Vuçiq po kërkon luftë sikurse Putini, që të digjet në zjarrin e vetë!

Opinione

Vuçiq po kërkon luftë sikurse Putini, që të digjet në zjarrin e vetë!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 5 nëntor 2022 Në ora: 17:08
Sherif Ramabaja

Kryetari serb Vuçiq, që njihet edhe si Ministri i Propagandës së kriminelit Miloseviq, gjithmonë i ka mbetur besnik zanatit të tij.

Manipulimi i masave, është profesioni të cilin e ushtron me zell. Unë jam nën presion të tmerrshëm nga bashkësia ndërkombëtare, thotë ai, po nuk do të nënshtrohem. Nuk do lejoj poshtërimin e Serbisë, janë fjali që rregullisht i përsëritë.

 Kur e sheh që i ka ngritur temperaturat në maksimum, vjen pastaj duke e ndërruar taktikën, gjoja se agresiviteti nuk i përket atij, por përkundrazi shtiret si paqësor dhe tregon butësi. Unë nuk dua luftë, thotë. Ne jemi për paqe. Shikoni, ata po e provokojnë dhe po e rrezikojnë popullin serb në Kosovë. Këtë taktikë të tij, tashmë çdo kush e ka kuptuar, duke përfshirë edhe bashkësinë ndërkombëtare.

 Momentalisht gjendjen në Veriun e Kosovës e ka tensionuar, sepse i është ngushtuar rrethi për marrëveshje me Kosovën, kurse si pretekst e merr  zbatimin e marrëveshjes mbi targat.

Për ta shmangur konfliktin ai e detyron bashkësinë ndërkombëtare para aktit të kryer: ose intervenoni ,ose gjendja do të shpërthej.

 Ai nuk ka se çka të humbë, vetëm personalisht përfiton në ruajtjen e pushtetit. Serbët i ka instrumentalizuar tej mase dhe ata do të vallëzojnë sipas dirigjimit të tij.

Nga bashkësia ndërkombëtare pret shtyrjen e afatit mbi targat, duke fituar kohë. Në anën tjetër mendon që politikisht sado pak të përfitoj, duke pritur që Kosova nga gjendja e tensionuar të bëjë gabime, që kjo do të shkonte pastaj në favor të tij.

Hapi më i rrezikshëm do të ishte: ti detyronte serbët vendas të hynin në konflikt duke i sakrifikuar ata, që pastaj të këmbëngulte në Asociacionin ose eventualisht në ndarjen e Kosovës.

Planet e tilla ai i ka të studiuara dhe koordinuar së bashku me Putinin, po Putinit nuk i doli ashtu siç e kishte menduar, sepse humbjet e tij i kanë sjellur që të dy para dilemës hamletiane, të jesh apo të mos jesh.

Vuçiqi i thyer keq nga humbja e Rusisë dhe Putinit, ka rënë në gjendje traumatike shpirtërore dhe po vepron në mënyrë të pakontrolluar, si një i çmendur.

Kjo u vërejt edhe kur e anuloi takimin në Procesin e Berlinit duke u arsyetuar se, Serbia është sulmuar dhe po rrezikohet nga dronët e Kosovës.

Pasi i „rrëzoi“ dronët tash i duhet të inskenoi diçka tjetër. Kjo i duhet sepse si Ministër i Propagandës, ai jeton dhe është i mishëruar me ish profesionin e tij.

Kosova në këtë rast do të duhej t´i kundërpërgjigjet qetë me kundërmasa, kuptohet në koordinim me SHBA dhe EU, që atë do ta demaskonin dhe do ta lenin në baltë. Në të kundërtën ai do të përfitonte, duke e paraqitur veten si viktimë.

Nëse Vuçiq do të ndizte konflikt, ai nuk do të guxonte të intervenonte me ushtri që të bënte luftë frontale, sepse fort mirë din se çka do të ndodhë me te dhe Serbinë. Si mundësi e vetme do t´i mbetej që t´i sakrifikonte serbët vendas.

Kosova serbët vendas duhet t´i trajtoi si qytetar të vetë. nuk do të duhej t´u përgjigjej me masa ndëshkimi, sepse këtë e kërkon Vuçiq, po do të duhej që për çdo hap të konsultohej me bashkësinë ndërkombëtare, duke e larguar përgjegjësinë nga vetja.

Kur Vuçiq të mbetet si peshku pa ujë, Kosova pastaj do t´i pastronte gjërat brenda territorit të vetë. Politikisht tani jemi shumë më të pjekur. Ministri i propagandës i kriminelit Miloseviç, Vuçiq duhet ta korrë atë që e ka mbjellë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat