Gani Azemi – një jetë në shërbim të Kosovës!

Opinione

Gani Azemi – një jetë në shërbim të Kosovës!

Nga: Enver Bytyçi Më: 25 nëntor 2022 Në ora: 18:28
Gani Azemi, mik i Presidentit Ibrahim Rugova

Sot është dhjetë vjetori i shkuarjes në amshim të një personaliteti të madh të kombit shqiptar e të Kosovës, Gani Azemi. Është shumë e vështirë të kujtosh e të shkruash për një veprimtar dhe patriot të spikatur si ai. Është madje përgjegjësi, sepse është e pamundur që në një koment-përkujtimorë të evokosh kontributin e shqiptarëve prominentë si diplomati e gazetari Azemi. Unë e kam njohur nga afër dhe e di se çfarë energjie kishte në luftën e pandërprerë për çështjen e atdheut e të Kosovës!

Gani Azemi ishte diplomat në veprimtarinë e tij. Më shumë ngjante me ata njerëzit e ditur e të urtë që përçonin idealet kombëtare të shqiptarëve në ish-Jugosllavi e në Kosovë te europianët, sesa me një prototip luftarak dhe të vendosur në fushën e betejës me armikun. Përballë tij në fillim ishin pikërisht pushtuesit serbë. Pas pranverës së vitit 1991 Gani Azemi me guxim u përball me këta pushtues, derisa u detyrua të largohet nga vendlindja e të vendoset në Bruksel. Ishin vitet 1980 asokohe.

Ndërkaq Brukseli u shndërrua në kryeqytetin e lobimit për çështjen e Kosovës. Gani Azemi ishte protagonisti kryesor i këtij lobimi. Si student i Fehmi Aganit dhe Ukshin Hotit ai u angazhua në promovimin e luftës për liri e pavarësi të udhëhequr nga presidenti historik, Ibrahim Rugova. Aq shumë punoi në këtë mision, sa i madhi Rugova e quajti në një rast «Konica i Kosovës»!

Lidhja e ngushtë me atdheun e bënë Gani Azemin njeriun që më shumë se kushdo iu përkushtua dijes, veprimit dhe lobimit për Kosovën. Aty ku kishte demonstrata: - Në Bruksel, Paris, Gjenevë e gjetkë, aty do të gjendej edhe Gani Azemi. Por jo vetëm kaq! Ai e themeloi dhe drejtoi revistën « LA REVUE DE KOSOVA » dhe shkroi artikuj të shumtë në gazeta të ndryshme në gjuhën frënge si LE SOIR, L'EXPRESS, LE NOUVEL OBSERVATEUR e të tjera. Në këtë veprimtari gazetareske përçoi kudo e kurdoherë zërin e shqiptarëve dhe vuajtjet e tyre. Zëri i tij ishte kudo. Në medie, në fjalimet që mbante para protestuesve shqiptarë e të huaj në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi e në Kosovë, në sallën e parlamentit Europian e në Komisionin Europian, në konferencat e shtypit të personaliteteve europiane e të NATO-s në Bruksel.

Lidhjet e Gani Azemit me NATO-n ishin të veçanta. Pyetjet e tij për personalitetet e Aleancës silleshin gjithnjë në vëmendje. Intervistat që ai realizonte me këto personalitet gjithashtu sillnin në opinionin publik zërin e botës së civilizuar në mbrojtje të ekzistencës dhe të të drejtave të shqiptarëve. Më në fund ai ishte gjithë kohës pranë zëdhënësit të jashtëzakonshëm të NATO-s, James Shea, gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë dhe sensibilizoi opinionin botëror me kërkesat e tij në konferenca shtypi për ngjarjen më të madhe të globit. Ndërsa, në Rambuje Gani Azemi ishte zëri dhe zëdhënësi i presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Nuk ka sallë ku mblidheshin përfaqësuesit europianë, nuk ka konferencë shtypi, demonstratë e protestë në mbrojtje të Kosovës, në të cilën të mos ishte i pranishëm për gati 20 vite Gani Azemi. Gjithnjë i përkushtuar, me guxim dhe maturi në mbrojtje të kauzës shqiptare. Në këto mjedise politike shumë të rëndësishme për fatin e Kosovës e të kombit shqiptar ai loboi fuqishëm, solli të vërteta të pakontestueshme dhe kontribuoi në realizimin e ëndrrës së shqiptarëve! Edhe kur Ibrahim Rugovës iu dha çmimi i madh « SAHAROV » nga Parlamenti Europian, Gani Azemi kishte krijuar gjurmë të pashlyeshme të lobimit. Ai çmim për presidentin historik, ishte njëkohësisht një çmim shumë i madh për Kosovën, përfshirë dhe vetë lobuesin e fuqishëm, Gani Azemi. Pavarësia e Kosovës ka në themelet e saj gjithashtu kontributin e tij.

Në të gjithë veprimtarinë e tij Gani Azemi u shfaq si gazetar, si diplomat, si personalitet i besueshëm dhe i pakonkurrueshëm në kryeqytetin e Europës, Bruksel. Për këtë arsye ai mori pas shpalljes së pavarësisë detyra me rëndësi në ambasadën e Kosovës në Bruksel. Në vitet 1995-2000 u emërua nga ana e presidentit Rugova si drejtues i zyrës së Republikës së Kosovës për Benelux dhe Bashkimin Europian. Pas vitit 2000 e sa ishte në jetë Doktor Rugova, ai ishte përfaqësues i tij po ashtu në Bruksel, detyrë të cilën e vazhdoi për dy vite edhe gjatë presidencës së presidentit Sejdiu. Ndërs,a në fund të jetës së tij u emërua si këshilltar politik në Ambasadën e Republikës së Kosovës po në Bruksel.

Më 25 nëntor 2012 Gani Azemi ndërroi jetë në qytetin e lartpërmendur, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme! Rrallëherë historia shqiptare ka prodhuar njerëz dhe shqiptarë të tillë të përkushtuar me vetëmohim për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës! Rrallëkush ka lënë një trashëgimi kaq të pasur patriotike si Gani Azemi! Dhe askush nuk kishte aftësinë e tij të interpretimit logjik e racional të ideve e fakteve në mbrojtje të Kosovës si ai!

Prandaj, në këtë dhjetë vjetor të ndarjes nga jeta është momenti që të përulemi me shumë respekt e veneracion përpara veprës së shquar të veprimtarit, diplomatit, gazetarit, oratorit, mbrojtësit të pashembullt të së drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje, Gani Azemi!

Lavdi emrit dhe veprës së tij të lavdishme! U përkujtoftë përgjithmonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat