Sikur të ngrihen nga varri Ismail Qemaili e Adem Jashari, do të turpërohen me politikanët që e vodhën atdheun tonë!

Opinione

Sikur të ngrihen nga varri Ismail Qemaili e Adem Jashari, do të turpërohen me politikanët që e vodhën atdheun tonë!

Nga: Faton Mehmeti Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 17:28
Autori Faton Mehmeti

Në çdo festë kombëtare apo edhe fetare, politikanët tanë vishen me petkun e heroit dhe engjëllit për të bërë urimet më të mira. Fraza tashmë të njohura u përsëritën edhe për Festën e Flamurit- Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, retorika të njohura, të cilave nuk u përmbahen as vet.

Ndjej neveri kur shoh politikan të sojit të Edi Ramës apo Ilir Metës, për të cilët edhe opinioni i përgjithshëm ka bindje të thellë se janë hajna.

Në mungesë të drejtësisë mbetet i lirë, ka jetë luksi dhe i njëjti del dhe uron qytetarët për jetë më të mirë, pikërisht ai që ua ka bërë jetën më të vështirë, derisa janë detyruar shumë të largohen nga vendi, i njëjti del pa fije turpi uron.

Urimet e festave marrin kuptim kur urohen nga njerëz të dinjitetshëm, për ndërtim të modeleve të mira për t`u ndjekur, jo të atyre që ndjejmë neveri vetëm kur i shohim.

Kosova dhe Shqipëria nuk janë vende aq të mëdha sa mos të njohim njëri tjetrin kush është, e çka ka bërë, e çka s`ka, është e kot të mundohet dikush të fshihet pas frazave të bukura të mësuara përmendësh, edhe pse s`kanë asgjë të përbashkët me atë çfarë ai është dhe përfaqëson.

Në modelin perëndimor shumica nga politikanët tanë do të ishin në burg, nuk do të kishin mundësinë të mbanin fjalime patetike e të bukura, ata që s`kanë lënë gjë të keqe pa i bërë këtij vendi.

Disa janë në burg, ndonëse jo për hajni, për të cilën duhet të ishin, ata dhe shumë të tjerë. Në çdo festë, dhe jo vetëm, por çdo ditë, politikanët të mendojnë se kjo jetë është e përkohshme, asgjë s`do të marrin me vete, të mendojnë që të jetojnë me nder, kur një ditë s`do të jenë më në këtë jetë të kujtohen për të mirë, me faqe të bardhë t’i lënë edhe fëmijët e tyre. Siç kanë thënë të vjetrit “interesi të korit”, këta jo vetëm që janë “korit” por edhe janë turpëruar për jetë të jetëve.

Nuk ka pasuri më të madhe se të flesh me ndërgjegje të qetë, kur të dalësh në rrugë askush mos të të ikën, këto vlera janë për të cilat së pari duhet të jenë njerëz e pastaj politikanë. Në këtë festë, dhe jo vetëm, t’i thirremi secili ndërgjegjes sonë, për të parë njëri-tjetrin më me dashuri dhe mirëkuptim, vetëm kështu jetojmë më mirë për vete dhe e bëjmë Kosovën vend më të dashur dhe më të dinjitetshëm për të gjithë. Thirrja ime për politikanët: mos u fshihni pas Ismail Qemailit e Adem Jasharit, po të mund të ngriheshin vetëm pak nga varri e të shihnin kush e drejton Shqipërinë dhe kush e ka drejtuar Kosovën deri para pak kohësh, do turpërohen. Dëshmorët s'kanë nevojë për patriotizëm të rrejshëm, nderimi më i madh për ata është -mos e vidhni atdheun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat