kosova e shpalli pavarësinë, kishin kaluar 96 vite nga ajo kohë. Nëse e marrim deklaratën e Gjorgjeviç si një deklaratë marrëveshjeje ndërkombëtare, atëherë do t'i takonte Serbisë që ta njihte pavarësinë e Kosovës së paku në vitin 2012, vetëm katër vite pas shpalljes së kësaj pavarësie.

Në fund të fundit shqiptarët dhe bashkësia ndërkombëtare e respektuan pa vullnetin e tyre arsyetimin e Serbisë së vitit 1912. Pritën një shekull që t'u jepnin shqiptarëve lirinë e formimit të shtetit të Kosovës. Serbia e kishte për obligim ta respektonte atë çfarë kishin projektuar udhëheqësit e saj para 100 vitesh, pra ta njihte shtetësinë e Kosovës! Këtë duhet ta kërkojë me ngulm qeveria, institucionet dhe grupi negociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë: Njohjen pa kushte të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, bazuar në angazhimin e kryeministrit të tyre të para një shekulli! Ishte zotim i tij!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat