Udhëtimi i Ismail Qemal Vlorës nga Stambolli në Vlorë dhe disa çështje të mëvetësisë

Opinione

Udhëtimi i Ismail Qemal Vlorës nga Stambolli në Vlorë dhe disa çështje të mëvetësisë

Nga: Kastriot Dervishi Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 11:00
Momente nga përvjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë

-2 nëntor 1912, niset nga hotel "Pera" në Stamboll nëpërmjet Detit të Zi dhe mbërrin në Kostancë të Rumanisë.

-5 nëntor 1912, në Bukuresht.

-10 nëntor 1912 në Vjenë.

-12 nëntor 1912 në Budapest.

-19 nëntor 1912 në Trieste, prej nga niset me anije.

-21 nëntor 1912 mbërrin në Durrës.

-27 nëntor 1912 në Vlorë.

-28 nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar shpall pavarësinë dhe formon qeverinë e përkohshme. Nuk nënshkruan të gjithë delegatët, pasi atë ditë nuk kishin ardhur. Ata që erdhën me vonesë nuk nënshkruan. Kuvendi i mbylli punimet e tij më 7.12.1912.

Përtej këtyre fakteve, kujtojmë se territori etnik shqiptar, i gjendur në atë kohë si pjesë e Perandorisë Osmane, u sulmua ushtarakisht nga aleanca ballkanike. Lufta e Parë Ballkanike nisi më 8.10.1912 me sulmin e Malit të Zi ndaj territorit shqiptar. Kjo luftë përfundoi më 30.5.1913. Territori shqiptar u pushtua i gjithë, me përjashtim të një trekëndëshi midis Kavajës, Beratit dhe Vlorës. Nga kjo situatë, ndërhynë fuqitë e mëdha, të cilët mbajtën një konferencë ambasadorësh në Londër. Mbrojtën çështjen shqiptare Austro-Hungaria dhe Italia. Ishte kundër Rusia, pak më neutralë Gjermania dhe Britania e Madhe. Kompromisi i arritur ishte se u njoh pavarësia në gjysmën e territorit, për të cilin urdhëroheshin pushtuesit të largoheshin, por u njihej atyre (pushtuesve) gjysma e pushtuar.

Më 29.7.1913 fuqitë e mëdha njohën shtetin e ri shqiptar, për të cilin dolën garant. Në vitet 1925 dhe 1926 u nënshkruan protokollet e kufirit me Greqinë dhe Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene.

Mësimi i historisë: shqiptarët e zgjidhën pjesërisht me diplomaci çështjen e shtetit të tyre. Zgjidhja qëndronte te lufta dhe kuptimi në kohë i situatave. Me përjashtim të një qëndrese të shkurtër në Kosovë dhe luftimeve të gjata në Shkodër dhe Janinë, nuk u luftua askund tjetër. Madje në shumë qytete serbët u pritën paqësisht. Kontradiktat e brendshme dhe eksperimentet e shumta, e kanë gërryer në vite shtetin e vogël shqiptar, i cili nuk ka arritur kurrë të konsolidohet, por të mbërthehet gjithnjë nga iluzionet dhe rruga e paqartë ku duhet të ecë.

Image
Në foto shtëpia e familjes Vlora ku u shpall pavarësia e Shqipërisë.
Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat